Reduced price! Kodramel View larger

Kodramel

Shkelzen Zalli ADA0025

New product

5 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ADA
ISBN9789928362056

380 Lekë

-24%

500 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

More info

Pena e Shkëlzen Zallit është e njohur për studiuesit e letërsisë shqipe. Emri i tij është shumë i njohur për lexuesin, kryesisht lexuesit e vegjël. Ky i fundit është rritur me poezitë e tij të spikatura, të cilat dallohen për magjinë e fjalës artistike dhe madhështinë e mesazhit poetik, që këto poezi kanë përcjellë ndër vite.

Kësaj herë shkrimtari Shkëlzen Zalli vjen para lexuesit të vegjël, krejt ndryshe, pasi lëvron një zhanër tjetër nga poezia, atë të tregimit, duke ia dedikuar pikërisht botës së fëmijëve. Tregime të lëna në dorëshkrim nga shkrimtari, të cilat do shikojnë dritën e botimit, përmes bashkëshortes së tij, Vjollcës.

Libri i parë që do botohet pas vdekjes së shkrimtarit, mban titullin: KODRAMEL-Kujtime në tregime është një tjetër ‘dashuri pa kushte’, që do u dhurohet fëmijëve, si një ‘buqetë’ mesazhesh njerëzore. Kjo përmbledhje me tregime e shkrimtarit nga Tropoja, nis pikërisht me shpjegimin e emrit të tij, pasi mali i Shkëlzenit frymon hijerëndë, në vendlindjen e shkrimtarit, nga i cili ka marr frymëzimin poetik, mbase edhe vetë mali i Shkëlzenit, ka qenë herë pas here muza e tij çudibërëse, në krijimin e letërsisë për fëmijë.

Poeti nuk iku nga kjo botë e shkurtër për në jetën e përtejme, pa e lënë të ‘trashëguar’ në letër prejardhjen e emrit të tij, ku ai vete e shpjegon kështu: “Shkëlzen, vend i shkelur nga zanat”, pra vendi ku rrinë zanat”. Kushdo që e viziton këtë vend të bekuar nga Zoti dhe Dervish Luzha, është e pamundur të mos jetë për një çast poet, aq përrallor dhe në një njëjtën kohë aq real është ky vend.

Ky libër nis me poezinë: Kreshniku i vogël në shpellën e legjendës. Bota e fëmijëve ngjason me poezinë e Shkëlzenit, ku shpesh herë ka gjetur pikë prerje me botën e tyre të bukur.

Një qenie e vogël si fëmija përballet me të panjohurën e madhe, që quhet ‘BOTË’, e ku për çdo gjë, e ka nga një pse, prandaj bota e fëmijëve ndryshe quhet edhe bota e një mijë e një pse-ve.

Të rriturit e kanë më të vështirë të gjejnë përgjigjet e përshtatshme, pasi fëmija i ruan në ‘laboratorin e tij të kujtesës’, ashtu siç i dëgjon nga i rrituri. Kreshniku i vogël në shpellën e legjendës është një ‘thesar dijesh’ për çdo fëmijë, që e lexon. Duke njohur rolin ndikues, që përrallat kanë në zhvillimin e intelektit të fëmijës, shkrimtari Shkëlzen Zalli nuk ‘përton’ të gërshetojë elemente të legjendës me përrallën në situata të jetës së zakonshme, ku fëmijët janë pjesë e saj. Sipas shkrimtarit Zalli, ndërthurja e këtyre elementeve, për botën e fëmijëve do të thotë zhvillim i imagjinatës së tyre, duke u krijuar një ndjeshmëri të lartë artistike për botën që i rrethon.

Përmes përrallës fëmija mëson, mëson dhe vetëm mëson. Të njëjtën gjë ka pasur për qëllim edhe shkrimtari Zalli, pasi në një titull ka shkrirë tri elementë të rëndësishëm të përrallës, si: kreshnikun, shpellën dhe legjendën.

Kreshniku në të njëjtën kohë është edhe emri i djalit të vogël, pra emër heronjsh legjendarë. Efekti i kohës është i papërcaktuar, pasi kufiri i të jashtëzakonshmes me të zakonshmen nuk mund të ndahet, si në vargjet: “Epo, legjenda qenka vet çudia, Sa banon te shpella sa dhe te shtëpia”.

Në këto tregime të Shkëlzen Zallit jepen këshilla për jetën, për virtytet, për familjen, për ndërtimin dhe vlerësimin e shoqërisë, për edukimin, për kuptimin e filozofisë së jetës njerëzore dhe të bashkëjetesës së njerëzve me kafshët. Kujtojmë tregimet, si: “Arra që e mori përroi”, “Libri magjik”, “Takimi me kreshnikët”, “E kisha një lahutë më krahët e shqiponjës”, “Lahuta”, “Drenusha e vogël që u kthye si nënë”, “Ardhja e vogëlushit të kaprollit”, “Tregimet e gjyshit kur ‘nuk ishte gjysh’, etj. Të ushqesh fantazinë tek fëmijët është një ndër investimet më të mira, që mund t’i bëhen ndërtimit të personalitetit të tij. Vitet ngelin po aty, pa lëvizur, për aq kohë, sa edhe vetë legjenda jeton e gjallë ndër ne.

“Pas ballit të plakut që fliste aq dendur, u hap një portë e madhe prej guri e gdhendur”. Një fëmijë për tu rritur nuk i duhet luks më shumë, sesa dashuri. Thonë se fëmijët i rrit dashuria, ata vijnë prej dashurisë, rriten prej saj dhe ushqen nga ajo. Tregimi: Tregimet e gjyshit kur “nuk ishte gjysh”, ku si simbolikë e këtij tregimi është veza, si për të thënë se gjeneza e çdo gjallese vjen nga ‘veza’, e pa të nuk do kishte jetë.

Tregimi: Arra që e mori përroi, i cili është një tregim sa simbolik aq edhe filozofik, pasi simboli i arrës na kujton formën e trurit të njeriut. Çdo njeri, sipas autorit duhet ta dijë rëndësinë e fjalës së duhur dhe përdorimin e saj në vendin e duhur. Mençuria e këtij tregimi përmes mesazhit që ai përcjell dhe simbolikës, së përdorur është mese e arritur, e cila duhet të përçohet ndër breza për vlerat më të larta njerëzore, që duhet të karakterizonte një individ.

Rëndësia e arrës si simbolikë në këtë tregim është e gjithë pema e jetës e parë në tërësi, ku ndër të tjera Zalli do shkruante: Arra ime, ra në valën e ftohtë të rrjedhës. Valë që s’di çfarë vlere mban në përkundje. Nuk e di se brenda asaj lëvozhge nuk është një thelb të cilin mund ta hajë çdo ketër i uritur. Nuk është një thyeje e kockës mbështjellëse për ta futur në botën e ëmbëlsirave. Nuk është një kupë roje për rinimin e fytyrës apo pastrimin e aortës drejtë zemrës, por është një pyll me të ardhme.

Në tregimin: E kisha një lahutë me krahët e shqiponjës, shkrimtari krijon tregim brenda tregimin, nga historia e Pinokut të ndërtuar nga trungu i lisit, kjo dëshirë e babait të tij, për të pasur një trashëgimtar, që të vijojë vija e mbiemrit të tij, e ku Zalli shkruan identik kështu: Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se edhe leckat e trupit nxirrnin tym nga kjo dëshirë. Dashurinë e tij për një trashëgimtar e ktheu lisin në shpirt dhe shpirtin e tij në fëmijë…. E veçanta e këtij tregimi ishte kujdesi i autorit për t’u dhënë shpirt objekteve, – ku prozatori, – thotë shkrimtari,- u fut kosën fjalive të tij për të gdhendur sa më bukur një figurë fëmije mbi fletën e hartimit. A quhen fjali të vdekura?! Jo! Fjalët kanë jo nëntë shpirtra si macet, por një milion. Shkrimtari Shkëlzen Zalli e pikturoi me fjalë traditën shqiptare, duke filluar nga lahuta, shqiponja, Ajkuna, Omerin, Lugjet e Verdha, Kreshnikët, legjendat dhe Zanat. Kjo kujtesë historike e autorit në trajtën e tregimeve për fëmijë, ua bën të mundur atyre njohjen paraprake të historisë, të folklorit, të trashëgimisë kulturore shpirtërore, kujtesë, të cilën kërkon të ua trashëgojë brezave. Shkëlzen Zalli përmes tregimit: E kisha një lahutë me krahët e shqiponjës, ka ‘qëndisur’ më së miri shqiptarizmin në zemrat e të vegjëlve. Një libër ky, i cili mund të ua sugjerojmë të gjithë fëmijëve, të cilët kanë lindur dhe jetojnë në diasporën shqiptare, pasi aty i gjejnë të pikturuara me metaforat më të gjetura, rrënjët e veta, tokën shqiptare, prejardhjen e tyre, të prindërve të tyre apo edhe të gjyshërve të tyre. Autori kërkon njëlloj sikur edhe Martin Camaj ka frikë se nipat kur të rriten nuk do dinë t’u bien lahutës. Ky tregim i qëndisur nga një muskul lisi, siç e quan Zalli, me simbolin e shqiponjës. Pikërisht në tregimin e titulluar thjesht: Lahuta shkrimtari brenda një tregimi të shkurtër, ka thënë gjithçka, kur shprehet se brenda asaj dërrase gjendet bota. Ky tregim është një krijimtari për historinë e shqiptarëve ndër shekuj, ku toka dhe deti janë bërë në jo pak raste shkak për pushtime dhe luftime, për vënien e dramave jetësore në skenë, për ballafaqimin e jetës me vdekjen, apo edhe për kopjimin e një detyre nga telefoni. Tregimi i Lahutës ka brenda vetes rrëfimin për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen, për kohën klasike dhe kohën moderne, për mundësinë e madhe, që të jep teknologjia e informacionit dhe jo vetëm. Në tregimin: Drenusha e vogël që u kthye si nënë, autori jo pa qëllim na sjell një tregim të tillë, ku gjallon jetesa në bjeshkë. Tropoja, vendlindja e Zallit dallohet për bjeshkët e larta, të duken sikur nga luginat e këtyre bjeshkëve do dalin nga çasti në çast kreshnikët e eposit shqiptar. Shpeshherë e kemi dëgjuar shprehjen bjeshkë e vrrí, pra verimi i fëmijëve në bjeshkë gjatë verës, të jep një ndjesi të veçantë, që të shoqëron gjithë jetës, pasi mëson sesi funksionin pikërisht jetesa në stan. Tregimi: Libri magjik, vjen si një shtresë mbi shtresë dijesh, ku sa herë heq një shtresë vjen një tjetër me më shumë nënshtresa, të cilat pasqyrojnë vetëm dije dhe informacion të gatshëm. Këtë fakt ta mundëson të rriturit me gjyshin, i cili ke rrëfimet e tij të çon rreth e rrotull bjeshkës, malit, eposit, legjendave dhe përrallave. Duke të mësuar për mënyrën sesi do pyesësh, se si do përgjigjesh apo për qëndrimet dhe sjelljet në situata të caktuara, që jeta mund të të përballë. Gjyshi kishte gjithmonë me vetë librin magjik, atë libër të cilin fëmijët duan ta mësonin ndër vite, deri sa shkojnë dhe bëhen vetë libra magjik, ku rrëfimet e tyre i rrëfejnë, ashtu siç ua kanë rrëfyer të parët e tyre. Zbulova se plaku i sëmurë kishte librin më të çmuar të vjeshtës tonë. Ai i binte nga dora në dysheme në vartësi me krizat e shpeshta të marramendjes. Dhe imagjinoni?!! Përgjumja dhe dridhja e gishtave të tij, rrëzonte përdhe shumë histori…. Tregimi: Takimi me kreshnikët është pothuajse ‘takim me eposin’, pasi në epos jetojnë kreshnikët, të cilët shquhen për bëmat e tyre. Në këtë tregim bëhen njësh situata të jashtëzakonshme me ato të zakonshme, gërshetohen ngjarje reale me ngjarje fantastike. Përballë meje tri portrete të gdhendura në shkëmb. Gjashtë sy që në vend të qerpikëve një ushtri të rrethuar bari të zbehtë. Gjashtë vetulla në formë shigjete, pas të cilave mund të fshihej ndonjë harkëtar pëllumbash apo kositës i barërave të këqija. Mollëzat-si rrasa guri. Mjekra-si vendi nga ku mund të hidheshin shkëmbinjtë e djegur drejtë lumenjve për t’u bërë inerte. Personazhet të cilat janë protagonistë në këtë tregim janë dy breza, gjyshi dhe nipi, pra kalimi i rrëfimeve të historisë dhe mitologjisë nga gjyshi tek nipi, do të thotë ‘lënie trashëgim’ i thesarit të pjesës më të çmuar të virtyteve shpirtërore dhe kulturore që kemi si popull. Poezia: Bisedojnë dy shtojzovalle, shkrimtari bën thirrjen për ruajtjen e Tokës, e jetëdhënëses që të njohin begatinë dhe vlerat e tokës, që të ka lindur dhe të mos lakmojnë tokën e huaj, pasi tokë e bekuar është toka që të ka lindur, e ku natyrshëm na vinë ndërmend vargjet e Çajupit, se balta e tokës së tij i duket njëlloj si mjaltë. Kurse shkrimtari Zalli shkon më larg në kujtesë, kur shkruan vargun: këtu flenë varret, eshtrat stërgjyshore. Ky libër i shkrimtarit Shkëlzen Zalli, Kujtime në tregime, kultivon dashurinë e njeriut për natyrën, pasi është detyrë e njeriut të ruajë dhe të kujdeset për të. Natyra është vetë Jeta. Shkrimtari përmes tregimeve të tij, u kujton prindërve, se fëmijët duhet t’i duan dhe të kujdesen për kafshët, tu vënë atyre emra, t’i duan dhe t’i përkëdhelin. Gjithashtu këto tregime u mësojnë fëmijëve rreth fenomeneve konkrete dhe abstrakte në të njëjtën kohë, si për konceptimin e vetmisë, të mungesës, të varfërisë, të kokëfortësisë. Përmes fjalës së tij artistike, fëmijët do mësojnë për kërcënimin, që herë pas here sjell e panjohura.

Tregime në kujtime janë ngazëlluese, të cilat të shtojnë etjen për t’i lexuar deri në fund, ku dallohen për magjinë e fjalës, për rëndësinë e saj, duke nxitur kështu kureshtjen, për të zbuluar se çfarë mesazhi sjell secili tregim.

Shkëlzen Zalli njëlloj si Mitrush Kuteli e shtron rrugën e tregimeve të tij, duke u bazuar në legjendat që ka dëgjuar nga gjyshi, në legjendat që kishte përfytyruar që kur ai ishte vetë fëmijë.

Për Zallin, gjyshi ishte kujtesa historike, ajo kujtesë e gjallë, i cili ngjan me një arkiv pa inventar, që ecte sa andej-këtej, duke i treguar nipit për të kaluarën, për kujtimet, për nostalgjitë dhe përjetimet.

Fjala ka shpirt – thotë shkrimtari, duke pasur plotësisht të drejtë në këtë pohim, pasi fuqia e fjalës së tij, do jetojë përgjithmonë në mendjet e fëmijëve. Shkëlzen Zalli do jetë gjallë, përmes fjalës së tij poetike dhe krijimtarisë artistike. Shkëlzen Zalli mbetet një zë i papërsëritshëm në panteonin e letërsisë për fëmijë, sidomos në lëvrimin e metaforës.

Data sheet

pages64
ISBN9789928362056
RedaktoriRovena Vata
Published year2022
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmosha e leximitmbi 10 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë