Georges Bernanos (1888 – 1948) lindi në Paris më 20 shkurt 1888. Për shkak të një sëmundjeje të papritur, fëmijës 18-muajsh i rrezikohet seriozisht jeta dhe shpëton pasi piu ujë të bekuar, ngjarje që pati ndikim vendimtar në jetë. Më 1897 kreu klasën e parë të një gjimnazi jezuit, nxënës ku mësoi në të njëjtën periudhë edhe Charles de Gaulle-i. Lexon autorë si Walter Scott, Barbey d’Aurevilly, Ernest Hello, Pascal, Victor Hugo, Michelet, si dhe Balzac. Në 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë, Bernanos-i rimobilizohet, në muajin gusht.
Në janar 1922 boton novelën Madame Dargent. Në mars të 1926 botohet romani Nën diellin e Satanait dhe korr sukses të menjëhershëm, por shkakton edhe qëndrim të mëdyshur në radhët e hierarkisë fetare.
Në 1927 boton romanin Mashtrimi (L’Imposture). Më 1928 fillon të botojë romanin Hareja (la Joie), në La Revue Universelle. Boton mandej La grande Peur des bien-pensants (Droja e mendimtarëve zyrtarë). Në 1934, familja Bernanos vendoset në Ishujt Baleares. Fillon botimi i romanit Një krim, në një revistë të përjavshme. Në mars 1936 botohet Ditari i një prifti fshati si libër i plotë. Publiku e mirëpret me lëvdata, shpesh cilësohet kryevepër. Libri vlerësohet me Çmimin e Madh të Akademisë Franceze. Bernanos-i, nëpërmjet një artikulli, sulmon Musolinin për pushtimin e Etiopisë, si dhe Vatikanin për heshtjen ndaj atij pushtimi.
Në korrik, gjatë Luftës Civile në Spanjë, monarkisti dhe katoliku Bernanos e mbështet fillimisht regjimin e Frankos, por pastaj i kundërvihet ashpër.
Në janar 1937 Bernanos-i është dëshmitar i djegies me benzinë të qindra kufomave në Majorkë dhe shkruan librin Pesë varreza poshtë hënës, ndershmëria e të cilit u përshëndet nga një sërë personalitetesh, si Aragon, Camus, dhe filozofja Simone Weil.
Më 1938 vendoset në ekzil në Brazil. Shkruan një sërë artikujsh që botohen në gazetat braziliane. Në 1943 boton, në shtëpi botuese braziliane, por frëngjisht, romanin Monsieur Ouine.
Në qershor 1945 gjenerali de Gaulle e fton Bernanos-in të kthehet në Francë. Takohet me de Gaulle-in, i cili i propozon detyrë ministri, por Bernanos-i nuk pranon. Shkruan dhe boton artikuj të shumtë politikë. Për herë të tretë në jetë, ai refuzon Kryqin e Legjionit të Nderit, si dhe anëtarësimin në Akademinë Franceze.
Në korrik 1948 Georges Bernanos ndërron jetë. Ai mbetet ende shembull i shkrimtarit të thellë, të angazhuar e pa kompromis. Intelekt i lirë, i gjerë dhe i pacënuar nga ideologjitë kalimtare.
Kjo kryevepër dëshpëruese realiste, përshkruan ngadalë rrjedhën jetësore duke zhbiruar durimin tragjik e të hidhur njerëzor. Përkushtimi ndaj Zotit vetëm sa e largon atë gjithnjë e më shumë nga njerëzit derisa më në fund të ketë arritur një pikë në të cilën duhet të njohë veten ngase tashmë nuk di asgjë për njerëzit – si dhe është tepër vonë për ta...