Mos ma zen diellin! Shiko më të madhe

Mos ma zen diellin!

Fatmira Nikolla A-000588

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

“Ka dal’ Dielli e s’po ban dritë!”

“Fort po shndrit njaj Diell e pak po nxeh!”

... Janë vargje proverbiale e lejtmotiv të Eposit tonë të Veriut, që ndryjnë në vetvete brenga e drama shumëdimensionale, gati-gati universale. Eshtë mushti i padukshëm por i pranishëm në çdo ind, i një treve që poezinë e ka në genomin e vet!...

... Këto po mendoja kur mora të lexoj poezitë e Mira Nikollës, të renditura në brendësi të titullit të librit “Mos ma zen diellin!” Një libër që, më tepër se ta lexosh, duhet ta ndjesh. Jo aq për gegnishten melodioze, se sa për nevojën e qenësishme për t’u bërë njësh me autoren!

Më shumë detaje

Ky libër nuk është më në stok

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ISBN9789928326652

700 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Se poezitë e saj janë si gurët e një të tëre që qëndrojnë së bashku e së bashku lartësohen e konfigurojnë më pas krejt ngrehinën. Një ngrehinë e bukur që merr kah qielli e kërkon edhe mes të çarave të reve pak Diell e, kur lëngon në këtë pamundësi, geni verior poetik pavetëdijshëm i lëshon piskamën: “Mos ma zen diellin!”

Dhe, Mira Nikolla, nëpërmjet lirshmërisë së të shkruarit, ndjeshmërisë që i vjen vetvetiu në çdo varg, sinqeritetit pa artifice shkollareske që i buron natyrshëm, nuk “e harron” kurrë lejtmotivin e saj e ku, urtë e ku butë, ku me gaz e ku me maraz e ku me “kundragaz”, flet e bërtet e, kur e don puna, vë piskamën:

-“Mos ma zen diellin!” për rranjët a dashinë nga vi, o kushdo qofsh, o ti njeri!

 

“Lema ajrin,

zgjedhjen, lirinë,

e, vetëm më pas

ma shpreh dashninë!

Se malli i saj për gurë e drurë, (e ku është ai më i dhembshur se te emigrantët tanë?!) për nënë e baba, për një pafundësi detajesh poetike në natyrë e në sendet e saj e jo vetëm, për gëzime e hidhërime, për kujtime e nostalgjira, për gjithçka që quhet identitet e shqiptarizëm, është mëse i dukshëm.

-“Mos ma zen diellin!” vargëzon Mira dhe nga ca kapilarë genomesh ne ndjejmë, jo vetëm në frymën e poezisë së saj, Mjedën, bashkëpatriotin e saj të vyer, po edhe Pashko Vasën e Naimin e madh e varganin e ndritur të Rilindjes!

Eshtë një poezi detaji që ajo, jo vetëm din ta qëmtojë, po edhe ta organizojë e konceptojë vetvetiu e natyrshëm, duke i rrokur të gjitha ekstremet tematike, që nga Patriotizmi e deri te Dashuria erotike!

-Autorja s’don me ia “... zan diellin!” edhe te e folmja e ambël poetike gegnishte! (Ec e bëj redaktim te një dialekt pa rregulla drejtshkrimore...!) Po ajo don verën e vjetër, si tipar dallues që ia stazhionon poezinë e nuk pyet për akademizma! Ashtu i vjen natyrshëm të shprehet e ashtu i thotë shija që ndjen!

-“Mos ma zen diellin!”, klith ajo edhe për morinë e gëzimeve e lumturive të veta, për veset e virtytet që e kaplojnë këtë botë, për brengat e zhgënjimet që gjithkush nga ne i ka në jetë! Jo më kot provon dhe fabulën si një lloj arti për të bërë përgjithësime më të qenësishme filozofike.

Poetja jonë s’e hedh vargun në letër po s’e ndjeu e ta bëjë pjesë organike të vetën. Ajo shkruan direkt me penën e ngjyrosur në burimin e saj shpirtëror. E hedh lirshëm, ashtu si t’i vijë, pa lajle e lule, pa e lëmuar e stërholluar!

-Mos ia “... zen diellin!” Mirës, jo vetëm për epizëm, po as për lirizëm! Se ajo kudo i ndërkall të dyja anët e medaljes! Dhe s’mund të mungonte dashuria dhe feminiteti në poret e vargjeve të saj. Kudo!

Një këndvështrim femëror fin i botës së gruas që gjithkush mund ta qëndisë! S’e besoni?!... ok, mjafton të lexoni “Në çantën e një gruaje”!

... Doni dhe të tjera, lirike a epike në daçi apo dhe të përziera, pa didaskalizëm, ashtu siç i kanë rrjedhur vetvetiu? Ja, mjaftojnë ca tituj që mua më kanë mbetur në mendje: “Oxhaku”, “Bjermi lulet nesër”, “E prita”, “Faji i pafaj”, “Hesht” e vazhdoni vetë më pas...!

-S’duhet me ia “... zan diellin!” kësaj poeteje bio, sepse ajo është e drejtpërdrejtë dhe sfiduese. Din të depërtojë edhe brenda dyzimit njerëzor, në fshehtësirat e botës sonë shpirtërore ku kërkon më të mirën e, së pari, dlirësinë! Kërkon dinjitetin njerëzor! Dhe ja, vetëm pak:

“M’u baj si këmisha e natës,

që s’e ndij se e kam veshë...”

Ose:

“Mos m’i bjer lulet sot,

M’i bjer një ditë tjetër,

Një ditë kur nuk i pres,

Pa firmë e pa letër!”

-Unë druaj se në rastin e Mira Nikollës, në vend të “merakut” të saj për mos me ia “... zan diellin!”, mund të ndodhë më pas të na e zërë ajo diellin në hisen e vet të poezisë, në këtë botë ku ka vend për të gjithë. Se autorja e këtij libri ka kohë që bashkëjeton me poezinë edhe pa e ndjerë të qarën e saj në maternitetin e shtëpive botuese. Dhe këtë e dëshmon pjesa e dytë e kësaj “foshnjeje” të parë, ku “lehona” sjell kulturën e vet të poezisë botërore deri në provat e përkthimit e jo thjeshtë si lexuese.

Janë shqipërime nga italishtja e jo thjeshtë përkthime, siç pretendon vetë ajo. Sepse, bashkë me poeten e saj të shquar italiane, Alda Morini, gjejmë dhe Nerudën, Nazim Hikmetin, Zhak Preverin, Bukovskin, etj, Sepse në to ka shtënë dhe pjesëza të shpirtit të saj. Pa i trazuar, po duke ndjerë mirëkuptimn e tyre për një “gatim” Shqipërie!

Eshtë një ndjenjë e brendshme, është Frymë që Mirës iu përvijua vetvetiu e natyrshëm e iu formësua tani kur iu poq dhe ajo e pagëzoi kaq bukur e lirshëm, me emrin që trashëgoi nga trualli poetik i të parëve: “Mos ma zen diellin!”

-Fatmir Musai

Të dhëna

Lloji i botimitMe kapak te holle
Faqe168
ISBN9789928326652
Viti i Botimit2021
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë