Më tepër
Për figurën e Nolit janë botuar studime, kujtime, libra dhe punime të çdo lloji, para dhe pas vdekjes së tij. Prandaj, është brenda logjikës që shqiptarët anembanë të dinë shumë gjëra për Nolin. E megjithatë, guxojmë të themi se dijenia e tyre është e kufizuar dhe e zbehtë, kur është fjala për njohjen e detajeve nga jeta poliedrike e Nolit. Sa nga neve, p.sh. dimë se Noli i ri punoi në një ëmbëltore në Stamboll, ndërsa në Athinë, nga nevoja për të bërë rrojtjen, iu desh të punonte si karrocier, si kopist për një dramaturg, dhe si sufler për një shoqatë teatrale? Sa nga neve dimë se Noli hartoi dramën e parë Zgjimi në greqisht, tema e së cilës ishte zgjimi i shqiptarëve, dhe se ai shkroi vjershën e tij të fundit Vdekja e Sulltanit, pesë muaj para se të vdiste? Sa nga neve dimë se Noli ishte i pari shqiptar në botë që fitoi diplomën Doktor i Filozofisë në lëmin e shkencave humane nga Universiteti i Bostonit më 1945? Biografia e Fan S. Nolit vlon me qindra fakte interesante si këta, që dëshmojnë jo vetëm për kujdesin dhe punën e madhe kërkimore të autorit, por që shërbejnë edhe si një stoli apo dekor pët ta bërë veprën më të afërt, më tërheqëse, më të bukur. Po të pyesnim se çfarë e tërhoqi N. Jorgaqin të shkruante librin enciklopedik për Nolin, do të mësonim se atë e tërhoqi jo vetëm aktiviteti dhe krijimtaria e shumëanshme e Nolit, por edhe vetë jeta e tij e ndërlikuar, me të përpjetat dhe tatëpjetat, me dritat dhe hijet. E tërhoqi, siç thotë vetë, jeta private e Nolit, karakteri, temperamenti, bota e tij mendore dhe shpirtërore. 1) Jeta personale e NolitProf. Jorgaqi jep një pasqyrë të ndritur për jetën personale të Nolit, me të dhëna për familjen e tij, për shëndetin dhe ushqimin, për jetën e tij romantike, për Qytezën e Kolonjës, për vitet e pleqërisë dhe vdekjen. Theofani, apo Fani, siç e thërrisnin shkurt, lindi natën e Krishtlindjeve, sipas kalendarit të vjetër, kurse me kalendarin e ri më 6 janar 1882, ditën e Ujit të Bekuar. Ai ishte një nga 13 fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën foshnja. Ishte merita e Nolit që ai i ruajti lidhjet me familjen, sado i angazhuar që ishte, gjë që tregon njerëzillëkun e tij në kendin më thelbësor të shoqërisë, atë të familjes. Si fëmijë, Noli ishte tepër i dobët, shëndetlig, aq sa një herë, kur u sëmur keq, pandehën se vdiq, dhe zunë ta qajnë. Gjendja delikate e shëndetit e bëri Nolin vegjetarian. Me kohë, ai u bë besnik i betuar i ushqimit vegjetarian deri në atë pikë sa shkonte dhe fliste hapur nëpër kishat e Peshkopatës për të mirat shëndetsore të vegjetarianizmës. Nga biografia e Nasho Jorgaqit mësuam diçka të papritur, dhe pikërisht për anën romantike të jetës së Nolit. Në Qytezë kur ishte djalë i vogël, dhe më vonë në Adrianopojë, në Amerikë dhe në Hamburg, Gjermani, Noli pati raste të dashurohej dhe të martohej, por të gjithë tentativat dhe marrëveshjet dështuan, sikur nuk ishte e thënë që të martohej dhe të bënte një jetë normale me familje. Kur ishte Kryeministër i Shqipërisë, Noli njëherë, i përfshirë nga malli për vendlindjen e të parëve të tij, shkoi në Kolonjë dhe për të parën herë (dhe të fundit) pa me sytë e tij Qytezën. Pas arratisjes nga Shqipëria dhe rikthimit në Amerikë, Noli kishte dëshirë të papërmbjtur për të vizituar Shqipërinë, si në kohën e Ahmet Zogut, ashtu dhe në kohën e monizmit të Enver Hoxhës. Por, ashtu si Moisiu çifut, thotë Prof. Jorgaqi, që nuk mundi të shkelte në tokën e premtuar nga Zoti, edhe Noli ishte i dënuar nga fati të mos shkelte më në tokën amtare. Noli vdiq në kopshtin e shtëpisë dimërore në Fort Lauderdale, Florida (më 13 mars 1965), me libër në duar. Vlen të themi se tre kapitujt e fundit të biografisë, ku përshkruhen me imtësi sëmundja, vdekja dhe varrimi i Nolit, janë si një film i bukur dhe tepër mallëngjyës. Në këto faqe, më shumë ndofta se kudo gjetkë, duket dora e stërvitur e autorit, dora e intelektualit dhe njeriut të letrave.