Sotir Gjika BOM0080
New product
Për herë të parë vjen në një libër i gjithë aktiviteti publicistik i Sotir Gjikës, botim i përgatitur nga Eugjen Merlika. Ndonëse vdiq në moshë të re, ai la gjurmë në shtypin e viteve ‘20
100 Items
Shtëpia Botuese | OMSCA-1 | |
ISBN | 9789928132840 | |
SI LINDI KY LIBËR?
(Një bisedë e hapur me lexuesin)
Mbas pak muajsh mbushen 90 vjet nga vdekja e Sotir Gjikës, i njohur pak nga studiuesit e pothuaj aspak nga publiku i gjerë që nuk ka dëgjuar, pothuajse kurrë, të flitet për emrin e tij.
Në kohën e mbretërisë, edhe se gazetari Sotir Gjika kishte patur mospërputhje mendimesh, madje edhe ndonjë qejfprishje me Ahmet Zogun, fshati i tij i lindjes, Shtika e Kolonjës, i kishte vënë emrin e tij shkollës fillore të fshatit në shenjë nderimi e respekti për birin e tij mërgimtar në tre kontinente.
Epoka e partisë komuniste, edhe se Ai kishte ndërruar jetë në vitin 1927, vuri mbi emrin e tij një shtresë të mirë llave të harresës e heshtjes, që prapë se prapë ishte më pak e rëndë se sa pesha e padisë për “tradhti” të Atdheut, që të tjerë shqiptarëve të kulturës apo të politikës i u vu pa kursim.
Sotir Gjika ka qenë gjyshi im, babai i nënës sime, Elena Gjika Merlika. Prej saj mësova pak gjëra nga jeta e tij, ndoshta sepse edhe për të ajo jetë nuk ishte shumë e njohur, ndoshta sepse psikoza e terrorit në të cilin jetoi për 47 vjet me radhë e kishin ndrydhur aq shumë sa të mos fliste as me mua, ndoshta sepse në ato kohë ishte thjesht fantazi të mendoje se do të vinte një ditë që të mund të botohej ky libër.
Ajo vetë ishte shtatë vjeçe, kur babai vetëm 37-vjeçar, mbylli sytë larg saj në një spital të Veronës, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme për kohën, një qytet në të cilin edhe u varros. Elena dhe vëllai i saj, dy vjeç më i madh, Aleksandri, mbetën jetimë dhe u rritën nga nëna e tyre dhe nga gjyshja, nëna e nënës, për të cilën nëna ime ruante gjithmonë një dashuri e mirënjohje të veçantë.
Mendësia zotëruese në shoqërinë e mesme italiane të viteve njëzetë i ngjante mendësisë patriarkale të shqiptarëve, përsa i përkiste koncepteve për familjen dhe detyrat vetjake kundrejt saj.
Edhe gjyshja ime, Angela Lilly Quarta, një mësuese që sapo kishte mbushur 35 vite, kur mbeti e ve, më 1927, nuk mori asnjëherë në shqyrtim mundësinë e krijimit të një jete tjetër bashkëshortore. Ajo rriti fëmijët, madje duke mbajtur në shtëpinë e saj edhe nënën, që ndonëse e kishte birin milioner e pronar të një fabrike çokollatash, parapëlqente të rrinte me bijën e të ndihmonte në rritjen e bijve të saj. Nëna ime mbante mënd pak gjëra nga babai i saj. Ajo dhe i vëllai ruanin përfytyrimin e një njeriu të mbyllur, pothuajse gjithë kohën, në studion e Tij, ku punonte vazhdimisht, ku duhej trokitur për të hyrë brenda, të një babai që merrej pak me ta, sidomos në vitet e fundit kur Ai ishte shumë i sëmurë. Ajo mbante mënd se në shtëpinë e tyre vinin mjaft burra, por edhe gra shqiptare, me të cilët babai i saj kishte miqësi. Ishin të mërguarit politikë të Krishtlindjeve 1924, të grumbulluar në krahinën e Puljes, posaçërisht në qytetin e Barit.
Ndër ta ishin Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja, me të cilët babai i saj kishte lidhje shoqërore e politike, mbasi ndanin të njëjtin vizion politik për Vendin e tyre. Ndërsa një tjetër miqësi familjare familja Gjika ruajti për një kohë të gjatë me Gjovalin Kamsin dhe bashkëshorten e tij të nderuar, Rozën. Fëmijët e tyre, Willy e Milla, kishin qënë nxënës të Lillyt, gruas së Sotirit.
Ndërmjet kujtimeve fëmijërore, si nëpër mjegull, nënës sime i vinte para syve figura e Luigj Gurakuqit, me të gjithë hijeshinë e saj burrërore, por edhe ëmbëlsinë e komunikimit, madje edhe me fëmijët. Luigji i sillte edhe ndonjë lodër të vogël, madje ajo mbante mënd se edhe mbrëmjen e dy marsit 1925 priste të vinte “zio Luigi” e t’i sillte një kukull..... Por atë mbrëmje kobzezë “zio Luigi” do të ndahej nga kjo jetë, prè e plumbave të shkrehur nga dora kriminale e kushëririt të tij, Baltjon Stambolla, për t’u ngjitur në parajsën që meritonte “shpirti i bardhë si dëborë”. Nga sa i kish thënë e ëma ajo dinte se në funeralin e mikut të familjes kishte përshëndetur edhe ajo, në këmbë të burrit, Sotirit, që nuk ishte në gjendje shëndetësore për të qenë i pranishëm. Mbas dy vitesh do t’i bashkohej mikut të Tij, atje lart në jetën e pasosur.....
Figura e babait kishte mbetur në kujtesë, e lidhur edhe me një ëndërr “profetike”, të cilën ajo ma tregonte mbas dhjetëvjeçarësh, kur në familje bisedohej për të shkuarën familjare, por edhe historike të Shqipërisë me të cilën ajo e fundit ishte lidhur pazgjidhshmërisht. Nëna e mbantë mënd mirë atë ëndërr, si atë mëngjes, kur ishte ngritur e i a kishte treguar të parit vjehrrit të saj. Tregonte nëna kështu ëndrrën e saj :
“Po rrija në oborrin e shtëpisë sonë në Tiranë. Aty ishte edhe babai im, që herë lëvizte me një farë nervozizmi e herë ulej pranë një tavoline të mbushur me gazeta e letra të tjera. Ishte një ditë me diell por që, herë herë zihej nga retë. Papritmas trokiti dera e madhe e oborrit. Shkova për t’a hapur e sytë më vajtën poshtë, në hapësirën ndërmjet çimentos e derës ku pashë një palë opinga të shqyera. E hapa derën e më doli para një plak i rreckosur me një kartëmonedhë të gjelbër dollarësh amerikanë. Më pyeti për babain, më dha atë që kishte në dorë e më tha : “Jepja babait, është një amanet për të!” Un e mora e i a çova babait. Ai sapo e pa u sul me vrull drejt derës për të takuar prurësin e kartëmonedhës amerikane, në të cilën ishte shkruajtur një mesazh : ktheni sytë nga Amerika se andej do të vijë shpëtimi. Kur babai doli në derë pa se plaku me lecka ishte zhdukur. U kthye brenda, tepër i zemëruar e më tha këto fjalë : “Po, e dij se vetëm atje është shpëtimi. Plasa duke u a përsëritur, por askush nuk më dëgjon. Duhet të kthejmë sytë nga Amerika, se vetëm andej do të vijë shpëtimi.....!” Dhe vazhdonte të lëvizte i paqetë lart e poshtë oborrit.”
Dhe tani që po shkruaj këto rreshta më dridhet mishi kur e kujtoj atë tregim të asaj ëndrre, një nga ato që shihen shumë rrallë në jetë, ndoshta vetëm një herë, e të cilave koha u rrit gjithmonë vlerën parashikuese, mbasi vërteton mesazhin e tyre. Të nesërmen në mëngjes, duke i servirur kafenë të vjehrrit, të cilin e thirrte “baba”, nëna i tregoi ëndrrën Atij. Mustafai e ndigjoi me shumë interesim, e bëri objekt bisede me miqtë e bashkëpunëtorët e tij, madje edhe me klerikë të njohur, por nëna nuk mori vesh se cilët ishin përfundimet e atyre bisedave mbi atë ëndërr që, siç duket, së fundi u trajtua vetëm si e tillë, mbasi nuk pati ndonjë pasojë praktike në qëndrimin politik.
Duke gërmuar në kujtesën e familjes, më duket e domosdoshme të shtoj pak fjalë mbi bashkimin e prindërve të mi. Miqësia dhe respekti i ndërsjelltë ndërmjet Mustafa Krujës e Sotir Gjikës, ndërmjet familjeve të tyre vazhdoi edhe mbas ndërrimit jetë të të dytit. Mustafai, kur kalonte në Bari, megjithëse rrallë, shkonte për të parë të venë e mikut të tij e fëmijët e tyre.
Kështu ai ndiqte edhe rritjen e formimin e tyre, kryesisht të Elenës që, në moshën 21-vjeçare, u diplomua me rezultatin më të lartë në Universitetin Mbretëror të Napolit për letërsi. Mustafai mendoi se ajo do të ishte një nuse e mirë për djalin e parë të tij, Petritin, i cili ishte diplomuar dhe ai për inxhinieri në Grénoblë të Francës. I shprehu mendimin e tij nënës së saj, Lillyt, e cila e priti me interes. Sigurisht, u pyet dhe vajza, që kishte filluar të jepte mësim në liceun klasik të Barit, në të cilin kishte studiuar edhe vetë. U krijua rasti që të njiheshin edhe të rinjtë, u pëlqyen, u bë fejesa, e mbas disa muajsh, në korrik 1942, edhe martesa.
Në dy vjet e gjysmë, që nga martesa e deri te ardhja e komunistëve në fuqi, nëna ime nuk njohu asnjë nga fisi i babait të saj, që vazhdonte të banonte në Shtikë, me përjashtim të një kushëriri të tij, Pandeli Gjika. Ky qe federal në Berat e përfundoi i ekzekutuar nga forcat partizane. Ndarja e nënës sime nga familja e saj, që u bë e plotë mbas 29 nëndorit 1944, përcaktoi edhe dhimbjen më të thellë që përjetoi e veja e Sotir Gjikës, që nuk arriti ta shohë më bijën e saj. Takimi i fundit ishte kur nëna ime ishte 23 vjeçe, në vitin 1943.
Për 47 vjet, ajo qe e vetmja grua italiane, në Republikën Popullore të Shqipërisë, së cilës nuk i u dha asnjëherë leje për të vizituar familjen e saj në Itali, po ashtu sikurse të gjitha përpjekjet e gjyshes sime, që andej nuk patën asnjë rezultat. Ajo vdiq e dëshpëruar, në moshën 89 vjeçare, duke marrë me vete edhe hidhërimin e lajmit të arrestimit tim.....
Ky ishte kuadri familjar që, i lidhur me figurën e Sotir Gjikës, shërbente si nxitës për t’u përpjekur për të bërë diçka në shërbim të njohjes së figurës së Tij. Në Vende normale të qytetëruara figurat që, në një formë apo në një tjetër, kanë patur veprimtari shoqërore, apo janë shquar për përkushtimin e tyre çështjes së përgjithshme të bashkësisë, gjejnë në këtë të fundit dhe institucionet e saj, interesin e nevojshëm për të mos mbetur të mbuluar nga pluhuri i harresës, por marrin vlerësimin e tyre të bazuar në studimin e shqyrtimin e veprës së tyre nga specialistët e fushës.
Në Vendin tonë, nga 1944 e këndej, ky parim i thjeshtë, por edhe i rëndësishëm i jetës kombëtare, ka marrë formën e një gjykimi politik, nga i cili varet edhe vlerësimi apo mosvlerësimi i njerëzve që, në fusha të ndryshme, kanë dhënë një farë ndihmese në ecjen e Kombit. Në sajë të këtij kriteri, më shumë racist se shkencor ose atdhetar, historia e jetës kulturore shqiptare është shtrembëruar aq shumë, sa është kthyer në një karikaturë të saj. Shembujt e kësaj dukurie janë të shumtë e rezultati është se tre breza shqiptarësh nuk dijnë asgjë për veprat e Atë Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit, Dom Lazër Shantojës, Vinçenc Prenushit, Mithat Frashërit, Musine Kokalarit, Mehdi Frashërit, Anton Harapit, Marin Sirdanit, Bernardin Palajt, Martin Camajt, Athanas Gegajt, Justin Rrotës, Zef Valentinit, Namik Resulit, Tahir Kolgjinit, Anton Palucës, Xhevat Korçës, Ethem Haxhiademit, Karl Gurakuqit, Paulin Margjokajt, Isuf Luzajt, Stavro Skendit, Arshi Pipës, Sabiha Kasimatit, Jakov Miles, Branko Merxhanit, Kudret Kokoshit e plot të tjerëve. Merret me mënd se cili ka qenë dëmi që kanë pësuar këta tre breza shqiptarësh në lëmin e formimit të tyre kulturor e të njohjes së vlerave të Kombit të tyre. Nuk e dij nëse ndonjëri nga autoritetet jo politikë, sepse ata të pushtetit të diktaturës nuk kanë patur asnjë fije ndërgjegjeje kombëtare, por të institucioneve kulturore të regjimit komunist, ndjejnë sado pak brejtje ndërgjegjeje për këtë dëm të shkaktuar bashkatdhetarëve të tyre.
Kësaj logjike “gjenocidi” kulturor të regjimit dhe inteligjencës së tij nuk mund t’i shpëtonin edhe dy gjyshërit e mi, Mustafa Kruja dhe Sotir Gjika. I pari, me një veprimtari publicistike gjysmë shekullore, nuk përmendet fare as në një “Fjalor enciklopedik”, të botuar jo në vitet 50 – 60, por në vitin 2005, nga një redaksi e gjërë studjuesish të kryesuar nga Prof. Dr. Hamit Boriçi.
Në tekstet e historisë, deri në ditët tona, quhet vetëm si “bashkëpunëtor i italjanëve dhe i fashizmit”, madje si “tradhtar i atdheut”. I dyti figuron në fjalorin enciklopedik, i titulluar “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, madje i trajtuar me mjaft objektivitet e pa asnjë paragjykim. Por ky vlerësim arrin në vitin 2005, plot 78 vite mbas vdekjes së Tij.
E vënë para një qëndrimi të tillë, krejtësisht armiqësor, të institucioneve të kulturës shtetërore, përsa i përket Mustafa Krujës dhe të një indiferentizmi deri në harresë për Sotir Gjikën, familjes i u desh një punë e madhe, për të bërë të njohur jetën e veprën e Tyre.
Për Mustafa Krujën, nëse nga një anë ishte më e vështirë të thyhej tabuja e gjykimit “historik” të veprimtarisë së Tij politike, prej 34 vitesh, të cilën historiografia zyrtare komuniste e pas komuniste e reduktonte në 13 muaj qëndrimi si Kryetar i Qeverisë shqiptare nën pushtim, nga ana tjetër, ishte në e lehtë të dilte në pah figura, në përmasat e saj të vërteta, nëpërmjet botimit të dokumenteve e shkrimeve të Tij.
Fatmirësisht, të gjitha veprat e Tij në dorëshkrim e një pjesë e mirë e letërkëmbimeve të Tij, u ruajtën me kujdesin më të madh nga motra e Tij, Znj. Angela Muka. Nga viti 2001 deri në vitin 2015, kryesisht me harxhet tona, por edhe me ndihmën e shtëpive botuese Sejko, Ҫabej, 55, e Klubi i Poezisë, kanë parë dritën e botimit 15 vëllime studimesh gjuhësore, historike, letërkëmbimesh, kujtimesh e përkthimesh. Duket se botimi i atyre librave ka patur ndikimin e tyre në krijimin e përfytyresës së vërtetë të figurës poliedrike të Mustafa Krujës. Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe shkrimet e studiuesve të ndryshëm të jetës e veprës së Tij, kryesisht të Mërgim Korçës, Ardian Ndrecës, Kolec Topallit, Aleksandër Meksit, Ledi Shamku – Shkrelit, Evalda Pacit, Nevila Nikës, Agron Gjekmarkajt, Enriketa Papës, Sadik Bejkos, Artan Lames, ribotimi i shkrimeve të studjuesve të vjetër të dalë për herë të parë tek “Shêjzat” si t’Ernest Koliqit, Zef Valentinit, Tahir Kolgjinit, Karl Guakuqit etj.
Në këtë hulli shkrimesh, jashtë kuadrit të mendimit zyrtar duhen përmendur edhe shkrime të gazetarëve të njohur si Roland Qafoku, Admirina Peçi, Besnik Dizdari, Elsa Demo etj., apo artikuj studimorë të Tomë Mrijës, Nue Oroshit, Thanas Gjikës, Illo Fotos , Ervis Reçit, Menita Ljarjes etj.
Për Sotir Gjikën, nëse nga një anë ishte më e lehtë të flitej për figurën e Tij në fushën e gazetarisë, mbasi kishte vdekur më 1927 e nuk kishte pësuar “mallkimin” komunist si “bashkëpunëtor” i pushtuesve, nga ana tjetër vështirësia ishte si një mal përpara, mbasi prej Tij, në familje, nuk kishte mbetur asgjë e shkruar. Duke qenë i nënshkruari i vetmi pasardhës i Tij, në gjendje për t’u munduar për të bërë diçka në drejtim të njohjes së veprës së Tij, ky mendim bluhej në kokën time e nuk gjente rrugëdalje. Duhej filluar një hulumtim në bibliotekat në Shqipëri dhe Itali, për të mbledhur shkrimet e Tij. Ishte një punë e cila kërkonte kohë, të cilën nuk e kisha, i zënë me punën e përditshme që duhej të përballoja për të plotësuar nevojat e familjes. Ideja vërtitej në trurin tim, deri sa një ditë të vitit 2005 një thirrje telefonike e papritur u bë një shtysë e fuqishme.
Ishte një inxhinier nga Erseka, një dashamirës i traditës kulturore të krahinës së tij, i cili donte të bisedonte me mua, pikërisht për figurën e Sotir Gjikës, njërit ndër më të shquarit bij të asaj treve. Nuk e di se nga e kishte marrë vesh se un isha një nip i Tij e kishte gjetur edhe numrin tim të telefonit në Itali. Më shprehu shqetësimin e dëshirën e tij për të bërë diçka në shërbim të njohjes e popullarizimit të figurës së Gjyshit tim. Ajo bisedë më vuri në vështirësi me veten time, me detyrën time. Më duhej të bëja diçka. Mendova t’i drejtohem z. Villy Kamsi, ish nxënës i gjyshes sime dhe mik i familjes Gjika. Ai pati mirësinë të më dërgojë një shkrim të të ndjerit babait të tij, Gjovalin Kamsi, ish Konsull i Shqipërisë në Bari, i botuar në vitin 1930, mbas më shumë se tre vjet të vdekjes së mikut të tij, Sotir Gjikës. Ai shkrim qe boshti rreth të cilit u thur shkrimi im “Përtej mjegullës së historisë”, i botuar në vitin 2006.
Që aty mori formë ideja e përmbledhjes në një vëllim të trashëgimisë së Tij të shkruar, që nuk ishte diçka familjare, mbasi në familjen e shuar nga kalimi i shumë viteve dhe peripecive të jetës, nuk kishte mbetur më asgjë nga dora e Tij. Trashëgimia e Tij ishte veprimtaria publicistike, e filluar në vitin 1911, në moshën 22 vjeç, në fletoret e ndryshme shqiptare, kryesisht “Dielli”, me që aso kohe banonte në Boston të SHBA-ës, por edhe në të tjera të përkohshme, siç shihet në faqet e këtij libri. Krahas këtyre shkrimeve në shqip, që vazhduan edhe mbas shpërnguljes nga Amerika e vendosjes në Milano të Italisë, ai pati edhe një tjetër veprimtari gazetareske të rregullt, që filloi në 6 gusht 1914, në moshën 25-vjeçare e mbaroi me fundin e jetës së tij. Në këtë drejtim është ndër të paktit, në mos i vetmi, që ka patur një bashkëpunim kaq të gjatë (13 vite) e të pandërprerë me gazeta të huaja, në rastin e Tij, italiane. Figura e tij publicistike është një shumatore e të dyja veprimtarive, në shqip e italisht, që shkojnë paralel, por edhe gërshetohen me njëra tjetrën, mbasi boshti kryesor i tyre vërtitet rreth problemeve shqiptare t‘asaj kohe.
Përpilimi i librit, pra grumbullimi i gjithë këtyre shkrimeve përbënte një punë, të cilën nuk isha në gjëndje t’a kryeja vetëm. Atëherë i u drejtova disa njerëzve të institucioneve, por edhe jo të tillëve, të cilët më ndihmuan pa u kursyer, për nxjerrjen e, pjesërisht edhe kompjuterizimin e shkrimeve. Në Shqipëri burimet e punës sime ishin Biblioteka Kombëtare dhe Arkivi Qëndror i Shtetit.
Në të parën qe shumë e dobishme ndihma e N/Drejtoreshës së saj, znj. Etleva Domi që, në marrëveshje me Drejtoreshën zsh. Persida Asllanin, më dhanë mundësi të fotografoja artikuj, për të cilët, pa ndërhyrjen e tyre, do të më duheshin dy vjet të tjerë pritjeje. Atyre u shkon falënderimi im i sinqertë e i përzemërt, për gatishmërinë e ndihmën në përpilimin e këtij libri.
Por puna në bibliotekë, nga ana praktike, pati një tjetër zotëri, i cili qe vendimtar në kërkimin dhe nxjerrjen e artikujve, në fotokopjimin dhe, në një masë të mirë, në kompjuterizimin e tyre.
Zotit Aleks Gjinaj i shpreh publikisht të gjithë mirënjohjen time për punën e madhe që ka bërë, duke më dhënë mundësinë të përpiloj këtë libër, por edhe për vëllimin “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, me shkrimet e Mustafa Krujës.
Zotin Aleks e falënderoj gjithashtu edhe për faktin që më rekomandoi të kontaktoja z. Anton Radoja, të cilit i mbetem shumë borxhli e i jam shumë mirënjohës, sepse më ka vënë në dispozicion të këtij vëllimi të gjitha shkrimet e botuara në të përditshmet e Barit “Lajmëtari i Puljes” dhe “Gazeta e Puljes”. Ai ka hulumtuar në bibliotekën e Barit, ku banon, ka punuar për një kohë të gjatë për t’i nxjerrë shkrimet nga gazeta të 80 – 90 viteve më parë, i ka fotografuar, madje i ka kopjuar e kompjuterizuar, mbasi shumë prej tyre kishin fragmente të vështira për t’u lexuar. Pa ndihmesën e tij themelore vëllimi “Detyra ime mbaron me jetën time”, do të ishte gjysmake dhe figura e Sotir Gjikës, në profilin e Tij publicistik do të ishte e mangët.
Për fotografimin e shkrimeve në Bibliotekën Kombëtare falënderoj edhe znj. Dhurata Meksi, që ka ndihmuar në një numër të konsiderueshëm artikujsh. Kjo zonjë, që është një kushërira ime e tretë nga babai, në gjithë këta vite të botimit të veprave të Mustafa Krujës, ka qënë njeriu më i afërt që më ka shtyrë, më ka inkurajuar e madje ka kontribuar edhe financiarisht në shpenzimet e tyre. Asaj i jam mirënjohës në mënyrë të veçantë në gjithë rrethin familjar timin, Zoti i a shpërbleftë këtë mirësi me hirin e Tij.
Puna në Arkivin Qendror të Shtetit, lidhet më shumë me nxjerrjen e dokumenteve, kryesisht letërkëmbimet që plotësojnë librin dhe ndihmojnë për të krijuar një përfytyruese më të saktë të figurës, personalitetit e ndihmesës së Sotir Gjikës në jetën politike shqiptare të kohës së tij e në çështjen shqiptare, në veçanti. Kjo punë ka filluar me znj. Nevila Nika, kur ishte ajo Drejtoreshë e Arkivit. Ndihma e saj ka qënë themelore për të gjitha materialet që kam marrë nga Arkivi, në lidhje me figurat e Mustafa Krujës e të Sotir Gjikës. Asaj i shkon falënderimi i familjes dhe i imi për ndihmesën bujare në hartimin e këtij libri e të gjithë atyre të Mustafa Krujës.
Duhet të falënderoj edhe z. Gjet Ndoi, pasuesin në detyrë të znj. Nika, për gatishmërinë e tij për të më nxjerrë një pjesë të mirë të letërkëmbimeve të Sotir Gjikës. Falënderimi im i drejtoheet edhe punonjësve të Arkivit, që merren me gjetjen dhe fotokopjimin e dokumenteve, gjithmonë të gatshëm, të sjellshëm, të njerëzishëm e korrektë. Ndonjë mangësi e vogël në fotokopjimin e ndonjë dokumenti, bën pjesë në praktikën e zakonshme të kësaj pune voluminoze e falet.
Kështu lindi ky libër, me ndihmesën e shumë njerëzve dashamirë e vullnetmirë, një shembull bashkëpunimi, që nuk i shërben vetëm interesave vetjake të bashkëpunëtorvet, por edhe kulturës shqiptare, e cila ka ende shumë punë, për t’i bërë të njohur lexuesve, sidomos të rinjve të shkollave, historinë e vërtetë të shqiptarëve e të Shqipërisë, veçanërisht të shekullit të fundit, e protagonistët e saj në fusha të ndryshme.
Ky libër mundohet të plotësojë një zbrazëtirë të deritanishme, në lidhje me një figurë të rëndësishme në fushën e gazetarisë dhe publicistikës, që nuk duhet të harrojmë se përfaqëson “pushtetin e katërt” në botën bashkëkohore. Libri nuk merr përsipër të pasqyrojë gjithë veprimtarinë e Sotir Gjikës që, sigurisht, është shumë më e plotë se kjo që paraqitet. Por këto qenë mundësitë që un pata, në sajë të bashkëpunimit edhe me njerëzit e sipër përmendur, për të renditur në këtë vëllim ata shkrime që munda të kem në dorë.
Titulli i librit është një frazë e Autorit, e zgjedhur prej meje nga një letër drejtuar Luigj Gurakuqit. Mendoj se jep idenë e përafërt të jetës e personalitetit të Tij. Të gjitha materialet italisht janë përkthyer prej meje në gjuhën standard, ndërsa në shkrimet origjinale kam marrë përgjegjësinë e ndërhyrjes në adoptimin gjuhës letrare të asaj të shkrimeve. Duhet mbajtur parasysh se koha e largët, kur janë shkruar, me mungesën ende të një gjuhe të përpunuar e të rregullave të përcaktuara mirë të drejtshkrimit, të shoqëruar me gabimet e shumta të shtypit krijonte mangësi, sot të papranueshme.
I kërkoj falje lexuesit për mangësitë eventuale të vëllimit, por besoj se edhe kaq sa përmblidhen në të, japin idenë e saktë të një djaloshi të Shqipërisë së thellë që, edhe se i larguar shpejt nga Vendi i lindjes, punoi gjithë jetën e Tij, të pakët në vite, për Shqipërinë.
Përgatiti: Eugjen Merlika
pages | 410 |
ISBN | 9789928132840 |
Redaktori | Eugjen Merlika |
Published year | 2017 |
Vendodhja e botimit | Tirane |
Gjuha | Shqip |
Tipi i publikimit | Libër |
Statusi | I ri |
Numri i botimeve | I parë |
I ri | 1 |
"Një fantazi e vërtetë epike... plot me shkëlqim verbues shpatash e yshtjesh që shkatërrojnë... një banket i vërtetë për oreksmëdhenjtë e fantazisë."
The breath-taking and heart-pounding fifth instalment in the incredible New York Times and UK kindle bestselling SHATTER ME series.Perfect for fans of Sarah J. Maas, Victoria Aveyard and Leigh Bardugo.
WITH OVER THREE MILLION COPIES SOLD, read the Sunday Times and No.1 New York Times bestselling, record-breaking thriller that everyone is talking about - soon to be a major film.
Një libër i këndshëm, me humor, prekës dhe frymëzues, TRUMP, PRESIDENTI ME JAKË BLU, do të jetë padyshim një nga librat më të mirë që është shkruar për presidencën e Trump-it.
Janë kujtime të vitit 1915. Në këto kujtime tregohet lufta që udhëhoqen malësorët në krye fratin At Bernardin Llupi, aso kohe famullitar në Palç, kundra ushtrisë malazeze që mësynte me coptue Shqipninë dhe me marrë veriun e saj. Sigurisht synonte Shkodrën. Shumë ngjarje të panjoftuna tregohen prej At Bernardin Llupit.
As topical today as when it was first published in 1938, The 500 Hats of Bartholomew Cubbins is the story of a young boy (the same one featured in the Caldecott Honor Award-winner Bartholomew and the Oobleck) and his unjust treatment at the hands of a king. Written in unrhymed prose, The 500 Hats is one of Dr. Seuss's earliest works, and while it may not...
The third book in the laugh-out-loud funny Kid Normal series for readers aged 8+, from radio stars Greg James and Chris Smith
The breath-taking and heart-pounding fifth instalment in the incredible New York Times and UK kindle bestselling SHATTER ME series.Perfect for fans of Sarah J. Maas, Victoria Aveyard and Leigh Bardugo.
Perfect for fans of Tahereh Mafi's New York Times bestselling Shatter Me trilogy, this book collects the first two companion novellas, Fracture Me and Destroy Me, for a thrilling insight into the minds of Juliette's two great loves - Adam and Warner.
The fantastic new YA love story from master storyteller and author of Everything, Everything, Nicola Yoon
Romani Xha Gorioi është vlerësuar si një nga shtyllat mbajtëse të Komedisë njerëzore. Ndonëse ky roman mbyllet me vdekjen e Gorioit, komedia vazhdon. Ky kontrast i fuqishëm nuk gjendet vetëm te kjo vepër, por përbën thelbin e krijimtarisë së tij.
Ky libër i sjellë nga anglishtja në shqip, pasqyron mendimin e profesorit të shquar të filozofisë, prof. Antoni Fllu. Në të tregohet se si autori, dikur një ateist, me baza të forta filozofike të skepticizmit e racionalizmit, ndryshon qëndrimin e tij në lidhje me besimin duke pranuar ekzistencën e Zotit. Sipas arsyetimit dhe shtjellimit në librin e tij,...
Në sfondin e romanit përshkruhet Ponti deri në periudhën e shkëmbimit të popullsive, homogjenizimi i racave me hallkë lidhëse, por edhe si alibi, fenë, frika, nacionalizmi dhe intoleranca që kultivuan xhonturqit dhe në vazhdim qemalistët, jeta e përditshme në vitet e para të Bashkimit Sovjetik, përndjekjet e grekëve në kohën e Stalinit, kampet e punës në...
Mjaftoi një “gënjeshtër e vogël” e mamit për pyetjen e saj se si lindin bebet, që në mendjen e Amelit të ndizej një imagjinatë e madhe, sa ndërtoi një supermarket gjigant, ku shiteshin fara bebesh… Por, si mund të shkonin ata në këtë supermarket të largët, për të blerë një farë bebeje? Këto dhe ndodhi të tjera të këndshme lindën nga disa gënjeshtra të...
Zbavitu dhe lexo këto përralla të bukura me princeshat e magjishme. Ktheji 6 librat me shpinë dhe shfaqi që të krijosh figurën me princesha.
Përmes aktit të të menduarit Dekarti na shpalos kështu mënyrën e vetme sesi mund të ndërtojmë themele të forta kundrejt njohjes, duke u nisur nga dyshimi metodik.
Në këtë libër, autorët paraqesin në mënyrë mjaft të thelluar Çrregullimin i quajtur deficit i vëmendjes dhe Hiperaktivitetit ose siç njihet në nivel ndërkombëtar Attention deficit hyperactyvity disorder (ADHD)
Libri "Integrimi i traumës dhe lëvizjet e syve" ofron një eksplorim interesant të neuroterapisë, një formë inovative terapie që integron qasje të ndryshme terapeutike si EMDR, NLP, hipnozë, Gestalt dhe përvoja somatike për të ndihmuar pacientët të kapërcejnë traumat dhe të integrojnë përvoja të vështira.
Ky libër është pa asnjë dyshim më i miri nga zhanri i botimeve të vetëndihmesës dhe vetëshërimit për faktin se fuqia e mendjes dhe potenciali i saj për të ndikuar në shëndetin dhe mirëqenin e trupit ilustrohen në mënyrë të përsosur me fakte shkencore.
Ky botim është një përmbledhje studimesh dhe artikujsh me rastin e 140vjetorit të themelimit të Shoqerisë e të shtypuri shkronja shqip. Në të paraqiten materiale që nga koha e themelimit të kësaj shoqërie (1879) si Kanonizma e Shoqërisë, Shkonjëzatë shqip pra alfabeti shqip (i njohur si Alfabeti i Stambollit), komisioni i të cilit përbëhej nga figura si...
: Përpjekja Shqiptare ishte një revistë e përmuajshme kulturore e botuar nga tetori i vitit 1936 deri në mars të vitit 1939. Ajo u botua në 27 numra dhe preku pothuajse çdo fushë të jetës kulturore e shoqërore të Shqiperisë së atyre viteve. Revista u themelua nga publicistët e njohur të kohës, Branko Merxhani e Petro Marko.
Morali i biznesit dhe tregtisë në 40 Hadithe është një libër në formën e një këshilluesi moral për biznesin.