Timo Apostol Dilo, është lindur në Labovë të Madhe, më 1899. Shkollën fillore dhe unike e kreu në vend-lindje ndërsa mësimet e mesme i ndoqi në Janinë. Më tej në vitin 1919, ndoqi mësimet në "Universitetin Luigi Bocconi" të Milanos, për degën e financës. Pas kthimit ne vend, ka punuar ne disa banka të ndryshme të asaj kohe. Ka qenë studiues erudit i historisë dhe gazetarisë. Ka punuar drejtor dhe kryeredaktor në disa gazeta të njohura të asaj kohe, si "Shekulli i Ri", "Ora", deri sa në vitin 1934 botoi gazetën e tij "Vatra". Me vendosjen e regjimit komunist, filluan dhe peripecitë për të. Për pak vite ai punoi në degën e financës në sektorin e shtypshkronjave dhe Librarisë Popullore deri sa në vitin 1953 u pushua nga puna për arsye të qarta politike nga regjimi komunist. Ndërkohë pasioni, dijet e hollësishme qe kishte per historinë në përgjithësi dhe sidomos atë të vendit dhe vendeve fqinje, i krijuan mundësinë që të shkruante dhe botonte disa artikuj në revistat e kohës për studime historike, si dhe të pranohej bashkëpunëtor i jashtëm shkencor në Institutin e Historisë e Gjuhësisë, që i dha mundësinë të botonte disa studime historike.