Më tepër
Leksikologjia është shkencë gjuhësore, që studion fjalët si njësi leksikore dhe leksikun, d.m.th. tërësinë e fjalëve, nga ndërtimi, nga kuptimi, nga shtresimi i mundshëm etj. Kjo lëndë, leksiku, përbën vetë gjuhën kur përdoret sipas rregullave të gramatikës. Gjatë punës për ta ripunuar e për ta plotësuar atë janë mbajtur parasysh katër synime kryesore: 1. Të pasqyrohen në mënyrë më të plotë arritjet e gjuhësisë shqiptare deri në gjysmën e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI 2. Të vendoset një simetri a një përpjesëtim më i mirë ndërmjet degëve të kësaj 3. Duke pasur parasysh që lënda e leksikologjisë shqipe zhvillohet në universitete dhe se studentët nuk vijnë këtu me njohuritë teorike të nevojshme, disa koncepte themelore të leksikologjisë e të leksikografisë jepen të plota, që ti shërbejnë formimit shkencor, teorik e metodologjik të studentëve 4. Është mbajtur parasysh gjithashtu synimi që ky libër të jetë i dobishëm edhe për rrethe të tjera lexuesish e studiuesish, për mësuesit e gjuhës e të letërsisë shqipe, për kandidatët që vijojnë kualifikimin pasuniversitar dhe për të tjerë që dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë në këtë lëmë. Në fund të librit është dhënë bibliografia e zgjedhur e studimeve dhe e botimeve të derisotme në fushën e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe. Dhe, së fundi, teksti do të ndjekë zhvillimin e shkencës, e cila përparon e pasurohet me arritje të reja nëpërmjet studimeve më të thelluara e më cilësore, prandaj ai vazhdimisht do të ketë ripunime, plotësime e përmirësime nëpërmjet përgjithësimesh më të larta të arritjeve që i kanë qëndruar kohës.