Femijeri e thinjur

Zhaneta Barxhaj A-008926

New product

10 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ALBAS
ISBN9789928375766

800 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Parathënie

Në një rikthim të kujtesës, në romanin “Fëmijëri e thinjur” autorja duket se bën një katarsis me veten, atë që në fakt duhet të jetë një detyrim vetjak, po aq dhe kombëtar. Romani ngjet me një masë prushi të ndezur, që në ndjesinë e parë kërkon ta flakësh tej nga duart. Duket një kujtesë e hidhur, sepse çdo bashkëkombës do të preferonte që ai vit i mbrapshtë më mirë të mos kishte ekzistuar në kalendar. Mjerisht, ajo kohë është aty si apel që thërret gjithnjë për t’u ulur në gjunjë e për të menduar me gishtin ngulur në tëmtha.

I ndarë në dy vija paralele, romani nis nga një pikë gjeografike mu në zemër të trazirave të atëhershme. Trajektoret e tij do të ndahen për t’u bashkuar pothuaj sërish në një qytet të huaj. Ky roman, në kompozimin letrar dhe gjeografinë e tij artistike nuk përfshin asnjëherë të huaj në ngjarjet e tij, por vetëm shqiptarë, edhe kur ngjarjet ndodhin në qytetin grek, larg Shqipërisë. Është një element në të cilin respektohet ideja bazë e romanit; e keqja u lind nga ne dhe vazhdon të jetë brenda nesh.

Përse duhet ky roman, që kumbon ngjarje të asaj periudhe të mynxyrshme nga e cila tashmë jemi kaq larg kohërisht dhe shpirtërisht? Ndonjëherë, koha dhe arsyet në të cilën e për të cilat botohet një libër, janë të pavarura nga krijuesi. Ashtu si përftimet e subjekteve që nuk dihet nga vijnë e që na shfaqen për t’u çliruar prej tyre.

Viti 1997 ka qenë një vit në të cilin janë ndryrë kaq shumë ngjarje të hidhura, sa mund të përfytyrohet një grua-vit e mbetur shtatzënë me të keqen. Dhe e gjitha kjo, parë nga sytë e një fëmije që u rrit para kohe në atë katrahurë baruti e gjaku anekënd vendit.

Përfytyrimi i ngjarjeve më tragjike si lojëra fëmijësh, moskuptimi i tyre e në këtë moskuptim-kuptim vjen ngadalë adoleshenca si rrokje e ndërgjegjes së vetvetes, përbëjnë padyshim dëshmi artistike. Por një dëshmi që vulos një dokumentacion historik të trishtë dhe të dënueshëm. Letërsia, ndërkohë, bën atë që duhet të bëjnë arkivat dhe prodhon kronika. Letërsia është mbi dosjet, sepse ngacmon thellë te njeriu ndërgjegjen me zeje, që arkivat e ftohta e të thata nuk i prekin dot.

Në arkivat e atij viti do të gjejmë dosje me raportime për repartet ushtarake që u braktisën, u dorëzuan përballë bandave etj, por në asnjë dokument, asnjëherë nuk do të gjejmë të tregohet se ushtari, duke ikur, flak kapotën me kokën kthyer pas dhe me sytë të përlotur për çfarë po lë atje.

Asnjëherë në arkiva nuk do të gjejmë gjyshe që te vendi i shenjtë, në një zgavër guri, iu luten perëndive të ndalojnë dorën e së keqes mbi sho-shoqin. Nuk do të gjejmë as metaforën e kësaj lutjeje. As kuajt të shtrirë në qendër të qytetit duke dhënë shpirt të bërë shoshë nga plumbat. Në asnjë arkiv nuk flitet për vjedhjen e miellit dhe faljen e cigareve në mortin e qytetit buzë detit të goditur nga një tragjedi si e Otrantos, det të cilit njerëzit i hidhnin lule, që të zbuste zemërimin.

Letërsia tejkalon arkivat, kur flet për endjet e shpirtrave mbi eshtrat e fëmijëve nëpër tunelet e municioneve apo për Elbën dhe qindra shoqe të saj të vjedhura në mes të rinisë e të bëra kurban për prostitucionin. Letërsia është mbi arkivat, kur rrëfen sesi turma njerëzish gjuanin me armë qiellin, si për t’u hakmarrë ndaj Zotit.

 “Fëmijëri e thinjur” është roman dykahesh. Në të pasqyrohet, si në film, një vit nga jeta e një qyteti. Duket si miniatura e Shqipërisë së tkurrur, mishëruar brenda një vendi të vogël, ku gjithçka që ndodh nënkupton një kontekst më të gjerë gjeografik e shtetëror, që vjen nëpërmjet lajmeve televizive ose rrëfimeve të të tjerëve. Ndërsa parja dhe shqyrtimi i ngjarjeve nga optika dhe imagjinata prej fëmijësh, rrëfimin real e ngre në art.

Hera-herës, në sfondin e ngjarjeve të romanit, autorja sjell legjenda të vjetra shqiptare, i përfshin ato në ngjarjet reale, por kjo ndodh në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me artin e duhur, dhe nuk “kërcet” aspak si një element i huaj, as shmang fokusin nga boshti i ngjarjeve. Përkundrazi, ai vit e ato ngjarje që e kapërcejnë mendimin normal të njeriut të zakonshëm, vetëm me koracë mitike mund të vishen sot e gjithmonë, sa herë të sillen në kujtesën individuale dhe popullore.

Nuk e kuptojmë kurrë nëse romani i kushtohet Elbës, apo djalit të vogël që ai vit e bëri me shpejt burrë. Në këtë kuptim, raportin e tyre më pëlqen ta perceptoj si një vazhdim të jetës sintetizuar në marrëdhënien mashkull-femër. Ka keqardhje për këtë vazhdim esencial të ndarë mes dy protagonistëve që shpëtimin e gjejnë jashtë tokës së tyre, jashtë vullnetit të tyre. A ishte kjo një arratisje e vërtetë kombëtare, apo një arratisje nga vetvetja, që ne shqiptarët e kërkuam dhe nuk e gjetëm më kurrë?

Një fëmijëri e piketuar, e ndarë mes njohjes së kalibrit të armëve dhe një dashurie të pamundur, të vjedhur e të arratisur. Nostalgjia për rini – fëmijërinë e humbur përgjithmonë dhe përgjegjësitë e mosnjohura kurrë për atë marrëzi që ndodhi.

Në këtë kuptim, romani i Zhaneta Barxhaj është një materie letrare thellësisht politike. Me një nuhatje të lartë estetike, pa përmendur asnjëherë fjalën politikan, ajo arrin që nëpërmjet jetës së thjeshtë të një qyteti, të ngrejë një akuzë dhe të hapë një gjyq të madh, ku dëshmitarë thërret edhe ata që s’kanë jetuar ato kohë aty, por që fare lehtë mund të jemi edhe të akuzuar, edhe akuzues. Sepse përgjegjësia është e të gjithëve.

Këtë roman e kam shijuar shumë, edhe pse kaq shumë larg tij në çdo kuptim. Është një krijim që duhet ta shijojmë së largu dhe së afërmi. Mbi të gjitha, të reflektojmë mbi të. Të rishqyrtojmë sa larg shkuam me marrëzinë tonë kombëtare, dhe sa e vështirë, por po aq e nevojshme, është të rigjejmë vetet e copëtuara e të shpërndara anekënd një herë e përgjithmonë...

Ernst Fischer thotë se, “në një shoqëri të kalbur, arti, nëse është i vërtetë, duhet të pasqyrojë kalbjen dhe nëse nuk dëshiron të thyejë besimin e njerëzve me funksionin e tij shoqëror, duhet ta tregojë botën si të ndryshueshme dhe të ndihmojë për ta ndryshuar atë”.

Në këtë kuptim, autorja kryen një akt të lartë jo vetëm estetik.

BUJAR ALIMANI

Nju-Jork, korrik 2022

REVIEWS

“Është e vërtetë që toka dhe natyra jetojnë me shpirtin e njerëzve që rrinë në të”. Këto fjalë të autores në romanin “Fëmijëri e thinjur”, rrokin thelbin e krejt monologut dramatik në këtë rrëfim ngjethës. Monologimi nuk ngërthen vetëm zërin e një personazhi, por të një brezi të tërë të humbur. Ky tekst është autobiografia letrare e personazhit rrëfimtar dhe biografia e një populli. Rrëfimi u përngjan peizazheve të trishta që zgjohen përmes fjalës. Befasuese dhe absurde ngjarjet në këto peizazhe, po aq sa befasues dhe jehonë e absurdit bëhet rrëfimi. E dërrmuar harta shpirtërore e Shqipërisë së asaj kohe, e dërrmuar gjendja shpirtërore e rrëfyesit dhe lexuesit. Kjo e fundit është pa dyshim arritja e Zhaneta Barxhajt në këtë roman: saga e saj e dhimbjes si autore bëhet saora saga e vetë lexuesit. Teksti nuk ka pezm në ngjizjen e situatave. Janë situatat e rrëfyera me vërtetësi lakuriqe, ato që e krijojnë pezmin gjatë leximit. As nuk akuzohet kurrkush. Në këtë mënyrë jemi të gjithë të akuzuar. Jemi fëmijë të thinjur të një epoke mjerane, në një atdhe mjeran, që në vend që të mësojë të thinjë tragjeditë, thinj pa pikë mëshire të ardhmen e tij.

Toka dhe natyra e peizazheve të tragjedisë 97 është një tatuazh që mbetet i freskët në shpirtin e lexuesit që për më tepër nuk e ka përjetuar atë kohë si dëshmitar okular. Këtij lloj lexuesi madje i krijohet pështjellimi se dëshmia ka qenë prej kohësh brenda tij, por ai thjesht ka heshtur për të mos lënduar të tjerët përreth.”

Alisa Velaj

"Një periudhë e ngulitur për keq në ndërgjegjen e kombit, e sjellë përmes vështrimit qortues të një fëmije, të cilit iu nëpërkëmbën e iu thinjën ëndrrat atëherë kur ato duhej veçse të lulëzonin. Një fëmijëri a rini e gjymtuar, si pasojë e shoqërisë ende të papërgatitur për të ndenjur mbi këmbët e veta e që s'di të orientohet në çastet më të vështira të ekzistencës së saj. Pas ardhjes në letërsi përmes një poezie të spikatur, ku shquhet menjëherë finesa dhe eleganca e vargut, Zhaneta Barxhaj ia del të jetë vetvetja edhe në prozën e gjatë, me një frazë të pangarkuar nga teprica të panevojshme, duke ruajtur raportet mes elementeve kyçe të romanit, dialogut konçiz e kompozicionit të zhdërvjellët, si treguesit më të qenësishëm të stilit të saj."

Thanas Medi

Data sheet

pages189
ISBN9789928375766
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë