Kategoritë

Ofertat

Lista e librave sipas Shtëpisë Botuese Universiteti Polis

Universiteti POLIS është produkt i “ndjenjës dhe nevojës së ndryshimit” që lindi në fillim të viteve 90-të, një karakteristikë që ai e dëshmon ende sot falë vitalitetit dhe dinamizmit të tij në përballje me kompleksitetin dhe transformimet e të sotmes. Origjina e U_POLIS zë fill me themelimin e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit (1995), si një institut joqeveritar thellësisht profesional, por edhe si një lëvizje qytetare që lobon në favor të pjesëmarrjes së publikut në procese transparente të planifikimit e zhvillimit urban/mjedisor, në funksion të qeverisjes së mirë. Në fillim të viteve 2000, Co-Plan themeloi “Qendrën e Trajnimeve”. Në 2006, kjo qendër u shndërrua në konceptin fillestar të një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL), që u quajt fillimisht: “POLIS, Shkolla Ndërkombëtare e Arkitekturës dhe Politikave të Zhvillimit Urban”. Në vitin 2007, POLIS themeloi edhe “Byrone e Projektimit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë” – MetroPOLIS shpk – si një mjedis profesional që u jep mundësi studentëve dhe stafit të praktikojnë profesionin e tyre.


Aktivitetet e para akademike nisën me programin e studimit në “Arkitekturë” në vitin 2006; dhe me programin e studimit në “Planifikim e Menaxhim Urban” në vitin 2007. Shkolla u akreditua për herë të parë institucionalisht dhe në programe në vitin 2009. Pas kësaj, u hapën programe të reja studimi BSc. dhe MSc. në degët “Art-Dizajn” (2010) dhe Studime Mjedisore (2011). Gjithashtu, në 2010 u hapën gjithashtu 6 profile studimi ndërkombëtare, si Diploma të përbashkëta Master me IHS/ERASMUS University, Roterdam, Holandë. Në 2012 Qeveria Shqiptare miratoi vendimin i cili njohu dhe rriti statusin e POLIS nga “Shkollë e Lartë Universitare“ në “Universitet”. Kjo mundësoi që MASH Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të akordojë në të njëjtin vit edhe të drejtën e Universitetit POLIS për të ofruar “Studime Doktorale”. Kjo tashmë është materializuar me një Program Ndërkombëtar PhD të tipit “Diplomë e Dyfishtë” në fushat Arkitekturë dhe Planifikim Urban, program i zbatuar së bashku me UNIFE, Universiteti i Ferrarës Itali, dhe një rrjet partnerësh europianë. Kooperimi i shkëlqyer me UNIFE po zgjerohet së fundi edhe me një Program “Master Ekzekutiv” për “Restaurimin dhe Konservimin e Trashëgimisë së Ndërtuar”. Më tej, janë hapur edhe programe të reja BSc. dhe MSC. Në fushat “Inxhinieri Ndërtimi” dhe në “Shkenca Kompjuterike”; si dhe dy “Shkolla Profesionale Pas-Sekondare” në fushat e “Efiçencës Energjitike” dhe të “Mirëmbajtjes së Rrjeteve IT”. Një program master i tipit “Diplomë e Përbashkët” për MBA (Administrim Biznesi) është funksional që prej 2014, falë bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin IPAG Paris, Francë. Tashmë po punohet edhe për hapjen e një Programi Bachelor për BBA.


Sot U_POLIS ka tre njësi të mëdha (Fakultete), nëntë njësi bazë (Departamente), dhe një njësi ndër-departamentale, e njohur si “IF, Fabrika e Inovacionit”. Ndërkohë një nga 3 njësitë e mëdha (Fakultetet) merret në mënyrë të posaçme me Kërkim-Zhvillim akademik dhe të aplikuar. POLIS ka themeluar edhe  “Njësinë e Mobilizimit dhe Administrimit të Projekteve” ku zbatohen projekte për arsimin dhe shkencën të vetë-financuara, ose të financuara nga autoritetet shqiptare, nga BE, dhe/ose donatorët bilateralë, etj. POLIS ka një administratë që funksionon në bazë të standardeve ISO-9001/2015. Ndërkohë që të gjitha programet akademike dhe vetë institucioni janë të (ri-) akredituara disa herë si në Shqipëri, por edhe në institucione jashtë vendit. Universiteti akomodon edhe: AUA, Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë; një galeri arti-multimedia (e njohur si: MAD Center); dhe një “Qëndër Ekselence” të UNECE për “Strehimin e Qëndrueshëm dhe Planifikimim dhe Zhvillimin Rezilient” (që njihet edhe si: OMB - Observatori i Basenit Mesdhetar). POLIS organizon çdo vit “Javët e Arkitekturës dhe Dizajnit”, publikon mjaft botime në kuadër të POLIS_Press, përfshi dy revista shkencore ndërkombëtare. Universiteti POLIS është një anëtar institucional dhe nënshkrues i “Kartës së Bolonjës” (Magna Carta), si dhe ka antarësim të plotë në një numër shoqatash europiane të universiteteve, në fushat e tij të interesi.


U_POLIS synon të pajisë një brez të ri me mjetet, teknikat dhe strategjitë për të krijuar lidershipin profesional më të aftë, për të krijuar “hapësirë të jetueshme”, qytete më të barabarta, më të qëndrueshme në kohë dhe më të lidhura me ambientin. Në U_POLIS ne besojmë se procesi i edukimit është një përpjekje e përbashkët.


U_POLIS përpiqet të qëndrojë në pararojë të mendimit dhe praktikës bashkëkohore. Ne besojmë se mënyrat e reja të të menduarit për arkitekturën, sikurse edhe krijimi i një profesioni të ri, ai i planifikuesit urban, kaq të nevojshme për realitetin shqiptar, janë pjesë e ndryshimit të këtij vendi që vrapon drejt së ardhmes.


U_POLIS është “Hapësirë për Mendim” i politikave për zhvillimin hapësinor, dizajnin e aplikuar dhe teknologjinë, si dhe për lidershipin e sipërmarrjen!

për faqe
Shfaq 33 - 52 nga 52 libra
Shfaq 33 - 52 nga 52 libra