Figura personazh qe shihet permes fjales Shiko më të madhe

Figura - personazh qe shihet permes fjales

Floresha Dado BO0803

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

Akademike Floresha Dado vjen me nje tjeter permbledhje ne fushen e studimeve letrare, ne perpjekjen per te interpretuar dhe shpjeguar magjine e artit te fjales.

Më shumë detaje

8 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Onufri
ISBN9789928391698

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Figura-personazh, boshti i narracionit

Pothuaj në gjithë teoritë, që janë marrë me gjinitë rrëfimtare, nocioni i personazhit është lidhur me dy konceptet: subjekt dhe fabul. Pavarësisht nga termat, nganjëherë të ndryshëm, që kanë përdorur teoricienët, nga antikiteti e deri në teoritë letrare moderne, (G.Genette, Shlomith Rimmon-Kenan dhe Mieke Bal) për të emërtuar këto koncepte, si: story-histoire-fabula-narration-narrative-text), nuk kemi të bëjmë thjesht me çështje termash, por me thelbin e ndërtimit të veprës dhe rolin që luan personazhi brenda strukturës funksionale të saj. Jo më kot teoritë narratologjike i kushtuan vëmendje të veçantë rolit që ka personazhi në procesin e komplikuar rrëfimtar, sepse boshti organizues i gjithë këtij procesi mbetet pozicioni dhe thelbi përmbajtjesor i tij. Sipas këtyre teorive[1]  personazhi është një ‘unitet i integruar’ në rrëfim, që përfshin edhe ‘unitete të niveleve më të ulëta…, që lejon të ndërtohen konfiguracione semantike të tekstit’. Personazhi, duke qenë në qendër te narratives, është organizues i tekstit, sepse artikulon të gjithë tipat e sekuencës: qofshin këto narrative, deskriptive, dialoguese dhe i jep kuptim këtij artikulimi, duke qenë njëkohësisht edhe efekt i strukturës në të cilën ‘jeton’. Në termat narratologjikë, personazhi nuk është gjë tjetër përveçse potenciali për histori, për zhvillimin e kohësisë dhe hapësirës, shkurt për narrativen në vetvete.

Trajtimet e para narratologjike nisën që në veprën Poetika të Aristoteli, ku doli në plan të parë koncepti i thurjes së subjektit, brenda të cilit veprojnë karakteret (personazhet). Por, sidomos gjatë shekullit XX përfytyrimi mbi personazhin dhe rolin e tij ka përbërë një problem të rëndësishëm të narratologjisë dhe teoricienë, si V.Jouve[2] pohuan se ishte pikërisht narratologjia ajo që ofroi qasjen më interesante për personazhin.

Më parë, deri në prag të trajtimeve teorike të formalistëve rusë, e sidomos të V.Proppit, personazhi shihej më tepër rezultat i organizimit të materialit në një intrigë dhe përfaqësonte, nga njera anë, një mjet për të lidhur në seri motivet, nga ana tjetër një mishërim dhe personifikim të motivimit të lidhjes së tyre. Kjo i referohet, sigurisht në mënyrë të veçantë, gjinisë rrëfimtare, në të cilën realizohet një ndërtim specifik i subjektit, përmes pikëvështrimeve dhe niveleve të ndryshëm të thurjes rrëfimtare.

 

Kuptimi i rolit të rrëfimtarisë në ndërtimin e personazhit, ndryshoi, sidomos gjatë shekullit të XX. Kështu, në fillim të këtij shekulli teoricienët e Formalizmit Rus i dhanë sistemit narrativ një kuptim të ri, funksional, duke e konsideruar personazhin si një komponent thelbësor të tij, mbi të cilin nuk pranohet analiza psikologjike. Në teoritë e mëvonshme, si ajo e Proppit, që u rimor nga Todorov, Greimas, Bremond etj., perceptimi i personazhit lidhet me sferën e funksionit, aksionit, të rolit si ‘aktant’ ose ‘agjent’. Në këtë linjë kuptimi i personazhit shihet në sfondin e rrëfimit, i lidhur ngushtësisht me ngjarjen: “historitë ekzistojnë vetëm atje ku shfaqen, si ngjarja ashtu dhe ekzistuesit dhe nuk mund të ketë ngjarje pa ekzistues.”[3] Më vonë, studimet e strukturalistëve Greimas, Bart etj., thelluan teorinë e studimit mbi të dhe, ndonëse në një farë mënyre secili ka pikëvështrimin e vet, konceptimi i personazhit, brenda procesit të rrëfimit, u mbështet në qasje tjetër. Sipas teorisë së Bartit analiza strukturaliste nuk e përkufizon personazhin në aspektin psikologjik, nuk e sheh atë si një qenie, por si pjesëmarrës. Dhe është i saktë vëzhgimi i V.Jouve se, me qasjen strukturaliste u hap rruga për një qasje gjuhësore, që u zhvillua edhe te studimi i Ph.Hamon: ‘Për një status semiologjik të personazhit’.[4] Duke iu referuar analizës semiotike të personazhi, autori e mbështet përkufizimin mbi të sipas tre kategorive: a) personazhe referencialë, b) personazhe që përfshinë lexuesin ose autorin, c) personazhe anafora, që bashkojnë dhe strukturojnë veprën nëpërmjet një sistemi kthimesh dhe kujtimesh.

Jo vetëm trajtimet teorike, por në radhë të parë është tradita e romanit, nga fillimet e rrëfimtarisë klasike deri tek eksperimentet moderniste, dëshmi e ridimensionimit të vazhdueshme të rrëfimtarisë, të shumllojshmërisë së raporteve midis rrëfimtarit dhe personazhit, të konfigurimeve nga më të ndryshme, të pozicionit dhe rolit që luan ky i fundit në gjithë strukturën rrëfimtare. Por, ndërsa romani klasik e zbulon thelbin e karakterit në marrëdhënie dhe kushtëzim nga një kontekst i caktuar, ku mbizotëron kryesisht raporti shkakor dhe kronologjik-kohor, romani modern kapërceu skemat tradicionale, ai shfaqet më refleksiv, ligjërimi organizohet në të njejtën kohë si refleksion i brendshëm dhe i jashtëm i botës së personazhit.

Koncepti mbi strukturën narrative përfshin skema të ndryshme të zhvillimit të personazhit, të motivit që e vë atë në lëvizje, të raporteve që krijon me personazhe të tjerë, apo me autorin, apo me lexuesin, etj. Personazhi është niveli më i lartë i organizimit, sepse lidh sekuencat, sikurse edhe përcaktohet prej tyre. Në këtë nivel të abstraksionit semioticienët kanë dalluar se personazhet i realizojnë rolet në situata të ndryshme, si: ndeshjen protagonist/antagonist, kërkimin subjekt/objekt, dhënës/marrës, ndihmës/kundërshtar, etj… Raporte të tillë realizojnë aspekte dinamike të rrëfimit.

 

Një trajtim i tillë narratologjik i personazhit, që e vendos atë në qendër të vëmendjes, krijon një hapësirë të pafund të konceptimit të tij artistik dhe mundësi të shumta të analizës letrare. Personazhi, në njësitë përbërëse të strukturës sipërfaqësore, lidhet në mënyrë të dukshme me ngjarjen, e cila është ndryshim nga një gjendje në një tjetër. Ngjarje të veçanta kombinohen për të krijuar mikro-sekuenca, të cilat bashkërisht krijojnë  historinë, apo, më saktë, filozofinë e plotë. P.sh. te ‘Im atë donte Adolfin’, e M.Krajës, përshkrimi i veprimeve të një personazhi vjen nga rrëfimi i një personazhitjetër, i cili gjithashtu rrëfehet, nuk është i drejtpërdrejtë…

Te ‘E  penguara’ e I.Kadaresë, mendimi i personazhit zbulohet në trajtë pavetore nga rrëfimtari, çka e shpëton personazhin prej vështrimit të njëtrajtshëm nga ana e lexuesit, ndez vatra të papritura vështrimi dhe si rrjedhim, përjetimi ngjitet në nivel më emocional. Ndërsa te ‘Përbindëshi’ personazhet i nënshtrohen një narracioni të përzier (rrëfim dhe dialog në mungesë).

Duhet thënë se, me gjithë format e larmishme të zhvillimit të gjinisë rrëfimtare, me gjithë trajtat e zakonshme apo dhe nga më të çuditshmet të formësimit të figurës-personazh, ky është në themel të strukturimit të veprave, pavarësisht nga raportet që ndërtohen midis tij, autorit dhe elementeve të tjera të poetikës së veprës. Prandaj, koncepti mbi personazhin mbetet pika kyçe e përpunimit teorik narratologjik, një faktor i ndikuar nga strukturat e pafund rrëfimtare, por njëkohësisht edhe ndikues në to. Me strukturën dhe thelbin e brendshëm kuptimor të tij, ai ‘prodhohet’ por bëhet edhe shenjues i rëndësishëm, sepse nxit, kërkon të krijohen lloje të ndryshme të trajtave rrëfimitare, duke qenë faktor lëvizës, që nxit hapësira dhe mundësi të pafund të një procesi të pandalshëm zhvillimi.

(Pjesë nga libri)

Të dhëna

Lloji i botimitMe kapak te trashe
Faqe348
ISBN9789928391698
RedaktoriEnkelejda Misha
Viti i Botimit2023
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
GrupmoshaMbi 14 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë