Diten n'diell e hane View larger

Diten n'diell e hane

Hasan Muzli Selimi A-000206

New product

Përshkrim i shkurtër

Në këtë botim poetik gjejmë lidhjen e beftë mes fjalëve, idiomën origjinale gege, imazhet e bjeshkëve, lojës së jetës, ku autori është vetvetja. Që në titull shënohet nënshtresa dhe mbishtresa. Hasan Selimi dëshmon pjekuri poetikenervngacmues tek lexuesi dhe një botë shpirtërore që rrok   marrë me vete  udhëtimin poetikfaqe për faqe.

More details

This product is no longer in stock

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Botimet Enea's
ISBN9789928306043

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Hasan Muzli Selimi në jetë ka ushtruar profesionin njeriut të ligjit. Në vazhdën e traditës së Malësisë së Gjakovës si klerik Hasan Muzli Selimi zotëron gradën e shehut sufi. Prej vitesh Hasani është autor librash me poezi, tregime dhe me ese mistiko-filozofike.

Në këtë botim të ri me titull “Ditën n`Diell e Hanë” Hasan Muzli Selimi sjell poezitë e tij më të fundit.

Po të ndaleshim për një përcaktim të talentit të tij poetik, do të thoshim se Hasan Muzli Selimi shkruan një poezi të shprehësisë moderne, një poezi të shlirët nga metrat, nga strofat dhe rimat, me një gjuhë larg nga ajo e poetëve të “shkolluar” në fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Tiranës. Një poezi kjo e buruar, origjinale në shumë nga treguesit e saj. Një poezi pak e vranët, larg zbukurimeve të jashtme formale të rekuizitave tradicionale të poezisë, madje, e xhveshur prej tyre.

Në brendësitë e kësaj poezie monokolonë gjejmë risitë e befasitë e saj të pjekura, të qëndrueshme, lidhjen e beftë mes fjalëve, ngjeshjen fort të fjalëve dhe të frazave, metafokrikën, lartësimin imagjinativ, idiomën origjinale gege, detajin e pakonsumuar, imazhet e bjeshkëve në vorbullat e stinëve e të motit, të kullave, të mjediseve të banuara, të lojës së jetës, të mortit e të dasmës, të fëmisë, të të riut e të plakut.

Duke qenë poezi pa asnjë fije prej jashtësisë së këngëtimit folklorik, pa kadencat, pa ritmet, pa retorikën e fryrë të folkut, kjo poezi në substancën dhe në filozofinë e saj mbetet thellësisht e rrënjësisht kombëtare. Madje identiteti i autorit, edhe i yni, bëjnë ballë në shumë nga këto poezi që sjellin një lëndë që rrjedh drejtpërsëdrejti nga “pusi i së shkuarës” (term i Milan Kunnderës), lëndë që buron nga skemat mitike që katragjyshat tanë i kanë vendosur brenda nesh. Sipas kësaj ideje, identiteti ynë është i depozituar brenda nesh nga gjyshërit tanë të lashtë. Ne vetëm duhet ta nxjerrim me veprimet tona. Ne prandaj jemi të tillë dhe jo ndryshe se mbajmë gdhendjet e shekujve në gjakun tonë. Hasan Muzli Selimi ka një gjerdan poezish me këtë temë, me këtë konceptim. Ai nuk ka reflektuar filozofikisht me terma të racionales. Duke ndjekur teknikën teologjike të sufijve, i ka dhënë krahë meditimit që hap portat prej rrënjëve të brendësisë në jashtësi; është vetëshprehur me mjetet e poezisë. Ka ndjekur rrugët e daljes, e shfrimit të brendësisë, nëpërmjet dyerve të hapura të së pavetëdijshmes. Ja, përse ajo që të vetëshprehesh, të hapesh katërsh, ndonjëherë është më e mirë sesa ajo që të meditosh npërmjet rrugëve të shkelura nga poetë të tjerë paraprijës. Me kësi maniere Hasani pohohet se është vetvetja. Ai dëshmon se e gjen rrugën edhe me tahmin, me instinkt, edhe nëpër errësirë.

 

Njeriu i bjeshkës mund të jetë pjesë e realiteteve të tjera larg saj, por brendësia e tij si ajo e mureve prej guri të kullës, brendësia e tij si ajo e bjeshkës plot me lëndë e drunj mbetet përherë e pandryshuar. Ai në formimin e tij është gatuar aty dhe përherë do të jetë banor i ngulur kullës, i malit.

 

Në dy prurjet e tij kryesore, krahas poezive me temën e kullës, të traditës (kreu me titull “Bjeshkën e kam parë”), për të cilat folëm më lart, vjen dhe tema e poezive të fluturimeve mistike, të fluturimeve në tri nivele, në tokë, nën tokë, në det e në qiell. Janë fluturime që e dimensionojnë qenien në realitete alternative, me atë që jetojmë. Mbase një plotësim i asaj që realizojmë në përditësi, mbase ridimensionim i asaj që jemi të prirur për të pushtuar realitetet që vetëm në mistikë i zotërojmë, mbase ëndërrimi pakufi dhe lojcak i fëmijës që më një tog rëre ngre kështjella që vallëzojnë me retë. Një natyrë fëmijërore e përjetshme kjo e jona, ngase kemi një çelës në tëmthat tona, i cili mund të çelë të tjera treva kur nuk jemi të kënaqur me tokën, kur hidhërimet na jashtësojnë sa të arratisemi prej saj në akuj e në shkretëtëtira.

Hasan Muzli Selimi poet e ka shumë të lehtë këtë aftësi për t’u çvendosur në trashendencë. Ka disa çelësa që me lehtësi i hapin dyer në ato botë të tjera që ne na erren ose për ne botë të tilla nuk ekzistojnë.

Në këtë libër “Ditën n`Diell e Hanë” që në titull shënohet nënshtresa dhe mbishtresa… ajo që ditën për diell mund të jesh, të përjetosh dy realitete njëherësh: realitetin e planit real dhe kapërcimin në atë realitetin tjetër që të shfaqet përmes mediumit poetik. Ajo që e bën të veçantë këtë poezi është lehtësia e kapërcimit nga njëri plan në tjetrin. Është aq i lehtë dhe kaq i pranueshëm ky kapërcim, ky të jetuar “këtu” dhe “atje”, në dy realitete, sa do të thoshe se kjo manierë është tipar i rëndomtë dhe madje i domosdoshëm i të jetuarit të cilitdo prej nesh. Jo vetëm që është i lehtë dhe i pamundimshëm ky këmbim planesh, por ai është pjesë e pandarë e natyrës sonë, e mënyrës se si ne mund të jetojmë kësisoj e jo ndryshe. Zogjtë për nga natyra jetonë lehtësisht në tokë dhe në qiell, peshqit jetojnë vetëm në ujë. Ç’ndodh me njerëzit? Njerëzit, tokësorët njerëz, me fantazi i kanë shpikur vetes jetesën nëntokë, jetesën edhe në gjumë, të jetuarit në pasvdekje, në ferr a në parajsë. Jeta mund të ridimensionohet sa këtu mbi tokë, në ajër, po aq dhe në qiell, në mbas vdekje, edhe më tej… mbi ujëra, në oqene… në ëndrra.

Kjo që thashë mund të shijohet në vargjet e këtij libri në kreun e tretë me titull “Parajsa e humbur” .

U ndala në këtë fjalë paraqitëse të librit në veçanti në këto dy motive themelore të tij për të vënë gishtin në atë çfarë është thelbësore në këtë poezi.

Libri ka dhe motive të tjera si ato mbi përditshmërinë, mbi dashurinë, mbi jetën dhe mbi vdekjen.

Hasan Muzli Selimi ka një mënyrë të vetën të shkrimit të poezisë, të trajtimit të temave, të qendrimit stoik ndaj tundimeve dhe njëherësh i të qenit i hapur, pjesë e bukurive dhe e të gjitha dukurive të jetës.

Dr. Sadik Bejko

Data sheet

Lloji i botimitPaperback
pages160
ISBN9789928306043
RedaktoriSadik Bejko
Published year2020
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë