Princi i gjullurdise View larger

Princi i gjullurdise

Simon Vrusho BXH0110

New product

Përshkrim i shkurtër

Ky liber konsiderohet si nje nga reflektimet me te bukura qe publicisti Simon Vrusho ka bere mbi natyren e shqiptarit, duke analizuar ne detaje figuren e Haxhi Qamilit, ne raportet qe nderton individi me bashkesine dhe krizen e perfaqesimit

More details

20 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

UEGEN
ISBN9789928036032

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Përshtypje shkruar nga Balil Gjini për librin

Një nga librat më të bukur që ka shkruar Simon Vrushoja është pa diskutim “Princi i gjullurdisë”. Ndalojmë një çast dhe soditim këtë titull të përbërë prej dy fjalësh. Na duket si një gjallesë gjithë drita lëbyrëse, gjithë fekstitje e vezullime në krahë. Janë dy fjalë që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, por që, nga përqasja mes tyre, ka lindur ajo bukuri që e shikojmë kur kundrojmë gjëra me thelb të ndryshëm: akullin dhe zjarrin, drizat dhe manushaqet. Është ai rast kur, kur siç thotë Leautremaunt, kemi martesën e një çadre shiu me një makinë qepëse. Këtë togfjalësh mund ta shikojmë edhe si një gjallesë të përbërë nga dy pjesë kontroverse: pjesa e parë, “Princi”, mëton ta tërheqë trupin drejt Perëndimit, Europës, pjesa e dytë, “gjullurdia”, drejt Lindjes, Azisë. Është një luftë midis pjesës së sipërme të trupit, ku është edhe koka, dhe pjesës së poshtme të tij, ku është barku. Fatkeqësisht, këtë luftë te ne e ka fituar gjithmonë barku. Thamë që estetiksht togfjalëshi ka një dritë lëbyrëse, i ngjan një fluture, tek e cila bashkëjetojnë me njëra-tjetrën një krimb toke dhe flatrat e një zogu.

Është e çuditshme përse Simon Vrushoja e ka shkruar këtë libër me pseudonim. Pseudonimi, si topos, ka diçka mistike, të padeshifrueshme dhe ndonjëherë mund të të kallë drithërima frike. Duke qenë ilegal, ai të kujton minoritetet, sektet, rrugicat e ngushta dhe qorrsokakët, flakën e zbehtë të një qiriu, duart që afrohen mbi të e betohem me përgjërime e përshpirtje. Njeriu, për një mijë e një arsye, mund të zgjedhë vetë të kalojë me minoritetet. Mbase sepse i pëlqen dobësia e tyre, ai ankim i përjetshëm që ata kanë ndaj fatit dhe rendit të gjërave, por edhe sepse njeriu, nga vetë natyra e tij, i pëlqen të jetë mazohist, pra, i pëlqen më shumë rrotullimi i bisturisë mbi plagë sesa fashat dhe pambuku mbi të. Simoni ishte arumun, i përkiste një minoriteti dhe, në një shoqëri si e jona, gjithë trauma e krekosje nacionaliste, ai duhet ta ketë ndjerë këtë. Por ai mund ta ketë zgjedhur edhe për të qëndruar në breg, dhe, që prej andej, mund ta tregonte shoqërinë me gisht edhe t’i thoshte: fatmirësisht unë s’bëj pjesë tek uniformiteti yt monoton.

Frojdi, duke folur për jetën e Leonardo da Vinçit, thotë se ai i ka lënë të papërfunduara shumë nga tablotë e tij. E gjen shpjegimin te fakti se kur Da vinçi ishte i vogël, nëna e kishte braktisur atë dhe, tashmë, si reminishencë, si pavetëdije e zgjuar, edhe ai braktiste fëmijët e tij, domethënë tablotë artistike. Meqë të gjithë s’mund të jetojmë dot pa modele, dua të kujtoj se edhe Simonin e kishte braktisur e ëma, dhe ai është rritur me të atin. Në shumë shkrime, ai do të flasë me respekt për të. Por, personalisht, mendoj se ky nuk është rasti i tij.

Në përgjithësi, njerëzit që merren me shkrime ndahen në njerëz të aksionit, veprues dhe në njerëz pasivë, joveprues. Mendoj se Simoni ka qenë një shartesë mes të dyve: veprues në jetë, pasiv në letërsi. Sa herë dehej nga veprimi revolucionar, ai shkonte te lavamani dhe villte aty ndodhitë, episodet. Atë që e bënte në ngut me të tjerët, e bënte me qetësi kur ishte i vetëm. Zakonisht, këta njerëz, kur u neveritet aksioni, me një inat të justifikuar i turren fjalës me mjetet dhe pajisjet e një zdrukthëtari: e zdrugojnë, e limojnë, e fshijnë dhe e fërkojnë me dyll gjersa të marrë formë të përkryer. Ata janë stolisësit dhe argjendarët e fjalës. Besoj se në një çast të tillë ka lindur edhe Princi i Gjullurdisë. Fjala, instrumenti me të cilën Zoti krijoi botën, merr te ta kuptime zanafillore. Përmes fjalës njeriu që shkruan krijon një botë të re dhe vetvetiu bëhet rivali i Zotit. Te Princi i Gjullurdisë kemi rastin të shikojmë se si fjala përdoret me cilësitë e një atleti, të një kërcyesi si larti, pra, si një shkop bambuje, për t’u hedhur nga njëra-kohë në tjetrën.

Nuk ka fjalë më të bukur për të shprehur gjithë zallamahinë dhe katrahurën tonë mendore sesa fjali “gjullurdi”. Ajo është e gjitha rropulli, bark dhe zorrë. Gjarpri i zanafillës, thotë romancieri i parë europian, Rabëleja, qëndron brenda barkut të njeriut dhe quhet zorrë. Gjullurdi! Shikojmë ato “u” lebetitëse brenda kësaj fjale, dhe, për shkak se fjala merr format rizomatike të një druri, mund t’i dëgjojmë edhe si gurgullimat e zorrëve në barkun e një të urituri, edhe si buçitjet e shkulmave të ujërave të një përroi malor, por edhe si ulërima ujqish. Kjo fonetikisht, sepse studiues të ndryshëm kanë vënë re se fjala, në vetvete, ka ngarkesë. Fjalët që kanë brenda tyre zanoret A, E, janë fjalë të çelëta, të hapura, të gëzuara, kurse ato me U, Y, janë fjalë të zymta të mbyllura.

Zgjedhja e fjalës gjullurdi nga ana e Simonit ka qenë diçka e mençur dhe e zgjuar. Që nga Bogdani e gjer te Naimi, nga Noli e Konica, ua ka plasur buzën ky vend që s’bëhet, por që rri vazhdimisht plazmë pluskuese mbi ujëra. “Jakë o ditë që lind andej nga perëndon”, thoshte Naimi; “Shqipëria do të bëhet, por ne s’do të jemi”, thoshte Konica, “Shqipëria do të shesë karafila në Itali”, thoshte Medi Frashëri. Por jo. Shqipëria ja tek është përsëri: kasolle kallamash në mes të ujërave, arixheshke e bukur gjithë nishane e rruaza të rreme, aty, mes rrëmujës e gjullurdisë së botës. Nuk është e trishtuar. Përkundrazi, duket se e shijon torturën dhe mjerimin.

Me ç’duket e keqja është më e madhe. Njeriu është i pakënaqur nga zhvillimet e shoqërisë, nga ajo ku ka dashur të shkojë dhe ku ka mbërritur në të vërtetë: “Për Xhenet u nismë, sosmë në Xhehnem/Shqipëri moj zuskë/ ç’na bëre verem”, shkruan Kadareja. Vargjet mund të ishin për vetë globin. Gjithçka është një gjullurdi e vërtetë. A mund të ketë një shpëtim? Shpesh ai kërkohet te të kthyerit mbrapa, te një Apokalips. Përciptazi mund të themi këtu se në periferi të Jerusalemit, në një luginë ku, sipas fjalëve të Biblës, do të bëhet gjyqi i fundit, një fondacion amerikano-hebre, është duke pritur që njëra nga pesëqind lopët e ruajtura aty, të lindë demin e kuq të Moisiut, shenja e sigurt se Apokalipsi po vjen.

Këtë ide teologjike për të shpëtuar nga gjullurdia e kanë bërë të tyre shumë nga ata që janë vetë shkaktarët e saj: shihni termat e tyre: fillim i ri, rilindje, për herë të parë. Ç’do të thotë “Për herë të parë?”. Do të thotë që gjëja apo fenomeni të jetë i pandotur nga qytetërimi, do të thotë të kthehesh mbrapa në kohë, pra, të kesh duart e pastra dhe të dëlira të Zotit.

 

Ndonëse gjithë pesha semantike e togfjalëshit qëndron mbi pjesën e dytë të tij, pra, mbi fjalën gjullurdi, pesha e vërtetë, ajo e ëndërruara, qiellorja, e blujta, qëndron te fjala princ. Për shkak të shëmbëllimeve rizomatike, për të cilat flet Deleuze, ajo të sjell në ekranin e kujtesës disa imazhe njëherazi: Princi i Errësirës, për të cilin flasin profecitë e Nostradamusit, po kështu edhe atë të Apokalipsit sipas Gjonit. Por mbi të gjitha të sjell ndër mend princat shqiptarë, ata të cilët ekzistonin para se të vinin haxhiqamilët dhe gjullurdia e madhe.

 

Simon Vrushoja e jetoi jetën larg triumfalizmave dhe brohoritjeve të turmave. I pëlqente të shikonte anën qesharake e të përkohshme të gjërave e fenomeneve dhe të zbavitej me to. Kjo filozofi e bënte të ishte i përunjur si një shërbëtor hebre. Kishte një neveri të shprehur fare qartazi ndaj së rëndomtës e vulgares, ndaj atyre njerëzve, që, ndonëse i kishin zhytur duart gjer në bërryla në pleh, i tundnin ato lart si t’i kishin shandanë të bardhë kishe. Kjo gjë e bënte atë të ishte një princ i vërtetë…

Data sheet

pages88
ISBN9789928036032
RedaktoriGent Arianiti
Published year2022
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveRibotim
I ri1