Gi De Mopasan

Gi De Mopasan është autor tregimesh, novelash dhe romanesh. Stili i tij përfshihet në rrymat letrare të realizmit dhe natyralizmit. Shquhet edhe për mënyrën se si ka ndërthurur në një dimension të jashtëzakonshëm shumë prej tregimeve të tij

Gi dë Mopasan, u lind më 5 gusht të vitit 1850, në Fekamp. Kalon një fëmijëri të lumtur në Etrëta, në bregdetin e Normandisë në Francë. Në këtë ambient rural, ai arsimohet nga një abat dhe nga e ëma e tij, një grua me kulturë letrare të gjerë. Fëmijëria e tij kalon në një vatër familjare të përçarë, me një nënë që vuante nga neuroza, por që e adhuronte dhe nga një baba i dobët të cilin e përbuz, aq sa dyshon edhe në atësinë e tij. Kohën tjetër e kalon herë në port, e herë në fshat, ku njihet me peshkatarë dhe fshatarët e zonave përreth nga ku më vonë gjen frymëzim për shumë nga personazhet e tij.


Në moshën dymbëdhjetëvjeçare e dërgojnë në një institut fetar në Ivëto, që bëhet shkas i përbuzjes së tij ndaj fesë. Aty qëndron deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare.


Mësuesit e tij e cilësonin si individ i cili nuk i duronte kufizimet e institutit ku ndodhej mes dishepujsh të prirur për t’u bërë vetëm priftërinj. Në këtë periudhë fillon edhe esetë poezike me frymëzim simbolist. Kalon një pjesë të mirë të kohës në bregdet në Etrëta, ku lexon dhe noton më nge.


Për shkak të mungesave të bëra si pasojë e ‘sëmundjeve’ të kuruara në ajrin e qytetit Etrëta, largohet nga institucioni fetar dhe shkon në liceun Corneille në Ruen, që shënon një kthesë në jetën e tij. Përfundon liceun dhe regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë në Paris.


Mbas përfundimit të kolegjit, Mopasani mobilizohet në korrik të vitit 1870 në luftën kundër Prusisë. Një pjesë e mirë e tregimeve tij janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë periudhë, ku shfaqet urrejtja për pushtuesin dhe heroizmi i njerëzve të përulur. Këtu mund të përmendim “Bufalaqja”, “Zonjusha Fifi”, “Nëna Sovazh”, ”Dy miqtë” etj.


Çmobilizohet në nëntor të vitit 1872 dhe pastaj punon në Paris si funksionar në Ministrinë e Marinës për dhjetë vjet dhe më pas në Ministrinë e Arsimit Publik. Këto funksione nuk i ngjallin asnjëfarë interesi dhe në vitin 1880 i jep fund karrierës në administratë për t’iu përkushtuar tërësisht veprimtarisë letrare i nxitur edhe nga shkrimtari Gustav Flober.


Në vitin 1875 boton disa tregime fantastike me pseudonimin Zhozef Prynje, ndër të cilat Dora dhe Doktori Heraklius Glos. Funksionet në ministri krijojnë një tjetër mjedis që ai e shfrytëzon për të krijuar të tjera tregime si: “Të dielat e një borgjezi nga Parisi”, botuar në vitin 1880 dhe “Vrasësi” në vitin (1887).


Ndërkohë që vargjet e para i shkroi në seminar, në moshën trembëdhjetëvjeçare dhe në bankat e liceut në Ruen, dhuntinë e vërtetë letrare e zhvillon vetëm pas vitit 1880. Në këtë kohë, Flober, një mik i vjetër i së ëmës e prezanton në rrethet letrare natyraliste dhe realiste.


Në sallonet letrare njihet me shkrimtarët e njohur, Turgenjev, Zola dhe vëllezërit Gonkur. Ai pati vazhdimisht mbështetjen e autorit të librit “Zonja Bovari”, i cili e konsideronte si birin e tij shpirtëror. Fillimisht publikoi disa vargje, tregime dhe pjesë për teatër që nuk patën ndonjë sukses kush e di çfarë. Më pas kur publikon përmbledhjen me tregime nga lufta “Bufalaqja” në vitin 1880, arrin të fitojë vlerësimin e Floberit i cili vdes po atë vit dhe për novelën shprehet se është një ‘kryevepër që do të mbetet’.


Për shkak të shqetësimeve të shëndetit, të shikimit dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj të ftohtit, kalon shumë kohë në Antibe, në Kanë, Etrëta etj. Më në fund, në vitin 1880 Mopasani bëhet i famshëm.


Publikimi i novelës “Bufalaqja” është aq i suksesshëm sa i hap dyert e profesionit të gazetarit. Fillon të shkruajë artikuj, tregime, fejtone dhe reportazhe të shumta në gazeta si Le Figaro, Gil Blas, Le Gaulois dhe Écho.


Tregimet e tij i boton në përmbledhjet me titull: “Shtëpia Telje” (1881), “Tregime të ditës dhe të natës” (1885). Si reporter i madh i gazetave të përditshme Le Gaulois dhe më pas Gil Blas, nga 1883 deri më 1890 bën katër udhëtime në Afrikën e Veriut, gjatë së cilave mban shënime të shumta dhe ndërkohë boton tregime të shumta nëpër gazetat kryesore. Në vitin 1881 botohet “Shtëpia Telje”. Me rritjen e suksesit, shtohen edhe veprat.


Ndërmjet viteve 1882 dhe 1884 boton pesëdhjetë tregime ndër të cilat disa shumë të ngjashme nga tema me librin “Kujtime të një Gjahtari” të Turgenjevit. Publikon edhe romane realiste, ndër të cilat përmendim “Një Jetë” (1883). Libri njeh një sukses të jashtëzakonshëm.


Vazhdon të botojë më shumë romane si Bel Ami në vitin 1885, një vepër kyçe, që ngjason shumë me autorin e saj, një gazetar elegant, i shoqërueshëm, joshës dhe bukurosh, por i tmerruar nga ideja e vdekjes.


Në vitin 1887, “Mont-Oriol”, një tjetër roman ku kundërvihen përmes personazhesh tipikë, kapitalizmi parisian me pronarët e vegjël të fshatit. Vazhdon me idetë mbi dualizmin, si te vepra “Horla” e vitit 1887. Rri për një kohë të gjatë në Etrëta dhe gjatë verës së vitit 1887, brenda tetë javëve shkruan Romanín “PCER dhe Zhan”, me temë tradhtinë bashkëshortore të një familjeje borgjeze, e cila del sheshit në sajë të një trashëgimtari të jashtëm të familjes. Në të autori shpreh konceptet e tij mbi romanin, vizionin vetjak mbi botën.


Në dy romanet e tij të fundit, “I fortë si vdekja “(1888) dhe “Zemra jonë” (1890) pason një kthesë rrënjësore në stil, me personazh një punëtor dhe një muzikant. Romanet priten mirë nga kritika dhe publiku.


Në sajë të suksesit, Mopasani bëhet i pasur. Blen një jaht në vitin 1885 dhe udhëton në Afrikën e Veriut, në Itali, në Angli, në Bretanjë, në jug të Francës dhe në Sicili. Frekuenton shpesh mbrëmjet pariziane, por e ka të vështirë të bëhet pjesë e gjallë e kësaj farse sociale. Për Mopasanin ato mishërojnë dukuritë që në romanet e tij ai i përshkruan me cinizëm: mizoria e qenies njerëzore e shprehur përmes veseve më të këqija: egoizmit, babëzisë, marrëzisë etj…


Në vitet e fundit të jetës Mopasani ishte prekur nga shqetësime nervore për shkak të sifilizit. Urrejtja e tij për shoqërinë, që shtohet me rritjen e paranojës së tij, e detyrojnë të izolohet. Ndërkohë, sëmundja e sifilizit gati e paralizon të tërin dhe i dërrmuar edhe nga vdekja e vëllait të tij në nëntor të vitit 1889, në muajt në vijim gjendja e tij rëndohet dhe më 6 janar të vitit 1892, pas një tentative vetëvrasjeje, shtrohet në një klinikë. Aty kalon tetëmbëdhjetë muaj vuajtjeje, ku herë – herë binte në gjendje dalldie gjatë së cilave thoshte se komunikonte me botën e përtejme. Vdiq më 6 korrik të vitit 1893, duke lënë dy romane të papërfunduara: “Angelus” dhe “Shpirti i huaj”.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 7 nga 7 libra
  • Shikim i shpejtë
    700 Lekë Në stok

    Shkruar kur Maupassant ishte në kulmin e fuqive të tij, "Bel-Ami" është një roman i sinqeritet të madh dhe cinizmit; vepra është e mbushur edhe me gëzimin absolut të jetës - përshkruan skena dhe karaktere të Parisit të belle Epoque me zgjuarsi dhe ndjeshmëri.

    700 Lekë
    Në stok
  • Shikim i shpejtë
    650 Lekë Në stok

    Mopasani është shkrimtari i parë i shekullit XIX të që e ka trajtuar në thellësi problemin e çmendurisë, jo si delir, por me tematikë klinike dhe të frikës. Horla është ai Tjetri, vëllai ynë i natës, që dyshon për ne, që na përkëdhel, që na përgjon, që i jep të gjitha veprimeve tona një kuptim negativ e pervers.

    650 Lekë
    Në stok
  • Shikim i shpejtë
    600 Lekë Në stok

    Në këtë përmbledhje me tregime dhe novela janë përfshirë: Roza, Hakmarrja, Dikur, Prika, Një mbrëmje, Zhozefi, Dëbora e parë, Një gjel këndon, Iveta, Në pyll etj. Gi de Mopasan (1850-1893) është prozator i shquar francez, një ndër përfaqësuesit më në zë të natyralizmit, njohës i thellë i jetës së kryeqytetit e provincës së Francës, në fundin e shekullit XIX.

    600 Lekë
    Në stok
  • Shikim i shpejtë
    600 Lekë Në stok

    Në këtë vëllim janë zgjedhur me kujdes disa nga tregimet dhe novelat më të bukura të shkrimtarit të madh francez, si Motrat Rondoli, E vdekura, Horla, Endacaku, Dhoma 11, Gruaja ime, Zonja Herme, Dora rrjepacake etj. Kjo përmbledhje vjen në shqip nga dora mjeshtërore e Nasi Lerës.

    600 Lekë
    Në stok
  • Shikim i shpejtë
    400 Lekë Nuk është në stok
    I ri

    Topi me Dhjamë është nga novelat më të famshme të Mopasanit, e cila është shkruar në fund të vitit 1879 dhe ishte befasia më e madhe sa për përcjelljen e tablosë reale të ngjarjeve të Luftës Franko-Prusiane, të njerëzve që morën pjesë në të nga të dy anët, të ndjenjave, mendimeve, aq edhe për veprimet e tyre me mjeshtëri të paimitueshme.

    400 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    800 Lekë Nuk është në stok
    I ri

    Nje nga mjeshtrat me te medhenj te tregimit europian, Guy De  Maupassant vjen me nje permbledhje ne shqip permes perkthimit te mjeshtrit te madh, Halit Selfo, nen siglen e shtepise botuese Zenit. Ne kete vellim jane perfshire tregimet: “Dy miq”, “Zonjusha Fifi”, “Shtepia Telje”, “E bija e Tokes” dhe “Lumturia”.

    800 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    600 Lekë Në stok

    Nga mjeshtrit e mëdhenj të traditës shqipe të përkthimit, Halit Selfo dhe Vedat Kokona, vijnë në shqip Zonjusha Perlë, Dramë e një zemre të përulur, Kokoja, E bija e Rokës, Historia e një shërbëtoreje, Fuçia e vogël, Shtëpia Telje, Zonjusha Fifi etj.

    600 Lekë
    Në stok
Shfaq 1 - 7 nga 7 libra