Ora e lige View larger

Ora e lige

Tom Kuka (Pseudonim) A-004049

New product

Përshkrim i shkurtër

Në një kohë të pakohë, kur ligjin e bënte gjashtarja, kur hakmarrja ishte nder dhe dashuria turp, mjafton që ky rend të përmbyset dhe të ndodhë gjëma.

More details

This product is no longer in stock

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PEGI
ISBN9789928310019

800 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Sali Kamati, bir i një dere të madhe, i detyruar nga doket e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash sypatrembur, Sali Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. “Kënga thotë rërë”, rrëfen Sali Kamati, që kërkon t’i vihet burrëria në vend, por tashmë ajo ka marrë dhenë dhe ka shkuar gjer në oxhakun e tij, ku Dirja, e shoqja, e pret veshur në të zeza, sepse e di që radhën e ka i shoqi.

I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë punët dhe kamjen e vet që kur t’i vijë ora e vdekjes, t’i lërë të tërë të rregulluar. Fati ose ora e mbrothtë i ka caktuar tjetër rrjedhë jete, kur në shtëpinë e tij, vjen si mysafire Tusha, mbesa e së shoqes, që e mbush vatrën me frymë të re, gaz e hare. Ia çel zemrën dhe i jep jetë Sali Kamatit, por urrejtja, turpi dhe thashethemnaja që mbushin katundin do t’ia mpakin ngazëllimin, sa të mos dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një fshat i tërë që përgjon dalldinë e Sali Kamatit, mallkohet nga Ora e ligë, saqë të gjithëve u bie leskra.

Me një gjuhë kuteliane, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykimi dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit.

Fragmente nga libri

1) Krisma e thatë e theu qetësinë, që u thërrmua në grimca qelqesh mu te këmbët e tij, sikur të kish rënë dëborë. Çelo Mezani shqeu sytë sa dy sumbulla të zeza, të cilat përnjëmend po i dilnin prej kresë. Ai burrë që i rrinte ballas, i hyri drejt e në kokë nga ato dy portëza. Fustanellën e kish të bardhë si bryma e atij mëngjesi të kthjellët, opingat mbanin në majë dy xhufka të kuqe si gjaku që ia kishte ngrohur gjoksin, kallcat e bardha zhdukeshin brenda fustanellës që i mbulonte gjunjët. Mbi këmishën mëngëgjerë kish hedhur një xhamadan të zi pis si flokët e bilës që po linte të pamartuar në shtëpi. Në mëngoret e mëdha të xhamadanit zvarriteshin si gjarpërinj do fije ari. Silahu i errët me fije të argjendta ia përmblidhte belin atij gjatoshi.

2) Kjo botë është e padrejtë. Nëse i vdekuri ka nevojë për dyzet ditë që t’i qetësohet shpirti për në atë botë, të gjallit që do t’i rendë pas, i duhen 40 ditë që të flladitë mendjen, trupin e frymën para se t’ia dorëzojë Të Gjithëpushtetshmit.

3) Kur vasha kaloi në mesore, Sali Kamatit i erdhi një aromë lulesh mali, që e dalldisi edhe ashtu të kredhur në gjumë të thellë siç ish. Në ëndërr iu bë sikur bridhte për të fundit herë në lëndinat e Malit të Ajlasë. Por ai kundërmim e tërboi keq, ia ngau burrërinë deri në atë pikë sa, fare përgjumësh, kalëroi nëpër ato livadhe, teksa e pinte afshin e tij pikë-pikë si një burrë në moshë që ish; shijonte, pa kurrfarë nguti. Pas çdo gllënjke lëshonte psherëtimën e atij që kënaqet, por nuk nginjet. Djersët i shkonin çurg dhe dëshira për të pirë sa vinte e i shtohej. Rendte krua më krua, ku ndalej të pinte, hoje më hoje, ku ëmbëltohej, teksa mushkëritë i mbusheshin dengazi me aromën që pati lënë pas ajo zanë.

 

 

Data sheet

Lloji i botimitPaperback
pages142
ISBN9789928310019
Published year2019
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
RomanSagë&Histori
I ri1