More info
I mbështetur në tekste të botuara dhe burime të shumta arkivore, historiani Margaritis trajton fatet e komunitetit hebre dhe minoritetit shqiptar çam në Greqi.Kjo trajtesë vjen në rrafshin historiko- kronologjik, që pas kryengritjes së vitit 1821, pavarësisë së shtetit grek dhe deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek që në fillimet e jetës së tij nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare.Sa i takon përmbajtjes të këtij libri, pjesa e parë me kapitujt Antisemitizmi grek: një udhëtim, 1821, 1891, 1931, Shfarosja e hebrenjve të Greqisë: Ideologjia, tensionet shoqërore dhe koniuktura, Hebraizmi grek dhe Rezistenca Antifashiste, Kisha Ortodokse Greke dhe Holokausti, Jorgos Margaritis paraqet fakte tronditëse që dëshmojnë mbi shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut.Sipas historianit helen, në Selanik antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste. Qyteti i Selanikut u bë epiqendra e dramës së hebrenjve në Greqi, e pasuar nga Janina, ishulli i Korfuzit, Volos etj. Hebrenjtë e Greqisë, padyshim u bënë pjesë e zgjidhjes përfundimtare, të cilën e frymëzuan, e organizuan dhe e realizuan nazistët në shkallë mbarë evropiane. Gjithsej, nga afro 70. 000 hebrenj grekë në vitin 1940, më shumë se 50. 000 prej tyre u shfarosën në kampet e vdekjes, pra shumë që e tejkalon 70%.