Drande Jakja - Gruaja qe sfidon fatin

Pjetër Meta PM0002

New product

Përshkrim i shkurtër

Ky libër sjell historinë e jetës tragjike të Drande Jakja nga zona e Nikaj Mërturit, e cila pas arratisjes së burrit në Jugosllavi në vitin 1949, internohet në Tepelenë. Dëshmitë e saj flasin për një kamp dhe tortura tipike naziste, ku vetëm për një natën gjetën vdekjen 33 fëmijë. Ndër dëshmitë më tronditëse është edhe historia e djalit të saj të vdekur, të cilin e mbajtur për disa javë të fshehur

More details

This product is no longer in stock

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ISBN9789928082831

500 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Thanë për librin

Kjo është një monografi, e cila i ka bërë trysni të vazhdueshme Pjetrit për të dalë në jetë dhe, tashmë, atë fatmirësisht e kemi në dorë. Në të vërtetë, brenda një libri, janë dy të tillë, ku ndërthuren dy fate njerëzore, ai që i kushtohet Drane Jakes dhe tjetri Bardhe Prekës. Titulli është mjaft sinjifikativ, njëra grua që sfidoi diktaturën komuniste dhe tjetra fatin e hidhur e të rrallë njerëzor.

Po, kemi dhe një sfidë tjetër në letërsinë dokumentare. Atë e bën autori Pjetër Meta, i cili projektorin e tij nuk e drejton nga ish-nomenklaturat partiake e pushtetore, me të cilat çuditërisht dhe në mënyrë periodike sikur t’i sinkronizonte njeri, tash 22 vjet janë të mbushura faqet e medias së shkruar dhe as me libra grafomanësh që shkruajnë rëndomtësisht e pa hesap për fise e fshatrat e tyre pa ndonjë nevojë e vlerë publike, për puse, gardhe e plot fantazira, po e drejton projektorin te njerëzit e thjeshtë, te malësorët e bota e tyre dhe, sidomos te gratë heroina të kësaj treve, që hoqën picirin nga persekucioni i diktaturës, duke dhënë fakte e dëshmi tronditëse e, shpesh herë, të pabesueshme.

Rrallë herë, këto kohët e fundit, kam ndeshur në këtë zhanër kaq shumë dramacitet sa në këtë libër, sidomos në pjesën e parë të monografisë “Një grua më e fortë se fati”, kushtuar Drane Jakes, madje do të thosha që në këtë tipologji vështirë se mund t’i gjej dot shoqe. Nganjëherë të duket sikur po lexon fragmente sa nga epika legjendare dhe ajo historike, pikërisht nga po ato vende, ku thuhet se janë ngjizur. Ngjarjet, karakteret e jeta e përshkruar ta përforcojnë këtë hamendësim, aq sa shumë gjëra me të cilat njihesh të duken si zbulime, që s’t’i ka dhënë asnjë libër historie, gjeografie e ndonjë tjetër.

Me siguri, përveç banorëve të asaj treve e disa lexuesve që kanë patur rast të njihen me këtë vepër që ka dalë kohëve të fundit, shumëkush mund të mos jetë në dijeni të jetës së kësaj burrëreshe fisnike nga Fierza e martuar në Nikaj-Mertur.

Po ka qenë mjeshtëria e Pjetër Metës që e ka nxjerrë nga anonimati, apo mjegullsia a e zakonshmja e jetës, e ka skalit portretin dhe jetën e Drandes, qëndresën e saj heroike në vendinternimet jo të pakta të saj nga njëri vend te tjetri, marrjen përsipër të barrës së mbajtjes së familjes, pas arratisjes së Vuksanit, të shoqit, kurajon, guximin, stoicizmin dhe sakrificat e panumërta e shpesh të pashëmbullta të saj, që e bëjnë të veçantë e të admirueshme këtë grua që po i afrohet shekullit.

Dhe, në këtë rast, dua të nëpërmend një fakt unikal, besoj të padëgjuar as në leximet tona e as në libra dhe, për shumëkënd e pabesueshme.

Për Dranden e të afërmit e saj është një dhëmbje e madhe, e pakrahasueshme qoftë edhe përmendja e këtij fakti, pas 60 vjetësh, po lexuesi mendoj se duhet ta dijë: kjo grua ka bërë një akt të rrallë e të padëgjuar, që vetëm një Drande Jake mund ta bënte: ka çvarrosur djalin e saj që i vdiq në internim, në Turan të Tepelenës dhe e varrosi aty dhe, për rreth 80 ditë, e mbajti djalin e vdekur në palë të jorganit me të gjitha përkujdesjet e një nëne të madhe, në Turan fillimisht, e pastaj në rrugëtimin e gjatë derisa e solli në vendlindje, në Nikaj-Mertur, bashkë me dy vajzat Zojen e Lenën si dhe djalin Nikën, që për fat, i shpëtuan gjallë.

Historia e Drande Jakes, e përshkruar në këtë libër me një vërtetësi e realizëm tronditës, në njëfarë mënyre është në miniaturë vetë historia e Shqipërisë në pesë dekadat e fundit, sidomos e të persekutuarve politikë në vitet e para të pasinstalimit të pushtetit popullor. E mbijetimit, po dhe e triumfit. Dhe, nëse jeta e saj e, për rrjedhojë libri, ka një hapy-end (fund të lumtur) kjo i dedikohet parasëgjithash kësaj gruaje heroine të heshtur, që siç thuhet në veri zakonisht, dijti ta mbajë fort mirë timonin e jetës së saj e të familjes dhe t’ia dalë mbanë në tallazet e travajet e jetës, në sajë të geneve të origjinës së saj, po dhe njerëzve që pati për krah dhe e mbështetën në mënyra e kohë të ndryshme, ku Nikë Vuksanit (babai i këngëtarit të njohur Gëzim Nika), i biri, është dhe vetë një figurë po aq interesante dhe e goditur në libër.

Për mendimin tim autori Pjetër Meta me Drande Jaken jep një kontribut të çmueshëm duke e pasuruar galerinë e personazheve të botës shqiptare e të letërsisë së saj me një figurë madhore, nga më interesantet dhe pak ose rrallë herë të ndeshur në letrat shqipe.

“Gruaja që sfidoi fatin” preston shumë jo vetëm për film dokumentar, por edhe artistik dhe le të shpresojmë që kineastët tanë t’i qasen kësaj teme e personazhi, duke lënë mënjanë tema të vockla që riciklohen e që thithin fonde të mëdha.

Kujtim Dashi, studiues, autor librash

Dëshmia e Drane Jakja në librin e saj “Dhimbja”

Ajo i ka kaluar të nëntëdhjetat, po i afrohet njëqind vjeçarit, është një grua nga veriu i Shqipërisë, një grua fisnike.., që tregon me vërtetësi jetën e saj. Ajo tregon: - Qeveria m’a filluen persekutmin që nuk m’u nda, derisa erdhi demokracia.

Drandja dëgjoi të folura nga Shkodra, nga Durrësi, Vlora, nga gjithë Shqipëria.., ishin në kalanë e Beratit.. të folurat ishin të ndryshme, por fatkeqësitë i kishin të njëllojta.. Bukë misri, me krymba supa e orizit..

-Si do t’a përballoja jetën me katër fëmijë në këto kushte? Na nisën me makina e na çuen në kamp, në Turan të Tepelenës, e na futën në kazerma, ajo ishte e shtruar me çimento. U mbush kazerma me dyqind vetë.. gra, nuse, të reja, vajza, djem, fëmijë e pleq.

Në kazerma ishin dy mijë njerëz në këtë kamp. Natën e parë vdiq një plak nga Mirdita dhe një vajzë e vogël nga Shkodra. Ishin vdekjet e para që përjetonim. Na kapi tmerri.

Vdekjet shkaktoheshin nga dizanteria, tifoja e morrit dhe helmimet.“O Zot m’i ruaj këta fëmijë”, lutesha orë e minutë. Ishte një djalë nga Kukësi, po luante. Nuk e dij pse u ngatërrua me kapterrin që i ra grusht atij djali. Muharrem Kaloshi i thonin, ishte i gjatë, i hajthshëm.

Djali u nervozue e i ra grusht kapterrit në fëtyrë. E rrahën djalin për vdekje në hetuesi të Gjirokastrës, të nesërmen e sollën të vdekur në kamp. Vdekje, vdekje çdo ditë, çdo natë në mëngjes, në drekë e në darkë.

Një kamion me të internuar ishte rrëzuar në kthesat e rrugës për në Turan.. Kishin vdekë burrë, grua e një foshnje. Një tjetër aksident në Këlcyrë, kishin vdekur burrë e grua..,fëmijët mbetën jetimë. Një minë që nga koha e luftës plasi, vdiqën dy veta. Një djalë të ri nga Tropoja e liruan, po priste që të vinin e t’a merrte familja, u ba copa copa nga mina. Ishte vëllai i Abedin Mulosmanit.

Vdiq dhe një plakë nga Kukësi. E shkreta mbante Ramazan, ishte me agjërim. Plasi bomba e nuk arriti të hajë ushqimin. Një burrë që transportonte landë drusore, e kishin zanë trupat nën vedi e dekë për gazep. Jetova bashkë dhe me dy gra të reja nga Mirdita, me Gjelën dhe Mrikën...

Kishin dy vajza Prena e Dila, ishin tre vjeçe.. U sëmurën të dyja nga tifoja e morrit dhe vdiqën.. I varrosëm pranë njëra -tjetrës. Por më tragjikja ishte vdekja tragjike e një familje nga Vermoshi i Shkodrës. Një nuse e re i kishte dalë burri në Mal të Zi, e kishin internue e jetonin me ne, në një kazermë. Kishte dy binjakë nga një vjeç e gjysëm. Cukalinë e quanin, ishte boll e bukur e selvi. Ju sëmurën djemtë, njeri i vdiq në mëngjez, tjetri në darkë. Të nesërmen e varrimit, në mëngjez herët e gjetëm të varun në një litar në fund të kazermës.

Ditën tjetër kunata e saj, motra e burrit, vari veten po n’atë tra. U shua një familje... Nuk asht se veç kemi pa, por kemi jetue me fatkeqësinë e atyne njerëzve. Po jeta e jonë? U bamë tremijë vetë në kazermat e Turanit.

Vetëm në Gusht të vitit 1949, kamionë me mirditorë u shkarkuen nga ato makina, si të ishin bagëti, qindra burra, gra e fëmijë. U shtua numri i njerëzve, u rrit numri i vdekjeve. Ushqimi u bë më i keq.

Për pastërti nuk bahesh fjalë. Të gjithë luteshin tek Zoti, por me kushtet që shteti komunist kishte krijuar për ne.., dimën pa zjarrm, pa dritë, në borë e në shi, pa ujë, e pa la e ndrrue, kurse në verë në atë vapë me të përvëlue, me rroba natë e ditë të palara, mbush kryet e krejt trupin me morra, ushqim që nuk të ushqente, por të helmonte.

Kam vuejtë shumë me këta fëmijë. E siç kam pa keq unë, kanë pa keq e vuajt qindra e mijra femna shqiptare. Po siç kemi pa një natë, në fund të Gushtit të atij viti (1949), kurrë nuk ka ba vaki. Kam ndigjue mbas disa vitesh për kampet e nazizmit e thosha me mend “a thue edhe ky Enveri atje paska mësue”?

Për njëzet e katër orë kanë vdekë në kampin e Turanit tridhjetë e tre fëmijë. Në çdo cep të kazermave, mrena e jashtë veç britmë e vaj ndigjojshe. Hidhërim të madh për vdekjen e atyne vocrrakëve, në këtë humnerë të qeverisë dhe dëshpërimi i thellë i familjeve, nuk mjaftonte koha për të hapur vorre. Ushtarët bënë një gropë të madhe dhe i hodhën foshnjet mrena një nga një si të ishin pula.

Femnat, nanat e reja mbas gardhit me tela, shihnin të tmerruara. Zefi i vogël kishte fillue me ecë, e fillue me folë. Ishte i shkathët, i bukur, krejt si i ati - Vuksani. Por një natë e shoh djalin gërmuq. E mora ndër duer. Çfarë të baja? Ku të shkoja? Qumështi i gjinit më ishte shtërrue, e asnjë lloj ushqimi tjetër nuk kisha. Po i therte barku e kjo po i shkaktonte të vjella. Pas pak minutash e kapën kriza të forta. Nuk fjeti gjithë natën. Asnjë nanë nuk vuni gjumë në sy.

Fëmijët e mi qanin e përqafonin Zefin e vogël. Kur po ndahej nata me ditën, në agshol (në agim) dha shpirt. Unë mbeta ashtu e ngrime, pa gjak e pa zemër. Shkova në skajin e varreve italiane, që ishin vra gjatë luftës italo - greke. Ishin njëqind, në çdo kry varri kishin një kryq çimentoje. Gërmova dheun, midis dy varreve, e çova gati një metër, e shtrova me gurë, bana në të dy anët një mur rreth dy pëllëmbë.

- Dita që varrosa atë djalë, ka qenë dita ma e lodhshme e ma e trishtueshme e jetës time. Më zihej fryma e nuk më banin sytë dritë. U përqafuam me vuajtjet e dita ditës, përqafoheshim me vdekjen. Po na vdiste shpresa. Na dërguan në kampin e Tepelenës, që ishte i rrethuar me gjashtë renda tela me gjemba. Në çdo kazermë dyqind të internuar. Nuk kishte as ndriçim, as ngrohje.

Urija e sëmundja bënin kërdinë. Burrave dhe djemve mbi pesëmbëdhjetë vjeç u kërkonin normën, në prerje trupa e drurë. Kur nuk realizonin normën i mbanin natën në pyll. Ne, gratë e vajzat, transportonim me shpindë dru të njoma, të rënda plumb, nga malet e Turanit, të Bençës e të Dragotit.

Rruga ngjitje e zbritje në ato male ishte torturë e vërtetë. Ktheheshim në kazermë, të lodhura, të rraskapitura, të lagura që të ftohti na shkonte deri në palcë. Na çonin dhe në punë të tjera, transportonim gurë me karroca dore me rrota hekuri e me tezga. Në vend të kalit tërhiqnim gurë.

Erdh një ekip, printe një oficer trupmadh, por në moshë, me spaleta të gjana, me tre yje. E bana zemrën gurë e dola para derës së hyrjes. Hera e parë që po më binte rasti me folë.- Jam nga Katundi Btoshe i krahinës Nikaj - Merturit. Hyni partia e burri i jem mbeti në Jugosllavi... I çova fjalë burrit “Mos u mundo me ardhë me më marrë se nuk vij e ty po të vrasin në kufi”. Kisha vendosë me vdekë në vendin tim, me këta fëmijë. Katër pata e një e kam të vdekun në Turan.

Jeta këtu është krejt çnjerëzore. Dyqind fëmijë, pleq e plaka kanë vdekë në këtë kamp... E ma shumë se dyqind të tjerë po “hanë” dhé në Turan, me djalin tem.

-Çfarë bahet kështu? - Nuk ka ditë që s’vdesin nga dhjetë veta, prej sëmundjeve e prej urije.

Shumë më kishte ashpërsue internimi, e ç’ka kishin me më ba ma keq? Mbas dy javësh më erdhi lirimi. Vajza, Zoja, ishte njëmbëdhjetë vjeçe. E mora me vedi. Ishte mesnatë. Hana si ditë m’drekë, e morëm rrugën për në Turan, tek vorri i djalit. Gërmova e gërmova.., duart m’u banë dru e gishtat më kullonin gjak.. Kur zbardhi dita, shkepi rrezja e diellit.

Kam pa atë çarçaf të bardhë, si ditën që e kisha vendosë mbi gurë. I kam zbulue fytyrën. O Zot i madh, nuk kishte ndërrue. Si kokrra e arrës që rrin n’terun. Fëtyra e zbehtë, sytë e paluem si në gjumë, flokët të bukur ngjyrë gështenjë.., as erë, asgja prej gjaje. E mblodha veten. U përkula, i futa të dy duart në të dy anët nën trupin e djalit, e nxora e lëshova në një çarçaf e mbështolla mirë.

Gjithë rrugës ecja me nxitim, me vetulla të vrame (të mvrenjtura) e me pamje të ashpër, mos me guxue kush me folë me mua. E strehoi për shtatë javë, në mes qindra të internuarve e dhjetra oficerëve, pa u rënë në sy. Donte t’a rivarroste atje ku kishte lindur.

- Kështu e mbajta shtatë javë, në palë të jorganit. Çdo të dielë në mëngjez, shumë herët, bashkë me Zojën, e lanim në ujin e ftohtë djalin e vdekun. E fshija me peshqir, e i lyeja me raki gjithë trupin.

Me shumë mundime u largova nga ajo skëterrë, e kampeve të Tepelenës, ku jeta dhe vdekja shkriheshin bashkë. Tash po e provoja në shpirt kush ishte liria. Mbas do vjetësh mora vesh që burrin tim Vuksanin, vetë i treti e kishin vra duke kalue kufinin për në Jugosllavi. Ajo thotë: - Që ditën që m’i fali Zoti këto fëmijë e deri në këtë dekik (minutë) nuk kurseva as trupin, as shëndetin, as rininë, as bukurinë.

Nuk u mposhta para vuajtjeve, vështirësive e fatkeqësive. Ruejta nderin e moralin e nuk e ula kryet para kërkujt, e ruejta të pacënuem krenarinë time personale, por edhe të racës teme e të racës së burrit, për të pa këtë ditë vajzat e martueme e me fëmijë e djalin e martuem që ka pesë djem. Nuk më mbetet gja merak, për ç’ka kam luftue e kam realizue në jetë.

Është jeta e një gruaje shqiptare, që u bë më e fortë se një burrë, me dashurinë e pakufi për fëmijët, bëhet e pathyeshme, investon të ardhmen, i hap rrugë vazhdimimësisë së jetës.., vazhdon përjetësia..

Data sheet

pages152
ISBN9789928082831
RedaktoriKujtim Dashi
Published year2016
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
Përmasat14.5x20.5