Loreta Vaso, me profesion mësuese e gjuhës dhe letërsisë, është e lidhur ngushtë me pasionin për artin e fjalës dhe artikulimin e pastër të gjuhës amëtare.
Pas botimeve në zhanrin e poezisë dhe letërsisë për fëmijë ajo vjen me një sprovë në romanin biografik. “U mbajt te parajsa” mbështetet në një histori të vërtetë dhe përcjell mesazhe të rëndësishme qëndrese dhe përpjekjes për ringritjen dhe plotësimin e dëshirave. Një mjeke në profesion, që jeta i sjell shumë drama në jetën e saj, por që për asnjë moment, ajo nuk dorëzohet. Autorja po punon edhe për një roman tjetër, që pritet të dalë së shpejti dhe që ka sërish në qendër një personazh grua, dhe problematikën sociale në një shtrirje kohore që ngërthen periudhën para sistemimit demokratik deri në kontekstin aktual shoqëror. Po ashtu, në qarkullim janë edhe dy vëllime poetike nga kjo autore: “Përjetime në vargje” dhe “Marramendje tingujsh”.
Në krijimtarinë për fëmijë, Vaso ka botuar librin “Edenushi dhe mami - zanë” dhe pritet të nxjerrë edhe dy libra të tjerë për lexuesit e vegjël.
Libri “Marramendje tingujsh” ka një materie fjale, e cila mishëron edhe një raport tjetër të autores. Është fjala për raportin me visin, me toposin dhe hapësirën shpirtërore që zbulohet prej tij. Këtë hapësirë, poetja nuk e poetizon, por e sjell tekstualisht si imazh dhe hise peizazhi dhe dukurish, ashtu sikundër është, imponues dhe ftues në realitet.
Në vëllim evokohet edhe poezia me vargje jugore të Bregut të Detit, ku gjejmë po atë jehonë, po atë fjalor, po atë atmosferë të erës së detit dhe malit, po atë pasion dhe po atë fuqi që ndeshim në poezinë tradicionale të zonës.
Romani biografik i shkruar nga Loreta Vaso sjell historinë reale të mjekes së njohur Lindita Beqiri Mezini, duke zbuluar hap pas hapi dramat e një personazh real, një gruaje që nuk është dosido. “Doja shumë të shkruhej historia reale e jetës sime ‘lakuriqe’, për të përcjellë mesazhe tek ato nëna, gra, vajza që në jetë mund të kenë kaluar situata të...