...Konteksti, me një fjalë struktura mbështetëse e tërë ligjëratës, është “gjendja intelektuale” e fundit të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe fillimit të të tetëmbëdhjetit. Tashti, në një “republikë dijeje”, shkrimtarët, dijetarët dhe politikanët piqen në një truall të përbashkët.
Shquajmë qartazi atmosferën e Republikës së Platonit, ashtu siç njohim teoritë politike dhe metaforat e Leviatanit të Hobsit.
Suifti vepron në një etapë komplekse të tranzicionit, në atë që mecenatizmi aristokratik dhe fuqia arbitrare i lëshojnë duarduarshëm terren mbizotërimit të mendimit publik dhe pavarësisë së njeriut të letrave..
Në këtë zhvillim luajnë një rol vital edhe botuesit, bibliotekarët, librarët dhe kronistët e faqeve letrare të periodikëve. Po përvijohet kësisoj fizionomia moderne e botës së librave, me investimet e saj të pavarura dhe tregtimin.
Që ta kuptojmë siç duhet rolin e Suiftit, duhet që këtë aspekt ekonomik t’ia shtojmë konfliktit, shpeshherë të hidhur, ndërmjet konservatorëve dhe liberalëve.
Libri i Udhëtimeve të Guliverit dhe Vjedhja e kaçurelit e Poupit janë ndër shembuj e lavdishëm të kësaj gjinie të veçantë. Pallete të picërruar në masën e shtëpive të kukullave, çajnikë, shtiza çorapesh, kuleta të vocrra e shishka parfumesh përcaktojnë vendin dhe skenarin e veprimit...
Nga rrëgjimi i duarduarshëm surreal rrjedhin saktësime grotkeske: beteja e Suftit zhvillohet “të premten e shkuar në Bibliotekën Mbretërore”; poetët janë shndërruar në toga të kalorësisë së lehtë, këmbësorët janë rekrutuar nga mesi i historianëve, përkthyesit janë të domosdoshëm, porse mercenarë pathadorë... Katalogu i kapedanëve rivalë është një parodi e përpiktë që minimizon, përmes teprisë retorike, thirrjen nën armë të Iliadës.
Edhe në këtë pamflet, proza e Suiftit ndez llamba të një shkëlqimi therës. Në disa çaste, mujshia e zërit të Suiftit, në intonacionin e tij karakteristik, porse larg parodisë, gjallëron betejën librore. Edhe sot, një lexuesi të vëmëndshëm nuk do t’i shpëtojë mëria politike dhe shoqërore, që rrjedh nën sipërfaqen komike: saeva indignatio, si gjithnjë te autori i Guliverit!
Pjesa është marrë nga “Hyrje” e Georges Steiner
| Lloji i botimit | Me kapak te holle |
| Faqe | 78 |
| Viti i Botimit | 2018 |
| Vendodhja | Tirane |
| Gjuha | Shqip |
| Tipi i publikimit | Libër |
| Numri i botimeve | I parë |
| Përkthyesi | Azem Qazimi |
Kryevepra e Suiftit Udhëtimet e Guliverit u botua pa emrin e autorit më 1726, duke arritur menjëherë një sukses të madh. I shkruar me një stil të thjeshtë, por në të njëjtën kohë të mprehtë dhe gjithë fantazi, romani zuri vend në veprat klasike të letërsisë për fëmijë, edhe pse është i mbushur me analiza dhe mendime për nivele të ndryshme lexuesish.