I ri Refleksione – Monteskje Shiko më të madhe

Refleksione – Monteskje

Montesquieu ZEN0300

Libër i ri

4 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Zenit

1 500 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Tre fletore të trasha, të cilat mund të emërtohen me titullin e shkruar në krye të së parës: "Disa refleksione apo mendime të shkëputura që nuk i kam përfshirë në veprat e mia", ishin ndër letrat e pabotuara të Monteskjesë, të cilat, me vdekjen e tij, në vitin 1755, i kaluan si trashëgim të birit Zhan-Baptist.

Prej këtyre, disa u bënë të njohura mjaft shpejt (ndoshta në vitin 1759), përmes një transkriptimi me ngut dhe jo besnik të jezuitit piemontez Xhuzepe Ceruti, dhe u rishtypën disa herë; por një botim që të ofronte garancitë e vërtetësisë askush nuk e kishte ndërmend: i biri i Monteskjesë, i përthithur tërësisht në kërkimet e tij mbi shkencën natyrore dhe agronominë, e duke u druajtur se njohja e veprave të paplota mund t’i sillte dëm famës së àtit të tij, la të kalonin pothuaj tridhjetë vite përpara se të nxirrte në dritë rrëfimin e papërfunduar "Arsaku dhe Izmenia", dhe as nuk e shtroi çështjen nëse do t’i botonte apo jo shkrimet fragmentare.

Është e njohur se asokohe, skicës apo hedhjes së lëndës në dorë të parë të shkrimtarëve të mëdhenj, nuk i mvishej ajo rëndësi që u shfaq më pas prej romantizmit, dhe që ka ardhur gjithnjë në rritje; megjithatë, në vitin 1766 baroni Holbah i ankohej Aleksandër Verit për këtë shpërfillje, e cila atij i dukej se merrte shkas prej xhelozisë.

Erdhi Revolucioni francez, dhe në janarin e vitit 1794 Zhan Baptisti, àti i një të mërguari, qe burgosur dhe pasuritë e tij qenë vënë nën sekuestro; e, ndonëse ishte liruar pas më pak se një muaji dhe iu rikthyen pasuritë para fundit të vitit, ai mendoi menjëherë të fshehë letrat e të atit pranë një miku, që t’i ruante ato për të birin, i cili sipas ligjit ishte i përjashtuar, si i mërguar, prej trashëgimisë.

Kur Zhan-Baptisti kishte ndërruar jetë më 1795, gjurmët e dorëshkrimeve, të cilat pak kush i kishte parë, por ekzistenca e të cilave njihej tashmë, dukej se kishin humbur: botuesit parizienë Plassan, Règent-Bernard dhe Grégoire, të cilët po nisnin asokohe një përmbledhje të Veprave të Monteskjesë, u rrekën që të gjenin së paku diçka të pabotuar; por u detyruan të mjaftohen që të riprodhonin me saktësi më të madhe “Mendimet” e botuara prej Cerutit.

Letrat e çmuara, duke përfshirë tre fletoret e Refleksioneve, ishin në duart e një fqinji të feudit të Monteskjesë, Joakim Laîné, ministri i ardhshëm i Luigjit XVIII, i cili sigurisht ia dorëzoi ato të birit të Zhan-Baptistit, Sharl-Luis, kur ky, në fundin e vitit 1801, u kthye në Francë, edhe pse për një kohë të shkurtër.

Në të vërtetë, ai ishte martuar në Angli, ku vijoi të banonte deri në vdekje të tij në vitin 1824, dhe ku çoi, në dy herë të ndryshme, të gjitha dorëshkrimet e Monteskjesë. Vetëm tre vite më pas, nipi dhe trashëgimtari i Sharl- Luisit, Prosperi, arriti t’i kthejë ato në kështjellën stërgjyshore në La Brède.

Prosperi mendonte se ishte detyrë e tij t’i bënte të njohura shkrimet e pabotuara të Monteskjesë dhe, që të kishte këshillën dhe ndihmën e një personi me përvojë, iu drejtua fillimisht Laîné-s, pastaj poligrafit Aimé Martin; por të dy vdiqën, Laîné më 1835 dhe Martin më 1847, pa gjetur asnjëherë kohën as të hartonin projektin për botimin e planifikuar. Prej tre fletoreve të Refleksioneve, njëra mbeti për shumë vite, bashkë me letra të tjera të Monteskjesë, pranë trashëgimtarëve të Lainé, përpara se Prosperi të mund t’i merrte ato; ndërsa shkrime të tjera deri dhe humbën, veçanërisht në shtëpinë Martin, dhe vetëm pjesërisht arritën të gjenden më vonë, disa në tregun e antikuarëve. Mjaftuan këto incidente që të ndërpritet çdo përpjekje për botim. Ishin më pas të bijtë e Prosperit - Gaston, Zherard dhe Godfrua - ata që do të vendosnin ndryshe, në vitin 1889, kur kremtuan në La Brède njëqindvjetorin e dytë të lindjes së Monteskjesë.

Nën kujdesin e Société des Bibliophiles de Guyenne, shkrimet e pabotuara apo pjesërisht të njohura që ishin në zotërim të tyre u shtypën në Bordó, në vëllime të ndryshme, mes viteve 1899 dhe 1901.

Nën kujdesin e tre studiuesve vendorë, profesori Barkhauzen dhe zotërinjtë Dezeimeris dhe Céleste, dy prej këtyre vëllimeve, që dolën përkatësisht më 1899 dhe 1901, nën përgjegjësinë e Gastonit, përmbanin transkriptimin e plotë të Refleksioneve, me një përpjekje të parë për rendimin e lëndës.

Botimi, në vetëm dyqind kopje, pothuaj i gjithi i destinuar për bibliofilët e Gujenës, mbeti i panjohur jo vetëm për lexuesit e lëvruar, por deri dhe për studiuesit e shumtë e mjaft të shquar të Monteskjesë.

Duhet të mbërrihej deri në vënien në ankand të dorëshkrimit, më 23 shkurt 1939, për shkak të një ndarjeje të pasurive ndërmjet trashëgimtarëve të Monteskjesë, që Refleksionet të silleshin në vëmendjen e publikut. Të tre fletoret ishin blerë prej qytetit të Bordosë, dhe botuesi Bernard Grasset, duke shfrytëzuar bashkëpunimin teknik të André Masson, deshi që ai të bënte një zgjedhje sistematike dhe shterruese të tyre, e cila doli në Paris më 1941, me titullin: Cahiers (1716-1755). Faqet e shumta që rrëzëllisin prej mençurisë dhe mprehtësisë që ky libër përmban, mundësia që ai ofron për të njohur karakterin dhe mendësinë e një njeriu kaq të vlertë, dhe i mësuar në shkrimet e tij kryesore me një dendësi shprehjeje që e mban pak larg lexuesin - janë sigurisht të mjaftueshme për të shpjeguar suksesin e bujshëm që Cahiers arritën menjëherë në Francë e në Gjermani; por nuk është e pamundur që ky sukses të rrjedhë edhe prej një interesimi të ripërtërirë për disa vlera njerëzore, të shpallura prej njerëzve të shekullit të tetëmbëdhjetë, e më pas të lëna pasdore për një kohë të gjatë prej një historicizmi tepër të njëanshëm.

Botimi i tanishëm mbështetet në tekstin e dhënë nga Grasset. Titujt e dhjetë pjesëve në të cilat është ndarë materiali i vëllimit janë nga Grasset, i cili i ka nxjerrë pothuaj të gjithë, siç do të shihet, prej moralistëve të mëdhenj francezë, e mbi të gjitha nga La Bruyère.

Titujt e sytheve janë kryesisht të dorëshkrimit. Në botimin e Grasset fragmentet janë të grupuara sipas tematikës, dhe janë shënuar edhe numrat e fletores dhe të faqeve prej të cilave janë nxjerrë.

Në përkthimin tonë tematika është ruajtur, ndërsa hollësitë e tjera bibliofilike janë shmangur për arsye të karakterit të botimit. Edhe të dhënat që jepen në këtë parathënie mbi fatin e kësaj pune të pabotuar në gjallje të autorit, janë nxjerrë po prej botimit nga Grasset.

Të dhëna

Lloji i botimitMe kapak te holle
Viti i Botimit2023
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
GrupmoshaMbi 14 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiQemal Velija