Pashko Vasa

Pashko Vasa lindi në Shkodër, më 17 shtator të vitit 1825. Ai ishte atdhetar, poet e rilindës i shquar.


Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847. Fliste disa gjuhë të huaja: anglisht, italisht, frëngjisht, turqisht, greqisht e serbisht.


Më 1847 vajti në Itali, ku mori pjesë radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë Qytetare.


Në shpalljen e Republikës Venedikase, nga Daniele Manin, mori pjesë në kryengritjen e popullsisë kundër austriakëve. Austriakët e detyruan të largohej në Stamboll, ku u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Punoi në Halep të Sirisë dhe disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht "Gramatikë e shqipes".


Më 1862 u kthye në Shkodër. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e një alfabeti të vetëm.


Më 1867, ishte në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët me bazë alfabetin latin.


Më 1869 mori pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor.


Më 1871, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nisi orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë.


Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të "Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip".


Pashko Vasa është autor i një sërë veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur. Botoi "Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë (Kostandinopojë, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, "E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët" (Paris, 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasës i përket edhe vepra "Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut" (Konstandinopojë, 1865).


Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes: "Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe" (Konstandinopojë, 1878), "Gramatika shqipe për t'u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi" (Londër 1887).


Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej: ai është autor i vjershës së njohur "Moj Shqypni, e mjera Shqypni!" (1880), e cila u botua si fletë fluturuese dhe u këndua si himn patriotik, duke luajtur rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është "Bardha e Temalit" (Paris, 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet '40 të shek. XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht "Rose e spine" (1873).


Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.


Më 29 qershor të vitit 1892 u nda nga jeta në Bejrut.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 4 nga 4 libra
  • Shikim i shpejtë
    500 Lekë Në stok

    “Bardha e Temalit” është një roman dashurie, por njëherësh është edhe një pasqyrë e shoqërisë shqiptare të shekullit të kaluar, më mirë të themi e një pjese të kësaj shoqërie, e Shqipërisë Verior. Te “Bardha e Temalit”, ashtu si në shumë vepra të tjera, dashuria e vërtetë, është e dënuar që në fillim të përfundojë me tragjedi.  

    500 Lekë
    Në stok
  • Shikim i shpejtë
    1 000 Lekë Nuk është në stok

    Ky libër historik i njërit prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasës, vjen në botimin dygjuhësh, në shqip dhe në origjinalin frëngjisht.

    1 000 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    1 000 Lekë Nuk është në stok

    E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët, studim historik prej Vassa Efendi, përkthim nga frengjishtja dhe komentim prej Mehdi Frashërit. Ky botim anastatik është mbështetur mbi përkthimin e veprës nga Mehdi Frashëri të shtypur në Tiranë më 1935ën.

    1 000 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    400 Lekë Nuk është në stok

    400 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
Shfaq 1 - 4 nga 4 libra