Mendimi kritik i një qytetari View larger

Mendimi kritik i nje qytetari

Gilman Bakalli PE0216

New product

Përshkrim i shkurtër

“Mendimi kritik i një qytetari” është një përmbledhje me publicistikën e zgjedhur të autorit, që botohet me rastin e dyvjetorit të ndarjes së autorit nga jeta.

More details

3 Items

Warning: Last items in stock!

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PEGI
ISBN9789928233158

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Në këtë përmbledhje janë “fotografuar” momente të ndryshme të politikës, etikës, moralit, fesë, mediave etj. të shoqërisë shqiptare gjatë këtij “tranzicioni të përhershëm”. Në trajtimin e çështjeve, autori ka zgjedhur si model të tijin të preferuar mendimin kritik.

Me anë të mendimit kritik autori analizon dhe vlerëson informacionet, duke na dhënë një mënyrë për të mësuar zgjidhjen e problemeve të jetës. Falë përvojës së tij si pedagog, i specializuar në shkencat e komunikimit, nëpërmjet mendimit kritik ai bazohet në përpjekjen për të marrë vendime të paanshme, ku vlerat themelore janë: qartësia, rregulli, saktësia dhe provat.

Duke u bazuar në rezultatet e fundit të psikologjisë konjitive edhe Bakalli, si shumë edukatorë modernë, mendon se është më e dobishme (sidomos për studentët), të praktikojmë një mënyrë të menduari kritike sesa të mësojmë përmendësh një sasi të madhe informacionesh.

Ai e sheh mendimin kritik si aftësi konjitive: të proceseve të njohjes së kuptuar funksionalisht; pra për t'i përdorur këto aftësi si një udhërrëfyes për sjelljen tonë. Prandaj mendimi kritik nuk përfshin vetëm marrjen dhe memorizimin e informacioneve e nuk përfundon në zotërimin e një ose disa aftësive që do të përdoren vetëm një herë, por përkon me përdorimin e këtyre aftësive që do të zbatohen në vazhdimësi.

Për të arritur një mendim kritik, autori nuk ndjek një radhë hapash të detyrueshëm: ai paraqet opinionet e ndryshme mbi çështjen që është duke shqyrtuar, duke e analizuar atë në çdo aspekt. Duke shqyrtuar argumente që përdoren për të mbështetur çështjen ai e nënndan çdo argument në përbërësit e tij themelorë, pra në propozime të thjeshta dhe vlerëson pasojat e çdo propozimi.

Gjatë leximit shohim se si autori mundohet të zvogëlojë paragjykimet në mënyra të ndryshme, ai shpesh shtron pyetje të cilat fillojnë me përemrin pyetës “çfarë” si: “Çfarë do të thotë kjo?” në vend që të mbetet i gozhduar në pyetjen “Si është e mundur që kjo gjë është në kundërshtim me atë që kam besuar gjithmonë?”.

Paragjykimet, stereotipet dhe iluzionet konjitive vazhdojnë të veprojnë në mendjen njerëzore me prepotencë e futen deri në shpirt, por një mendimtar kritik duhet të jetë në gjendje të dallojë situatat në të cilat është me vend t’i frenojë.

Leximi dhe studimi i përmbledhjes së publicistikës së prof. Bakallit është sigurisht një ushtrim i vlefshëm për të zhvilluar mendimin kritik.

Fragmente nga libri

1) Mbas gjashtëmbëdhjetë vitesh pluralizëm, që vetëm pluralizëm nuk mund të quhet, një gjë shihet me siguri: alternativa progresiste nuk pati e nuk ka. Këtij populli nuk iu dha asnjëherë mundësia të zgjidhte alternativën më të mirë, sepse ajo nuk iu ofrua asnjëherë, por thjesht alternativën më pak të keqe. Kjo është diçka me të vërtetë pikëlluese. Nëse demokracia është fjalë, premtime, kongrese e konferenca partie, mitingje, shoë televizivë, postera që vlejnë miliona, atëherë mund të themi pa frikë se realiteti ynë politik është më demokratiku në botë. Por, mjerisht, e dimë që nuk është kështu. E djathta duhet të jetë e djathtë, e majta duhet të jetë e majtë. Nëse e djathta dhe e majta janë duar, trupi mbetet të jetë populli. Nëse dora e djathtë bën punën e së majtës dhe e majta bën punën e së djathtës, atëherë i tërë trupi humbet ekuilibrin dhe nuk bën dot përpara. Dhe ky është qëllimi: të bëjmë përpara.

2) Nuk dimë të diskutojmë pra, sepse thelbi ynë dhe i politikës sonë nuk është logosi por patosi. Prandaj kemi pasur dhe kemi me bollëk poetë, por pak filozofë. Jemi gjenialë në patetizëm, por të vobektë në arsyetim. Nuk dimë të diskutojmë sepse, në thelb, nuk e pranojmë pyetjen. Nuk pyesim! Duam të shkojmë në Evropë, por jemi të vetmit evropianë, të cilët vendosmërinë e tyre për diçka e shprehin duke thënë “nuk pyes unë!” Mirëpo kush nuk pyet, nuk pranon dialektikën dhe pa dialektikë nuk ka as debat e as konflikt.

3) Teatri i politikës shqiptare është mbushur me dashnorë mediash, me dashnorë të fjalës së lirë, me flirtues, me tundues e përdhunues të fjalës së lirë, të cilët fjalën e lirë e konsiderojnë si e drejta për të shpërndarë në hapësirë budallallëqe dhe ligësi. Pa u ndëshkuar, sigurisht! Skena e këtij teatri pret prej kohësh të dashuruarit e fjalës së lirë. Të dashuruarit me fjalën e lirë! Ato që, fjalën e lirë e ndjekin nga pas, pa mundur ta kapin asnjëherë e që bash për këtë arsye s’reshtin së ndjekuri

4) [...] virtyti që na ka munguar, ose më mirë që nuk është manifestuar edhe me aq dinjitet që nga koha e rrëzimit të diktaturës, është guximi qytetar. Kemi parë guxim në mosrespektimin e ligjit, guxim në shkeljen e të drejtave, guximin në arritjet e niveleve të reja të korrupsionit, guxim në zgjerimin e përmasave të kriminalitet, guxim në tjerrjen e mashtrimeve të mëdha financiare, etj. Pra, kemi parë gjithfarë mutacionesh të konceptit mbi guximin, por atë lloj guximi që lipset për një vend demokratik, atë për të cilin ia vlen të flitet përnjëmend, atë që e shtyn përpara një shoqëri njerëzore, nuk e kemi parë.

E kam fjalën për guximin qytetar.

[...]Në një shoqëri të përparuar njerëzore, ka vetëm një lloj guximi, ai që quhet guxim qytetar.

5) Identiteti në Shqipëri është gjithnjë në modë dhe do të vazhdojë të ngelet në modë. Ai është një armë e komuniteteve numerikisht të vogla kulturore e fetare, të cilat, të frikësuara se mos zhduken në detin e madh të komuniteteve numerikisht dominuese e ushqejnë histerikisht kultin e diferencës. Por në të njëjtën kohë, identiteti është një armë edhe në duart e komuniteteve numerikisht të mëdha kulturore e fetare, të cilët ushqejnë dëshirën e lavdërueshme për t’i kthyer vëllezërit në shtëpinë e Zotit të tyre.

Qeveritë e shteteve të varfra e duan identitetin për ta mbajtur popullsinë të nënshtruar edhe pa ia siguruar mirëqenien e premtuar, ashtu si edhe qeveritë e shteteve të pasura e duan identitetin sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e kufijve. Shkurt, identiteti është gjithmonë në modë dhe, sa më fiktiv të jetë, aq më shumë adhurohet ai.

6) Sot, në shoqërinë e konsumit, duhet pranuar se ekziston një farë prirjeje për ta minimizuar rolin e librit që buron nga ritmet e reja të jetës, rritja e vrullshme e mundësive për informacion, nga përparimi galopant i elektronikës dhe teknologjisë në përgjithësi, nga zhvillimi dhe imponimi i pandalshëm i kinematografisë, nga rritja e mundësive për t’u dëfryer nëpërmjet gjithfarësoj mënyrash të tjera, etj.. Emocioneve të dikurshme që na shkaktonte kontakti me librin, ia kanë zënë vendin lirshmëria dhe qetësia e ftohtë, me të cilin lexuesit e shfletojnë një libër, i hedhin një sy të shkujdesur para e prapa (ku ndodhet çmimi) dhe e hedhin mbrapsht mbi tezgë. Natyrisht pa harruar të bëjnë edhe gjykime dhe komente për cilësinë e dobët të letrës, shkrimtarit, përkthyesit, çmimit të lartë etj...

7) Një libër tradicional është si një organizëm i gjallë, i cili merr frymë, mbart mbi vete shenjat dhe aspiratat e kohës së tij. Është memorie dhe dëshmi shpirtërore dhe filozofike e një epoke, e një brezi të caktuar. Kur prekim një libër të shtypur në letër, na duket sikur prekim personazhet e ndryshme, dhimbjet, vuajtjet, gëzimet, sakrificat e tyre. Përveç kësaj, kush mund ta imagjinojë një shtëpi pa bibliotekë personale? Vetmi absolute! Një libër i shkruar në letër është një mysafir i shtrenjtë dhe i përhershëm në bibliotekën time personale.

 

Data sheet

Lloji i botimitPaperback
pages344
ISBN9789928233158
Published year2018
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
Përmasat22 x 33
I ri1