Djalli komik View larger
Pjesë nga libri

Djalli komik

Zija Çela TO0364

New product

This product is no longer in stock

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Toena
ISBN9789928277169

800 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Thanë për librin:

Përmes karakteresh të individualizuara, të besueshme e të prekshme njëherësh, edhe kësaj here Zija Çela vjen me një roman gjithëpërfshirës: realiteti moral, psikik, shpirtnor, dramatik e grotesk i Shqipërisë, por edhe ai i Europës e më gjerë. Simbolizmi nuk e ka penguar autorin që të jetë thellësisht realist. 

“Djalli komik” është, ndoshta, më i ngjeshuri në korpusin e Zija Çelës. Por, paradoksalisht, duke qenë më kompakti, është edhe më i shtriri si intensitet emocional e figurativ, më simboliku dhe njëkohësisht më realisti. Është roman i shkruar me vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë.   

Rudolf MARKU

 

Me “Djallin Komik” Zija Çela ka ndërtuar ekuivalentin fiktiv më të plotë, njëkohësisht më dërrmues dhe më parodizues të botës shqiptare. Ai e ribën realitetin sipas hierarkisë së kategorive politike, sociale e morale, për ta kthyer më pas në një parabolë ironike tronditëse, me shumësi kontekstesh e situatash, me personazhe dhe heronj të papërsëritshëm, të cilët sado fantastikë që të duken, komunikojnë në mënyrë të mahnitshme me realitetin tonë dhe derivatet europiane. 

Rrëfimi është ai që mbizotëron prozën e Zija Çelës. Rrëfim i zhdërvjellët, alegorik, meditativ, me depërtime gjuhësore në shtresime kuptimore të panjohura dhe të paprovuara për prozën tonë. Zija Çela është shkrimtar që ka njohur mundësinë e pafundme të shkrimit alegorik. Proza e tij, e dëshmuar në një sërë veprash, është arritje kulmore e letërsisë shqipe. 

Mehmet KRAJA

 

Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin. Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.

Lindita TAHIRI     

 

Pjesë nga libri:

Gjatë gjithë seancave të nxehta, që e mbajtën në trysni qytetin tonë, pa pranuar avokat dhe pa asnjë prapamendim për apelimin e dënimit, ai mori përsipër gjithë sa kishte ndodhur. Kur po e nxirrnin nga gjykata, Aranit Lumbardi dukej sikur po u thoshte bashkëqytetarëve të tij: “Unë do të kem sërish paqe, vetëm kur ta di se ju jeni mirë, mirë, trup e frymë”. Mirëpo, ata që prisnin jashtë dhe e shihnin drejtpërdrejt, patën tjetër ndjesi. Meqë kishin besuar vetëm në një vendim, lirimin në sallë, ata nuk po u besonin syve: “Lartmadhëria në hekura?!”. Ishte e çuditshme si ndihej vringëllima e hekurave. Shì në tremën me kolona bazalti, zoti Lumbardi u dha krahëve përpjetë dhe, pasi bëri zap pështjellimin e tij, iu drejtua turmës përballë: “Doni ta dini? Unë, unë jam fajtori! Por vetë faji është i tjetërkujt.”

* * *

Kur sëmundja misterioze u bë më kërcënuese dhe njerëzit po kërkonin të largoheshin nga Horketa, si prej një zone lufte, katër qytetet kufitare vendosën të mbroheshin së bashku kundër nesh, pa iu skuqur faqja për tejkalimin e forcës. Nuk di përse, përfaqësuesit e nivelit të lartë zgjodhën për takimin zyrtar një zonë neutrale. Ata u mblodhën rreth njëzet e pesë kilometra larg qytetit të Fierit dhe, pas diskutimeve të gjata, dolën me një dokument, që mori emrin e fshatit ku u hartua: Traktati i Marrëveshjes Shegan. Lajmet bënë të ditur...

* * *

Në Bibël është shkruar se, nëse dikush arrin ta shohë Zotin, ai vdes. Në rininë e saj të hershme këtë ma kujtonte bukuria e sikletshme e Sarës. E shihja dhe mund të vdisja. Kur gjeta rast njëherë për t’ia thënë pas kuintave, ajo buzëqeshi dhe zgjati kokën drejt meje. A thua se me të vërtetë donte të m’i mbyllte sytë, më puthi në ballë. Por të mbyllur m’i gjeti, ngaqë unë pandeha se do të putheshim në buzë.

Sigurisht, atë të diel që po shëtisnim bashkë, ma përmendi koronën në zemër. Tani nuk është më, tha, tani floriri ka shkrirë, por prapëseprapë është në trupin tim, si ai ari koloidial që përdoret kundër kancerit.

Nimfomania e saj meritonte të shpërblehej dhe unë e pyeta:

- A ka ndonjë Ditë Botërore të Guximit?

- Edhe mundet, - tha Sara, duke pritur përkëdhelinë time.

- Ahere yt shoq duhet të ketë lindur bash atë ditë.

- E ke gabim, - tha. - Burrit tim çdo mbrëmje sikur i ngordh damari i guximit, kurse çdo mëngjes i harbohet. Natën është karakter, ditën temperament.

Data sheet

Lloji i botimitPaper back
pages336
ISBN9789928277169
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmosha e leximitmbi 18 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë