Mbi heronjtë dhe varret Shiko më të madhe

Mbi heronjte dhe varret

Ernesto Sabato BPS0054

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

"Mbi heronjtë dhe varret", nga Ernesto Sabato, i sjellë në shqip nga Bajram Karabollit, konsiderohet një nga romanet më të mirë të shek. XX

Më shumë detaje

Ky libër nuk është më në stok

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Pika pa Sipërfaqe

1 200 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Pjesë nga libri

Më quajnë Fernando Vidal Olmos, u linda më 24 qershor 1911 në Kapiten Olmos, një fshat i provincës së Buenos Airesit, që mban emrin e stërgjyshit tim. Jam një metër e shtatëdhjetë i gjatë, peshoj rreth 70 kilogramë, me sy gri në të gjelbër, me flokë të drejtë dhe të thinjur. Shenja të veçanta: asnjë.

Mund të më pyesni se për ç’dreqin e bëj gjithë këtë përshkrim prej regjistri civil. Asgjë nuk është e rastësishme në botën e njerëzve.

Në fëmijëri shikoja një ëndërr që më përsëritej shpesh: shikoja një fëmijë (dhe ky fëmijë, çuditërisht, isha unë vetë dhe e shihja dhe e vrojtoja veten sikur të isha dikush tjetër) që lozte në heshtje një lojë që nuk arrija ta kuptoja dot. E vrojtoja me kujdes, duke u përpjekur të kapja kuptimin e gjesteve të tij, të vështrimeve të tij dhe të fjalëve që murmuriste. Dhe, papritur, duke më parë me seriozitet të madh, ai më thoshte: po vështroj me vëmendje hijen e këtij muri në dysheme dhe, nëse kjo hije arrin të lëvizë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Në fjalët e tij kishte një pritshmëri të matur por edhe të tmerrshme. E atëherë, edhe unë filloja ta vëzhgoja hijen tërë frikë. Është e panevojshme të them se nuk bëhej fjalë për zhvendosjen e rëndomtë që mund t’i ndodhte hijes thjesht nga lëvizja e diellit: ishte TJETËR GJË. Kështu që dhe unë filloja ta vëzhgoja me ankth. Derisa vija re që hija niste të lëvizte ngadalshëm, por në mënyrë të perceptueshme. Zgjohesha i mbytur në djersë e duke bërtitur. Ç’dreq ëndërr ishte ajo ashtu?! Ç’paralajmëronte?! Çfarë simbolizonte?! Çdo natë bija në gjumë me tmerrin e asaj ëndrre. Dhe çdo mëngjes, sapo zgjohesha, gjoksi im mbushej i çliruar me frymë kur vija re se, edhe një herë tjetër, kisha shpëtuar nga ai rrezik. Net të tjera, përkundrazi, vinte ai çasti i tmerrshëm: sërish e shihja fëmijën, murin dhe hijen; sërish fëmija më shikonte vrazhdë, sërish shqiptonte fjalët e tij të çuditshme dhe sërish, në fund, pasi e vrojtoja me ankth hijen e murit, vija re se si ajo niste të lëvizte e të deformohej. Atëherë, zgjohesha i mbytur në djersë e duke bërtitur.

Kjo ëndërr më ka torturuar për vite të tëra, pasi e kuptoja se, ashtu si të gjitha ëndrrat, edhe ajo duhet të kishte një kuptim të fshehtë dhe se, në këtë rast, padyshim ishte një paralajmërim për diçka që do të më ndodhte një ditë. Kështu pra: nuk e di nëse ajo ëndërr qe në të vërtetë paralajmërimi për atë që më ndodhi më vonë, apo nëse ishte fillimi simbolik i saj. Dhe hera e parë qe para shumë vitesh, kur nuk i kisha mbushur të njëzetat dhe udhëhiqja një bandë grabitësish (më vonë do të ujdisem të tregoj diçka nga kjo përvojë). Papritur zbulova se realiteti mund të fillonte të deformohej tërësisht, nëse nuk do ta përqendroja gjithë vullnetin tim për ta mbajtur të qëndrueshëm. Trembesha se mos bota që më rrethonte, në çdo moment, mund të niste të lëvizte, të deformohej, në fillim lehtë e lehtë dhe pastaj rrëmbyeshëm, të shpërbëhej, të transformohej, të humbiste çdo kuptim. Ashtu si fëmija në ëndërr i përmblodha të gjithë forcat e mia duke vështruar atë lloj hijeje që është realiteti që na rrethon, hije e ndonjë strukture apo muri që nuk na është lejuar ta kundrojmë. Dhe papritur (isha në dhomën time në Avejaneda, fatmirësisht i vetëm, i shtrirë në shtrat), i tmerruar, pashë se hija fillonte të lëvizte dhe se ëndrra e vjetër niste të përmbushej në realitet. Ndjeva një lloj marramendjeje, humba ekuilibrin dhe u krodha në kaos, por në fund arrita të dal në sipërfaqe me shumë mundim dhe nisa t’i bashkoj copat e realitetit, që dukej sikur donin të iknin kuturu. Një lloj spirance. Pikërisht kështu: sikur të qenkësha i detyruar të ankoroja realitetin, por sikur anija të qenkësh e përbërë prej shumë copash të ndara dhe në fillim duheshin bërë bashkë të gjitha e pastaj të lëshohej një spirancë e hatashme, me qëllim që e tëra të mos humbiste pa drejtim. Për fat të keq, episodi m’u përsërit prapë, madje, nganjëherë me forcë më të madhe. Befas ndieja se fillonte rrëshqitja dhe pastaj shpërbërja, por, meqë tashmë i njihja simptomat, nuk e lëshoja veten siç më kishte ndodhur herën e parë, dhe menjëherë filloja të punoja me tërë energjitë. Njerëzit nuk e kuptonin se çfarë më ndodhte, më shikonin tek përqendrohesha, me vështrimin të fiksuar e të përhumbur, dhe mendonin se isha duke lajthitur, pa e kuptuar se ishte e kundërta, pikërisht e kundërta, pasi falë atij sforcimi arrija ta mbaja realitetin në vendin dhe në formën e vet. Por, nganjëherë, sado të mëdha që të ishin përpjekjet e mia, realiteti fillonte të shpërbëhej pak e nga pak, të deformohej, si të qenkësh prej gome, dhe fuqi të përbindshme e tërhiqnin nga të dy skajet (nga Siriusi, nga qendra e Tokës, nga çdo anë): një fytyrë që fillonte të ënjtej, nga njëra fryhej si tullumbace, sytë i bashkoheshin pak nga pak, goja i zmadhohej gati sa s'i shqyhej, ndërsa një ngërdheshje e tmerrshme e përçudnonte fytyrën.

Sido që të ishte, ato çaste më frikësonin dhe më torturonte ajo nevoja për ta mbajtur mendjen të kthjellët, syhapur, vigjilente dhe energjike. Aty për aty më kapte dëshira të më mbyllnin në ndonjë çmendinë për t’u çlodhur, ngaqë atje askush nuk është i detyruar ta mbajë realitetin në gjendjen që pandehet se është. Sikur atje njeriu të mund të thoshte (dhe sigurisht e thotë): tani, le të rregullohen vetë.

Por më e keqja nuk ndodhte rreth meje, por brenda meje, sepse vetja ime papritur fillonte të deformohej, të zgjatohej, të metamorfizohej. Unë quhem Fernando Vidal Olmos, dhe këto tri fjalë janë si një vulë, si një garanci se jam “diçka”, diçka e përcaktuar mirë: jo vetëm nga ngjyra e syve, nga shtati, nga mosha, nga datëlindja ime dhe prindërit e mi (d.m.th, nga ato të dhëna që janë të shënuara në kartën e identitetit), por më tepër nga diçka më e thellë, me karakter shpirtëror: nga një tërësi kujtimesh, ndjenjash, mendimesh, që brenda meje mbajnë strukturën e asaj "diçkaje", e cila është Fernando Vidali dhe jo postieri apo kasapi. Por, çfarë e pengon që në atë trup, të përshkruar në librezën time ushtarake, krejt befas, falë ndonjë kataklizme, të vendoset të banojë shpirti i portierit apo shpirti i Markezit de Sad? A mos vallë ka ndonjë lidhje të pacenueshme mes trupit dhe shpirtit tim? Gjithnjë më është dukur e habitshme që dikush mund të rritet, të ketë iluzione, të vuajë fatkeqësi, të shkojë në luftë, të rrënohet shpirtërisht, të ndryshojë idetë, të tjetërsojë ndjenjat dhe megjithatë të vazhdojë të mbajë të njëjtin emër: Fernando Vidal. Ç’do të thotë e gjithë kjo? Apo është e vërtetë se, përkundër gjithçkaje, ekziston ndonjë fill, pafundësisht i zgjatshëm dhe mrekullisht i pakëputshëm, i cili përmes atyre ndryshimeve dhe katastrofave e ruaka identitetin e UNIT?

Nuk e di se çfarë ndodh me të tjerët. Vetëm mund të them se tek unë ai identitet papritur zhduket dhe se ai deformim i unit, papritur, arrin përmasa gjigante: zona të mëdha në shpirt fillojnë të më fryhen (madje nganjëherë e ndiej trysninë fizike të trupin tim, në kokë sidomos), rriten si pseudopode të heshtura, të verbra dhe tinëzare, drejt zonash të tjera të species dhe, më në fund, deri në zona zoologjike shumë të lashta e të errëta; një kujtim fillon e ënjtet, dhe pak e nga pak resht së qeni ajo zhurma e Valles së pilivesave që e pata dëgjuar një natë nga një piano e fëmijërisë sime, dhe më pas nis e shndërrohet në një melodi çdo herë e më të çuditshme e më të tepruar, më vonë kthehet në britma e ofshama që përfundojnë në sokëllima të tmerrshme, pastaj në tinguj kambane që më shurdhojnë veshët dhe, diçka edhe më çuditshëm, fillojnë të më transformohen në shije të tharta apo të neveritshme në gojë, sikur të më paskëshin kaluar që nga veshi në grykë, dhe stomaku nis të më tkurret në konvulsione të vjellash, ndërkaq zhurma të tjera, kujtime të tjera, ndjenja të tjera, pësojnë metamorfoza të ngjashme. Dhe nganjëherë mendoj se ndoshta rimishërimi është i vërtetë dhe se në skutat më të fshehta të unit tonë flenë kujtimet e atyre qenieve që na kanë paraprirë, ashtu siç gjallojnë në ne ende mbetjet e lashta të peshkut apo zvarranikëve, të mbuluara nga uni i ri dhe nga trupi i ri, por të gatshme për t’u zgjuar e për të dalë kur forcat, tensionet, telat dhe vidat që mbajnë bashkë unin aktual, për ndonjë shkak që nuk e dimë, lirohen dhe jepen, dhe bishat e kafshët parahistorike që banojnë brenda nesh dalin të lira. Dhe ajo që ndodh çdo natë, ndërsa flemë, papritur bëhet e pakontrollueshme dhe fillon të na zotërojë edhe në makthe që shtjellohen ditën për diell.

Të dhëna

Faqe597
Viti i Botimit2016
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiBajram Karabolli
RomanSagë&Histori