Më tepër
Libri Hyjnitë ilire vjen në kohë të përshtatshme. Gjuha është e saktë, lakonike, si të thuash aq sa duhet dhe me një stilistikë siç e kërkon tema e librit. Në anglisht është bërë një përkthim i arritur nga amerikania Sarah (Përparim) Smith, e cila ka treguar kujdes për çdo detaj dhe një këmbëngulje që bie në sy për të gjetur argumentin e saktë në anglisht, për të gjetur gjithashtu shprehjen e duhur, ngarkesën e veçantë emocionale. Autori, nga ana tjetër, është një njohës shumë i mirë i anglishtes, si dhe i mjaft gjuhëve të tjera, por në këtë rast ka pranuar konsulencën dhe vetë punën e amerikanes Sara. Duhet thënë se ajo ka praktikuar një anglishte tërheqëse dhe të shkrifët. Hyjnitë ilire është një libër i veçantë edhe nga paraqitja, edhe nga forma, edhe nga përmbajtja. Është tejet i nevojshëm për tu dhënë shpjegimin e duhur gjërave të veçanta dhe për ti dhënë ndriçimin e duhur kulturës sonë pellazgo-ilire, për ta pasur edhe këtë argument më shumë në raftet e bibliotekës sonë kombëtare. Krijime të tilla menjëherë marrin përmasa të mëdha, por mbi të gjitha u shërbejnë sidomos të huajve që vizitojnë vendin tonë e duan të njohin të kaluarën shumë të largët, të njohin pararendjen e krishterimit në truallin shqiptar e atë ilir. Këtë mundësi tashmë e kanë edhe shkollat tona, historia dhe të shkruarit e saj, mësuesit dhe të gjithë ata që e dëshirojnë këtë interpretim në lartësitë e kohës sonë.