Yjet e gjeneraleve Shiko më të madhe

Yjet e gjeneraleve

Vangjel Kasapi BAT059

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

Përmbledhja studimore për personalitetet e shquara të kombit shqiptar në fushën e historisë ushtarake vjen si një domosdoshmëri për të ndihmuar brezat në edukimin atdhetar dhe ushtarak. Figurat e përzgjedhura në këtë botim vijnë me historitë e tyre të spikatura që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë dhe krijimi i Shtetit Shqiptar e deri te luftërat e shekullit të 20-të, për të mbrojtur lirinë dhe integritetin territorial.

Më shumë detaje

496 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Botart
ISBN9789928116468

840 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

Më tepër

Në planin e gjerë historik, përzgjedhja e tyre përkon me kronologjinë e luftërave të pandërprera të popullit shqiptar, duke nxjerrë në krye prijës të spikatur, që artin e luftës e përvetësuan në shkollën e madhe të traditës së atdhetarizmit dhe të ndjenjës së thellë liridashëse. Heroizmi dhe madhështia e këtyre figurave ushtarake i ka rrënjët në shpirtin luftarak të popullit shqiptar, i cili në çdo ngjarje historike ka nxjerrë nga gjiri i tij prijës popullorë, udhëheqës e strategë të mëdhenj ushtarakë, të cilët qëndrojnë në lartësinë e personaliteteve të shquara të popujve të tjerë, shumë herë edhe më të mëdhenj se populli ynë. Shpesh është thënë se vetëm kombet e mëdha e me një stad të lartë emancipimi nxjerrin personalitete, dhe sikur vetëm ata i japin botës figura të shquara. Por historia botërore na mëson se ka vende, qofshin këto edhe të vogla, që janë shfaqur si të barabarta me kombet me personalitete të spikatura. Si një botim përfaqësues, për një ndër popujt e vegjël, por me material njerëzor të racës sonë e të krenarisë kombëtare, libri i autorit Vangjel Kasapi përcjell vlerat e personaliteteve me angazhim të spikatur në strukturat shtetërore ushtarake dhe me kontribut të pamohueshëm në historinë e vendit. Natyrisht që në formimin dhe edukimin e këtyre figurave me veprimtari të dukshme ka ndikuar edhe përfshirja e hapësirës shqiptare në zhvillimet madhore të epokës moderne të shekujve XX-XXI në Ballkan, Europë e në Lindjen e Afërt. Me vizionin, intuitën dhe interpretimin objektiv që vëmë re në këtë botim autori vjen në përfundimin se heroizmi nuk lind nga sasia numerike e një populli, por nga madhështia e ndjenjës patriotike, nga ideali që e frymëzon aktin dhe veprën e madhe. Ky kolazh biografik ushtarak vjen si botim i një lloji të veçantë, pasi në të trajtohen figurat apo personalitetet ushtarake, duke filluar nga viti 1912 e deri në ditët e sotme. Në këtë Libra, autori i një seri botimesh monografike ka pasur parasysh edhe shembujt analogë të kësaj natyre në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, ShBA-së dhe vendeve të tjera. Fatmirësisht, nën hijëzat e tyre janë gjetur edhe personalitete shqiptare, të cilat kanë lënë gjurmë të dukshme në historinë e Artit Ushtarak Botëror. Porse nuk është lënë në harresë edhe përvoja e botimeve të këtij zhanri në vendin tonë. Këtë monografi të natyrës enciklopedike, shtëpia botuese Botart e pa si të domosdoshme për lexuesin, me të vetmin qëllim për të nxjerrë nga anonimati mjaft figura ushtarakësh, të shquar jo vetëm në kapërcyellin e historisë së luftërave, por edhe në kontributin e tyre si qytetarë të këtij vendi në të gjitha rrafshet e jetës politike-shoqërore. Libri me trajtesë studimore-shkencore plotëson kërkesat e metodave bashkëkohore të përzgjedhjes, e cila më parë ka pasur një vështrim të kufizuar për ushtarakët e i ka trajtuar ata duke i paragjykuar në këndvështrime partiake dhe ideologjike. Kjo dukuri vërehet edhe në faqet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985), ku personalitetet ushtarake numërohen me gishtat e dorës. Në ndërmarrjen e tanishme kemi sjellë personalitete të vërteta, pavarësisht nga niveli i trajtimit në kohën kur ato vepruan. Gjykimi i vendosjes së tyre niset qartas nga rrethanat kur jetuan dhe misioni që plotësuan. Njëkohësisht, përmes këtij botimi lexuesit i jepet mundësia të njohë edhe historinë e Ushtrisë Shqiptare nga dita e formimit më 4 dhjetor 1912 deri më sot, përmes figurave njerëzore dhe kronologjisë së ngjarjeve ushtarake, të cilat përbëjnë vlera në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Sepse gjeneralët shqiptarë i përkasin fondit të pasur dhe plejadave të gjeneralisimit europian. Secilin personazh, historishkruesi na e paraqet nëpërmjet jetëshkrimit të shkurtër, shoqëruar, atje ku është e mundur, edhe me ndonjë fakt, ngjarje apo model. Vendosja e tyre bëhet sipas rendit kohor, ndërsa përzgjedhja mbi bazën e kritereve, të cilat janë gurët kilometrikë në trasenë e këtij rrugëtimi historik.

Të dhëna

Faqe387
ISBN9789928116468
Viti i Botimit2014
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibra
Numri i botimeveI parë