Ana Karenina Shiko më të madhe

Ana Karenina

Leon Tolstoj PE0685

Libër i ri

8 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PEGI
ISBN9789928838193

1 200 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

 “Ana Karenina”, kryevepra e Leon Tolstojit, vjen në këtë botim të rifreskuar, po aq tronditëse, madhështore e bashkëkohore sa në kohën kur u shkrua, më 1877. Një klasik i pakohë. Dashuria e çmendur, fatale, plëngprishëse e Ana Kareninës, një grua e martuar, pjesë e aristokracisë ruse, me Aleksej Vronskin, një ushtarak riosh, me një jetë pa vramendje, është strumbullari i kësaj historie.
Po cili është mëkati i vërtetë i Anës, ai i pafalshmi, që e shtyn drejt një akti të pakthyeshëm? Është vitaliteti i saj grafullues, është nevoja e saj për dashuri e sigurisht edhe sensualiteti i ndrydhur. A është një histori dashurie ajo që lidh Anën me Vronskin? Sigurisht, por Tolstoj nuk mbetet në sipërfaqe, nuk zgjatet shumë në aspektin sentimental të lidhjes së tyre, por rrëmon në ndjesitë antagoniste që e gërryejnë Anën përbrenda, përgjithnjë në konflikt mes një dashurie pa kushte dhe normat morale që dikton shoqëria, martesa dhe sidomos ndjenja e fajit për të birin.
Një roman kompleks, i fuqishëm, një mozaik i jashtëzakonshëm i një Rusie shpesh rurale, por edhe qytetare. Ai ka një galeri të pafund personazhesh të spikatura, jeta e të cilëve, ankthet, vuajtjet, ndjenjat e fajit, dashuritë e mundura e të pamundura, feja, vdekja, arti, morali, politika, ekonomia e filozofia gërshetohen mrekullisht e të duket sikur sheh veten në pasqyrë, aq aktual është dhe sot e kësaj dite. “Ana Karenina” është një roman i pasur, që endet mes një shumësie ndjesish e emocionesh njerëzore, është një vepër komplekse mbi kuptimin e jetës.

Dy fjalë për autorin

Shkrimtari rus, Leon Tolstoj (konti Lev Nikolajeviç Tolstoj) konsiderohet mjeshtër i letërsisë realiste dhe një nga romancierët më të mëdhenj të botës, i njohur sidomos për romanet “Ana Karenina” e “Lufta dhe paqja”. Në veprat e tij, ai eksploron marrëdhëniet nga më të ndryshmet të qenies njerëzore. Ato janë cilësuar jo thjesht si vepra arti, por si vepra jete. Tolstoj njihet edhe për personalitetin e tij kompleks dhe paradoksal, si dhe për pikëpamjet e veta jashtëzakonisht moraliste dhe asketike, të cilat i bëri të vetat pas një krize morale dhe një rizgjimi shpirtëror më 1870. Pas kësaj periudhe, ai bë i njohur edhe si mendimtar moralist dhe reformator shoqëror.

Dy fjalë për përkthyesin

Vedat Kokona (1913-1998), ishte shkrimtar, leksikograf e përkthyes ndër më të njohurit e shekullit XX. Përveç fjalorëve të shumtë frëngjisht-shqip e anasjelltas, si dhe shqip-anglisht, Kokona ka sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore nga frëngjishtja, italishtja anglishtja dhe rusishtja. Vedat Kokona është “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, “Oficeri i Palmave Akademike Franceze”, si dhe Doctor Honoris Causa, dhënë nga Universiteti i Tiranë.

Kritika

"Ana Karenina” nuk është një histori alla Romeo e Zhuljeta, histori adoleshentësh fatkeqë, por një histori të rriturish, të torturuar nga kufijtë. Është portretizimi i një përplasjeje mes botës së vjetër me rregulla të ngurta fetare, duele, role gjinore të përcaktuara njëherë e mirë e ndarje klasore dhe një bote të re, me divorce, ndarje, beteja për kujdestarinë e fëmijëve, vetëvendosjes së gruas dhe rregulla morale aspak të prera.
The Guardian

Tolstoji beson se ne jemi të lirë të bëjmë zgjedhje dhe se vullneti ynë i lirë bazohet në diçka të vërtetë. Nga ana tjetër, ai ushqen respekt të madh për kompleksitetin dhe fuqinë e rrethanave; edhe personalitetin e psikologjinë e njeriut, Tolstoji e konsideron pjesë të “rrethanave”. Ekzistojnë caqe për veprimet që mund të bëjmë në botën reale, siç ekzistojnë caqe edhe për atë që mund të ndiejmë, të njohim apo të përfytyrojmë brenda vetes sonë. Këto caqe të brendshme mund të jenë po aq të përhershme sa dhe ato të jashtmet.
The New Yorker

Fragmente nga libri

1) Sikur kjo të ishte një dashuri vulgare dhe e zakonshme nga ato të botës së aristokracisë, do të më kishin lënë të qetë. Ata e ndiejnë se kjo është diçka tjetër, se nuk është një lojë dhe se kjo grua është për mua më e shtrenjtë se jeta ime. Këtë gjë ata nuk e kuptojnë dhe prandaj u vjen inat. Sido që të jetë fati ynë, këtë fat e kemi vendosur ne dhe nuk ankohemi për të. Pale, duan të na mësojnë edhe si duhet të jetojmë. Ata as që dinë ç’është lumturia, ata nuk dinë se pa këtë dashuri për ne nuk ka as lumturi dhe as mjerim, sepse nuk ka jetë.
2) Ai nuk dinte dhe as që mendonte se ku do ta shpinte kjo ndjenjë. Dinte vetëm një gjë: të gjitha fuqitë e tij, që ishin të hallakatura dhe lënë pas dore gjer atëherë, tani qenë bashkuar dhe, me një energji të tmerrshme, synonin të arrinin një qëllim që ishte burim lumturie. Dhe e ndiente veten fatlum për këtë. Ai e dinte se i kishte thënë asaj të vërtetën, se shkonte atje ku ishte ajo, se gjithë lumturia dhe i vetmi qëllim në jetë këtej e tutje ishte ky: të shihte Anën dhe të dëgjonte zërin e saj.
3) Kur mendonte për të, Levini e përfytyronte krejt ashtu si mund ta kishte përpara syve dhe sidomos bukurinë e mahnitshme të asaj koke të vogël me flokë të verdhë, supet e saj të hirshme dhe atë shprehje dëlirësie dhe mirësie miturishte. Pikërisht nga shprehja miturishte e fytyrës së saj dhe nga bukuria e rrallë e atij shtati të derdhur, rrëngjente ai nur i veçantë, të cilin ai e njihte shumë mirë; por ajo që ia lëndonte ngaherë plagën e zemrës sa herë që e shihte, ngaqë i dukej gjithmonë e re, qe shprehja e atyre syve të ëmbël, të qetë e të kulluar dhe sidomos buzëqeshja e saj, që e rrëmbente Levinin dhe e shpinte në një botë magjike, ku e ndiente veten të mallëngjyer e të urtësuar, siç i kujtohej që kishte qenë disa herë në kohën e vegjëlisë.

Të dhëna

Faqe510
ISBN9789928838193
Viti i Botimit2025
GjuhaShqip
StatusiI ri