Kostandinopoja

Edmondo De Amicis LG0048

New product

Përshkrim i shkurtër

Nuk ka një libër të dytë kaq të vlefshëm për kryeqendrën e Bizantit. Nobelisti turk, Orhan Pamuk thotë se “libi më i mirë i shkruar për Stambollin është i një autori italian, Edmondo De Amiçis.

More details

10 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Argeta LMG
ISBN9789995617836

900 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Ky libër vjen në shqip me përkthimin e Luan Omarit. Vepra ka një parathënie nga Umberto Eco.

Ky libër është konsideruar një kryevepër mjeshtrore e epokës viktoriane. Autori italian e zbuloi Stambollin që në fund të shekullit të XIX dhe e paraqiti atë me të gjitha detajet. Ky libër shërbeu si dritare për Perëndimin i cili nuk e njihte edhe aq në detaj Perandorinë Osmane.

Edmondo De Amiçis rrëfen udhëtimin e tij në Stamboll, duke treguar eunukët, konkubinat flet për Topkapinë e Shën Sofinë, për Pazarin e Madh dhe Bririn e Artë, për Urën e Gallatës dhe Xhaminë e Sulejmanit, për magjitë e humbura të të “Qytetit të pakrahasueshëm”.

Pjesë nga Parathënia e Umberto Eco-s

Është një faqe e Horhe Luis Borhesit (Jorge Luis Borges) (Historia e luftëtarit dhe e robinjës, në Alef) ku flitet për Droktulftin, një barbar longobard që mbërrin me tribunë e tij në dyert e Ravenës, për ta rrethuar dhe pushtuar qytetin. Droktulfti vinte nga pyjet e vendit të vet, ishte “trim, naiv, mizor”, banesat e vetme që njihte ishin kasollet në pyll, dhe për herë të parë po shihte një qytet.

Duhet përfytyruar kur pak nga pak shquan në horizont muret dhe kullat e Ravenës dhe shikon diçka që s’e kishte parë kurrë.

Siç na rrëfen Borhesi, ai sheh qiparisat dhe mermerin, një tërësi që është e shumëfishtë por jo e çrregullt, një organizëm i përbërë nga shtatore, tempuj, lulishte, shtylla dhe kapitele, hapësira të rregullta dhe të hapura. Shikon njëfarë mekanizmi të ndërlikuar, që nuk e di ende ç’do të thotë, por në synimin e të cilit pikas një mençuri të pavdekshme.

Dhe në këtë çast, Draktulfti bie më gjunjë dhe e deklaron veten të mundur nga ajo gjë të cilën kish shkuar për ta pushtuar dhe shkatërruar. I lëbyrur sysh nga zbulimi i Qytetit, i braktis njerëzit e tij, lufton (dhe vdes) për Ravenën. Udhëtimi për në Stamboll që nga lashtësia e deri sot, përbën një gjini letrare me rregullat e veta, dhe parashikon gjithmonë mahnitjen e mbërritjes. Besoj se po të lexosh përshkrimet e panumërta të mbërritjes në Stamboll gjen gjithmonë përsëri habinë e longobardit legjendar.

Ndoshta sepse ka qytete brenda të cilave gjendesh menjëherë, pa pasur kohë për t’i shquar së largu (si Londra, Roma, Parisi), dhe qytete të tjera që i sheh të dallohen pak nga pak (mendoni për Nju Jorkun, si kur mbërrin nga deti ashtu edhe nga autostrada e aeroportit).

Stambolli sigurisht i përket llojit të dytë, të paktën për ata që – dikur – mbërrinin atje nga deti. Anija, si në rastin kur vjen nga Bosfori ashtu edhe kur vjen nga Dardanelet, për të hyrë në Bririn e Artë i duhet ta tregojë qytetin nga pika vrojtimi të ndryshme, të bëjë rreth tij një lundrim sikur je mbi një karrel kinematografik.

Nga të gjitha përshkrimet e mbërritjes në Stamboll, më kinematografiku është ndoshta ai i një autori më pak të njohur botërisht se Nervali, Gotieja (Goutier), Floberi (Flaubert) apo Lotia (Loti): është fjala për Edmondo De Amiçisin.

Në Itali të gjithë fëmijët (të paktën që nga viti 1886 deri në brezin tim janë formuar me librin “Zemër”, që tani është prirja për ta konsideruar (dhe jo pa arsye) si të stërngarkuar me ndjenja të mira. Por De Amiçi ishte edhe një gazetar i shkëlqyer dhe këtë e provon “Kostandinopoja” (1887), një reportazh jo fort i njohur, por shumë i bukur, që më ka shoqëruar gjatë udhëtimit tim të parë në Stamboll. Edhe unë, si De Amiçisi, këtë udhëtim e kisha vonuar për vite me radhë, për arsye të ndryshme, të gjitha të rastësishme, duke vazhduar ta ëndërroja këtë qytet nëpërmjet fotografive apo gravurave, pikturave dhe tregimeve, madje edhe nëpërmjet hartave të lashta. Ka qytete ku mbërrin rastësisht, ka të tjera për të cilat përgatitesh për një kohë të gjatë, duke përzier erudicionin dhe fantazinë.

Në Stamboll mbërrita kur dija ndoshta shumë për të, kështu që, për të rigjetur qytetin e vërtetë, më duhej të gërmoja si një arkeolog nën atë Stambollin tim shumë personal që e kisha krijuar për shijen dhe përdorimin tim vetjak. Veç kësaj, duhet gërmuar edhe në qytetin që na e kanë krijuar të tjerët.

Fakti që në Stamboll unë kam mbërritur duke mbajtur parasysh librin e De Amiçisit sigurisht ka qenë një fatkeqësi, sepse ai ka parë diçka që unë nuk mund ta shihja më. Para së gjithash ai pati mbërritur në rrugë detare, pas nëntë netësh lundrim, çka është një përgatitje e mirë mistike për njoftimin që kapiteni u jep natën e fundit udhëtarëve: “Zotërinj! Nesër në agim do të shohim minaret e para të Stambollit”. Udhëtari De Amiçis fle shumë pak, ngjitet përsëri në kuvertë posa dallon nga dritarja e kabinës vezullimin e agimit, dhe mallkon për zhgënjimin sepse ka mjegull.

Por kapiteni e qetëson. Pikërisht ajo mjegull do ta bëjë edhe më të bukur hyrjen. Anija po drejton ende bashin nga Ishujt e Princave, dhe, me shpejtësinë e asaj kohe do të duhen edhe dy orë derisa të mund të ankorohet më së fundi në Bririn e Artë. Pra, afrimin në qyteti e gjerb me gllënjka, duke e shijuar pak nga pak.

Pas një orë lundrimi kapiteni tregon një pikë të bardhë, majën e një minareje shumë të gjatë, pastaj pak nga pak në këmbët e minares vizatohen profilet dhe ngjyrat e disa shtëpive, majat e minareve të tjera që dalin në pah ngjyrosen bojë trëndafili, nën shtëpitë zbulohen pak nga pak muret, të errëta me kullat e tyre, por qyteti duket ende sikur shtrihet në një rrafshinë, si një radhë shumë e gjatë dhe e njëtrajtshme ndërtimesh.

Dhe pastaj befas, midis mjegullës “një hije vigane, një masë shumë e lartë dhe e lehtë, ende e mbuluar me një vello avulli, që ngrihej në qiell nga maja e një lartësie dhe rrumbullakohej triumfalisht në ajër, midis katër minareve të pamata dhe të holla, majat e argjenduara të të cilave shkëlqenin në rrezet e para të diellit”. Ishte Shën Sofia, dhe kushedi sa gjë e bukur do të kishte qenë ta shihje të dilte befas nga hiçi, papritmas.

Data sheet

pages200
ISBN9789995617836
RedaktoriDonika Omari
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiLuan Omari
HistoryEuropa