Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian View larger

Esad Toptani dhe shqiptaret ne veshtrimin europian

Ervina Toptani BDI0247

New product

Përshkrim i shkurtër

Një tjetër libër për figurën më kontraverse të historisë së së Shqipërisë në gjysmës së parë të shekullit të XX. I akuzuar si tradhëtar, i ekzekutuar në një atentat në Paris, i anatemuar, por edhe i vlerësuar në anën tjetër. Ervina Toptani sjell një tjetër optikë për Esat Pashën, atë të kancelarive të huaja, të personave që e njohën nga afër. Njëherësh, ajo është përpjekur për të realizuar këtë biografi edhe duke e kapërcyer paragjykimet familjare....

More details

This product is no longer in stock

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Dituria

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Hyrja e librit nga autorja Ervina Toptani

I nderuar lexues,

Është kënaqësi të shkruaj pak rreshta për t’ju treguar shkurtimisht sesi lindi ky libër, i cili ka qenë për mua dhe vazhdon të jetë frymëzim për të kërkuar të vërtetën dhe për t’u treguar fëmijëve të mi, brezit të ardhshëm, se nëse nuk reshtim kurrë së kërkuari të vërtetën, do të jetojmë më mirë, më në paqe me vetveten dhe me të gjithë të tjerët. Kam kuptuar se nëse nuk e njohim historinë ashtu siç ajo ka ndodhur do të jemi të destinuar ta përsërisim gjithmonë atë.

Ideja për të shkruar këtë libër ka nisur vite më parë sepse gjithmonë kam pasur dëshirë të njoh më në thellësi historinë e Shqipërisë, sidomos një pjesë të veçantë të saj, ku përfshihet lindja e shtetit shqiptar, luftërat ballkanike, në veçanti lufta e Shkodrës dhe vazhdimi i kësaj periudhe të paktën deri në vitet 1920.

Jam përpjekur të mbledh dokumente të ndryshme, artikuj e studime, libra e autorë, sidomos të huaj, të cilët kanë shkruar e kanë mbrojtur tituj shkencorë nëpër universitete të njohur të botës pikërisht me këto tema.

Ata kanë shtjelluar gjerësisht disa nga problemet kryesore të Shqipërisë së atyre viteve të cilat ende kanë impakt edhe sot në shoqërinë tonë komplekse, moderne apo jo.

Kur u nisa për në Bruksel, tre vite më parë, së bashku me bashkëshortin tim me mision diplomatik, nuk mendoja se kur të kthehesha në Shqipëri do të sillja me vete dhe dorëshkrimin e një libri. Kjo jo për faktin se nuk më pëlqen të shkruaj, përkundrazi, por sepse nuk e kisha imagjinuar kurrë surprizën e bukur të një pasditeje të këndshme të shtatorit të vitit 2014 në Paris që do të më frymëzonte të shkruaja këtë libër.

Mbesa e një gazetareje të njohur franceze të viteve 1905-1940, e cila ka punuar në gazetën “L’illustration”, kishte vite që ruante ditarin e gjyshes, me dashurinë për kujtimin e saj.

Nëpërmjet një miku të familjes, belg, pata fatin dhe kënaqësinë të njoh zonjën në fjalë dhe të kem mundësinë të shfletoj ditarin 104-vjeçar të gjyshes së saj. Jam emocionuar shumë duke lexuar në kaligrafinë e bukur të një profesionisteje të vërtetë në fushën e gazetarisë disa mendime që më frymëzuan të shkruaj këtë libër. Ju kërkoj ndjesë, i nderuar lexues, për mospërmendjen e emrit të gazetares franceze, por ishte i vetmi kusht që më kërkoi mbesa e saj. Unë kam paraqitur vetëm përmbajtjen e këtij ditari, duke shpresuar se më vonë do të gjendet dikush që ta sjellë për publikun tonë emrin dhe portretin e zonjës së nderuar gazetare e cila e njihte shumë mirë Ballkanin dhe problemet e tij.

E para gjë që më erdhi në mend ishte të shkruaja një artikull, një kolonë në gazetë, por mesazhi që ky ditar përcjell është shumë më i rëndësishëm sesa një artikull gazete. Duhej patjetër të shkruaja diçka më shumë se kaq.

Dëshira për të punuar për një libër ishte e madhe por mundësia e vogël, duke nisur që nga pamundësia për ta blerë ekskluzivitetin e ditarit në fjalë. Por pas disa bisedave të gjata me zonjën që mundësoi “lejedhënien” e këtij libri, zonjën franceze që e disponon këtë dokument shekullor, dëshira ime për të shkruar një libër në vetën e parë u plotësua.

Që prej atij momenti, nuk kam reshtur asnjë ditë dhe asnjë minutë duke kërkuar dokumente nëpër arkiva të ndryshme të Europës, duke udhëtuar në të gjithë vendet që përmenden në libër, për të prekur me dorë të vërtetën që gazetarja franceze pohonte në faqet e ditarit të saj.

Në dy vite e gjysmë punë të përkushtuar mbi këtë libër, jam trishtuar apo gëzuar shumë herë, jam në mendime e jam habitur po kaq. Kam gjetur dokumente mbi vendin tonë të cilat nuk i kam parë të përmendura nga historianët tanë, gjatë periudhës komuniste e as të postkomunizmit. Kam lexuar vepra të shumë autorëve të huaj e shqiptarëve të hershëm që më kanë “ndriçuar” në rrugën drejt disa të vërtetave, libra të vështirë për t’u gjetur, që nuk citohen pothuajse askund për publikun shqiptar, por që unë i kam përmendur për t’i sjellë në vëmendje të lexuesit në këtë libër, për këdo që do të ketë dëshirën të njohë më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ka qenë kënaqësi njohja me shumë dokumente për një periudhë të veçantë të historisë tonë të arkivit të Konsullatës franceze në Shkodër që sot ruhen në Nantë të Francës.

Po me kaq kënaqësi njoha dokumente të arkivit të Universitetit të Sorbonës në Paris, artikuj gazetash të ndryshme europiane e amerikane të fillimshekullit XX.

Esad Toptani, është pashai shqiptar për të cilin është shkruar shumë pak nga historiografia shqiptare, por për të cilin është shkruar dhe folur shumë nga të huajt. Gjenerali shqiptar, komandant trupash në luftën turko-greke, në luftën e Shkodrës dhe Luftën e Parë Botërore, shpesh është quajtur figurë komplekse dhe e vështirë për t’u përkufizuar sepse njihej pak në Shqipëri.

Shqiptari më i rëndësishëm i kohës që njihej pak në Shqipëri? Në studimin që nisa në fakt më rezultoi e kundërta. Esad Toptani nuk është aspak një figurë komplekse dhe aq më pak i vështirë për t’u zbuluar.

Dokumentet mbi të janë të shumta, librat e analizat politike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kohës mbi Shqipërinë dhe Ballkanin të para në këndvështrime të ndryshme nga studiues, politikanë, analistë, gazetarë e madje dhe tregtarë të kohës janë të shumta dhe gjenden në gjuhë të ndryshme kudo nëpër Europë.

Gjenerali Esad Toptani nuk ishte i vështirë për t’u studiuar dhe as kompleks, ndoshta koha dhe rrethanat në të cilat ai jetoi, luftoi e veproi ishin të tilla.

Gjatë punës dhe kërkimeve të shumta për dokumente dhe studime që i shërbenin librit, që keni në dorë, munda të gjej një kopje të librit “Suitors and Suppliants” të autorit amerikan Stephen Bonsal.

Ky libër është i një rëndësie të veçantë për atë pjesë të historisë së Shqipërisë të cilën ne e njohim pak dhe keq. Bonsal ka qenë pjesë e rëndësishme e të gjithë punimeve gjatë Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919 (përkthyes personal i presidentit Ëilson, pjesë e delegacionit amerikan dhe si rrjedhim edhe i “Gjykatës” së luftës në vendosjen e paqes në Paris, funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë përreth 25 vite) 25 vjet pas Konferencës së Paqes, shkroi këtë libër për të pasqyruar të pathënat, prapaskenat, aleancat e fshehta dhe pazaret kur vendosej “paqja” në Europë pas Luftës së Parë Botërore.

Veçanërisht kapitulli V i librit “King Nicholas of Montenegro and Esad Pasha of Albania: The Black Mountains Folks versus the Sons of the Eagles”, është tepër interesant dhe më rezulton se ky libër nuk është përkthyer në shqip dhe nuk më duket se dikush e ka marrë në konsideratë për të njohur më mirë një pjesë të historisë tonë e cila mbetet sot e gjithë herët e errët.

Stephen Bonsal, gazetar, autor i disa librave, diplomat dhe përkthyes ka fituar Çmimin Pulitzer për historinë më 1945. Përveç shërbimeve ushtarake dhe diplomatike gjatë karrierës së tij, ai ka marrë pjesë aktualisht në Konferencën e Paqes dhe më shumë se kushdo tjetër ka shkruar që e ka njohur personalisht Esad pashë Toptanin, gjatë periudhës në fjalë.

Detyrimisht, për çdo dokument të gjetur, për çdo libër të shfletuar apo analizë më lindnin gjithë kohës pyetjet: përse figura e Esad Toptanit nuk është studiuar siç duhet? Kush fitoi vërtet nga lufta që iu bë atij? Për çfarë shërbeu vrasja e tij, e cila shënjoi rrugën e vrasjeve politike në Shqipëri? Kush e përvetësoi pasurinë e tij pas vdekjes? Përse e sulmonin kaq shumë? Përse e kanë baltosur figurën e tij keqazi përgjatë një shekulli? Çfarë përfitohet ende sot duke vazhduar në linjën e shëmtuar të përbaltjes mbi shumë figura shqiptare që e kanë shkruar historinë me punën, dhe luftën e tyre, ndër të cilët një rol shumë të rëndësishëm e ka padyshim edhe Esad Toptani?

Për afro një shekull shumë studiues kanë shkruar e servirur jo gjithnjë historinë e vërtetë të popullit shqiptar, shpesh të ideologjizuar e në mbështetje interesash klanore e krahinore, të cilët do të ish dashur që të paktën përgjatë 26 viteve demokraci të tentonin për ndershmëri intelektuale e profesionale përballë brezave, të jepnin e të bënin të ditura edhe pjesët e fshehura e të tjetërsuara të historisë sonë. Kështu kemi jetuar ne të gjithë në Shqipërinë tonë të dashur, por të trajtuar shumë keq nga vetë bijtë e saj, duke dyshuar mbi gjithçka e duke pasur versione të ndryshme “të vërtetash” mbi gjithçka.

Na mësuan të gënjejmë edhe kur nuk ishte nevoja, na mësuan gënjeshtrën si zgjidhje të shpejtë të problemeve, na mësuan të tjetërsohemi duke ndryshuar versionet sa herë të ishte nevoja.

Ka dy mënyra për të njohur vetveten, ashtu siç e njohim ne veten tonë dhe ashtu siç na njohin e na shohin të tjerët. Pikërisht një pjesë e asaj si na ka parë e njohur ne shqiptarëve Europa e bota përgjatë historisë reflektohet në këtë libër, i cili, nuk ka qenë aspak i thjeshtë për t’u shkruar, as edhe emocionalisht.

Kisha menduar të shkruaja gjatë në këtë hyrje të librit për të shpjeguar brendinë e librit që keni në duar, por e kam të pamundur të shkruaj në pak rreshta gjithë emocionin dhe përkushtimin e hedhur mbi këto fletë që më shoqëruan në rrugëtimin tim në Europë dhe udhëve të pafundme në kërkim të së vërtetës.

Nuk dua të komentoj vështirësitë e hasura dhe shpesh mendimit se nuk do të mund t’ia dilja dot në krye punës së ndërmarrë për shkak të një mijë vështirësive të panumërta. Jeta shpesh është e vështirë, e rreptë dhe aspak e dashur, sidomos kur në këto lloj vështirësish të venë ata që duhet të të garantonin sigurinë dhe mirëqenien dhe ajo çka shpesh më ka dhembur më shumë është shprehja: “jemi mësuar ne shqiptarët me vështirësi, ndryshe jeta do të na dukej shumë e bukur”. Kjo është nga ato të vërteta të dhimbshme që më ligështon, më vret tepër shpirtërisht dhe më duhet të pranoj se mbetet e vërtetë deri në fund dhe jam kaq e pafuqishme ta çbëj.

Në përfundim të librit, gjithsecili prej lexuesve, do të mundet të nxjerrë përfundimet e tij mbi ato që shpalosen në këto faqe.

Ndjehem e privilegjuar që kam punuar me një njohëse të shkëlqyer të gjuhës frënge dhe angleze, zonjën Catherine Hubert, ish-pedagoge në universitetin e Leuven-it, të cilën e falënderoj përzemërsisht.

Falënderoj të gjithë miqtë, të cilët më kanë ndihmuar të nxjerr dokumente nga arkiva të ndryshme të Europës, gjetjen e librave tepër të rëndësishëm për studimin që ndërmora dhe bisedave të gjata me ta mbi çështjet që shtjellohen në libër.

I detyrohem më shumë se një falënderim të madh familjes sime, fëmijëve të mi, Hermes dhe Eilin e bashkëshortit tim, të cilët më përkrahën e më dhanë forcë e kurajo për t’i shkuar deri në fund librit tim të parë.

Në dhjetëra udhëtime nëpër shi, të ftohtë e vështirësi të shumta (vajza ime e vogël në këtë periudhë ishte vetëm një vjeç e pak muaj dhe djali 5 vjeç) në qytete të ndryshme europiane, ia dolëm së bashku të bënim realitet ëndrrën e mamit, të dashurit e mi të vegjël.

Falënderoj përzemërsisht dhe botuesin e librit, shtëpinë botuese “Dituria”, për mbështetjen në botimin e këtij libri.

Duke ju uruar lexim të këndshëm, një falënderim i veçantë shkon për ju, të dashur lexues, që keni zgjedhur leximin e këtij libri dhe kështu të bëni pjesë tek ata njerëz që janë gjithnjë në kërkim të së vërtetës dhe nuk kënaqen vetëm me kopje të saj.

Data sheet

pages320
Published year2017
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
HistoryAlbania
I ri1