Roland Qafoku

Roland Qafoku është gazetar, analist, publicist dhe studiues. Ai mbrojti gradën shkencore Doktor i Shkencave të Komunikimit me temën “Komunikimi politik i kryeministrave të tranzicionit shqiptar” (Universiteti i Tiranës, 2019).


Prej vitit 2008 është pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gazetari dhe Komunikim.


“Ambasadorët amerikanë në Shqipëri (1922-2022)” është libri i tij i katërt, pas botimit të librave “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali tek Edi Rama” (Onufri, 2015), “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017” (West Print, 2017) dhe “50 pyetje për 50 personazhe” (UET Press, 2021).


Roland Qafoku ka një karrierë prej më shumë se 25 vjetësh në median e shkruar dhe elektronike. Ai ka drejtuar gazetat e përditshme të pavarura, si: “Koha jonë”, “Panorama”, “Tirana Observer” dhe ka qenë drejtor i Informacionit në televizionet “TV Koha” dhe “Ora News”.


Prej vitit 2009 Qafoku drejton emisionin politiko-shoqëror, më parë në “Ora News”, “Planet TV”, “Channel One” dhe aktualisht drejton emisionin politik “Dekalog” në “RTSH 24”. Në karrierën e tij Roland Qafoku ka intervistuar mbi 3 mijë personazhe. Ai ka intervistuar të 9-të kryeministrat dhe të 7-të presidentët e Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit. Gjithashtu, edhe shumë personazhe të rëndësishme si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ernest Troshani, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Anthony Athanas, Joseph DioGuardi, Hëna Këlcyra, Ajnisha Vlora, atë Artur Liolin, Skënder dhe Bashkim Shehu, Sejfi Protopapa, Ermioni Popa, Ermonela Jaho, Rrahman Parllaku, Hekuran Isai, Eugjen Merlika, Leka Zogu, Skënder Zogu, Ibrahim Daut Hoxha, Elez Biberaj etj.


Është autor i dokumentarëve “Giovanni Falcone, kur vret mafia” (Ora News, 2010); “Ismail Qemali që nuk kemi njohur” (TV Planet, 2012); “Delegatët dhe firmëtarët e Pavarësisë” (TV Planet 2012); “Shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore” (Channel One, 2014); “Vrasja e dy biznesmenëve amerikanë në Mamurras” (2021 Fjala webtv).


Roland Qafoku është vlerësuar me disa çmime në karrierën e tij. Më 2019, mori çmimin “Libri më i mirë” me veprën e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” në 110-vjetorin e federatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli” në Nju-Jork, SHBA. Më 2014, u vlerësua me çmimin special për dokumentarin “Shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Më 2013, dokumentari “Ismail Qemali që nuk kemi njohur” u nominua për çmimin “Dokumentari më i mirë në 100-vjetorin e pavarësisë” nga akademia “Kult”. Në shkurt të vitit 2007 u vlerësua me çmimin special për esenë më të mirë të botuar në gazetë me titull “Imja Shota”.

Lista e librave të autorit

Showing 1 - 2 of 2 items
Showing 1 - 2 of 2 items