Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrëfimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare
Kuteli lindi me 13 shtator 1907 në Pogradec, ku mori dhe mësimet e para. Studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934; mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë.
Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e "aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.
Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largue nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.
Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.
Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan si "Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua "me falje" në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese 'Naim Frashëri", dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.
Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.
VEPRA E MITRUSH KUTELIT
“Rrjedhin lumenjtë”
“Vjeshta e Xheladin Beut”
“Lasgush Poradeci” (1937)
“Net shqiptare” (1938)
“Pylli i gështenjave” (1958)
“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)
“Sulm e lotë” (1943)
“Shënime letrare” (1944)
“Havadan më havadan” (1944)
“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)
“Dashuria e berberit Artan” (1946)
“Xinxifilua” (1962)
“Tregime të moçme shqiptare” (1965)
“Tregime të zgjedhura” (1972)
“Baltë nga kjo tokë” (1973)
“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)
“Këngë e britma nga qyteti i djegur”
“E madhe është gjëma e mëkatit”
Nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës dhe disa raporte e kujtime.
Ashtu si çdo autor ka kryeveprën e tij, edhe tek Kuteli, rrëfimi “E madhe është gjëma e mëkatit” është kryevepra e kryeveprave të tij. Jo vetëm nga ngjarja dhe filozofia e madhe që mbart ajo, por edhe nga mënyra e të rrëfyerit si askush tjetër apo, figurat artistike e fantastike, stili i të treguarit e gjithçka të përsosur që ka brenda vepra.
Ndonëse u shkruan 75 vite më parë, pamfletet e Kutelit tingëllojnë aktuale në shoqërinë shqiptare që ende s’i ka shëruar shumë nga plagët e saj të vjetra.
Ky është një nga tregimet e fundit që ka shkruar Dhimitër Kuteli, ku trajton çështjet e cmirës dhe lakmisë për pasuri, të cilat mund të çojnë në krim. Këtë bën Hekuri ndaj mikut të tij, Çelikut, të cilin e vret pasi i refuzoi ti marrë vajzën për nuse dhe e grabiti
Kënga s'ka kufire që ta ndalojnë. Ajo lindet diku edhe, në qoftë se përmban brenda saj ndonjë thërrime arti të vërtetë, shkon gojë pas goje, në krahët e erës... Këngët e kësaj përmbledhje nuk janë, pa fjalë, që të gjitha të lindura në Pogradec.
"Ditë paqe e ditë lufte në Enkelinë e mbret Bardhylit" dhe "Nga Dyrakiona në Bardhonë" flasin për ngjarje që zhvillohen në lashtësi në një cep të Ilirisë së Poshtme. Ky "cep" është Shqipëria jonë e sotme, që bënte pjesë qëmoti në botën e madhe ilire, të zhgalitur dhe të coptuar gjatë shekujve në luftrat e rrepta kundër pushtonjësve romakë dhe më tej...
Ky botim i dytë, veç disa fotove të Kutelit përmban edhe vështrimet Kosova e Kutelit, shkruar nga Sabri Hamiti dhe Tri pamjet (fytyrat) e Kutelit në një libër – Sulm e Lotë, shkruar nga Pandeli Pasko Kuteli
Mitrush Kuteli është ndër kritikët e spikatur të letërsisë shqipe. Falë syrit të tij vëzhgues dhe kurajës së tij u zbuluan, promovuan dhe mbështeten veprat e Lasgush Poradecit dhe Fan Nolit. Ky vëllim përmbledh artikujt e tij kritik për disa autorë të letërsisë shqipe
Mitrush Kuteli vjen para lexuesve me permbledhje me te plote me poezi, poema dhe balada. I gjithe botimi shoqerohet me faksimile te poezive te shkruara ne origjinal nga nje prej mjeshtrave me te shquar te letrave shqipe te Shekullit te XX.