Shkrimtarja suedeze Astrid Anna Emili Lindgren (Ericsson) 1907 – 2002- është njëra nga shkrimtaret më të shquara në fushën e letërsisë botërore për fëmijë. Shumë nga librat e saj kanë burim frymëzimi dhe tharm familjen e saj, peizazhet e vendlindjes, si dhe kujtimet e fëmijërisë. Pipi Çorapegjata është një nga personazhet e saj më të famshëm, i cili lindi, u krijua dhe “u shpik” nga lutjet dhe kërkesat e njëpasnjëshme të bijës së saj, Ka(e)rinit, që aso kohe ishte e sëmurë, dhe i kërkonte me këmbëngulje nënës së saj t’i tregonte përralla. Dhe rrëfimet e saj përqëndroheshin te tregimet me emrin Pipi
Madhështia e profilit të kësaj shkrimtareje të njohur suedeze e librave për fëmijë qëndron në faktin se, po rinovonte letërsinë suedeze për fëmijë me personazhet e saj, të cilët ishin të një natyre e mendësie të pavarur, energjikë, të pazakontë..., si: Pipi e çrregullt, fëmijët e zhurmshëm Nyman, Emil – mjeshtër i prapësive. Duke vazhduar me këtë tipologji e galeri personazhesh që na dhuroi shkrimtarja, ne i shohim: tërheqës, pak anarkistë brenda çdo fëmije të vogël. Lindgren thyen traditën e vendosur nga Elsa Beskoë, ku gjejmë personazhe që sillen mirë, dhe ata bëjnë më të mirën e tyre për të jetuar deri në pritjet e prindërve të tyre.
Librin e parë e botoi më 1944, kur ishte 37 vjeçe. Ndërsa në vitin 1954, botoi librin e vet ‘më të zymtë’ të deriatëhershëm të titulluar “Vogëlushi im, Imi”.
Astrid Lindgren e fitoi shpejt kohën e humbur dhe, kur mbushi të 50-at jehona e vlerave dhe e madhështisë ishte përhapur në botë dhe e kishte “pushtuar” atë. Ka shkruar rreth 83 libra, shumica dërmuese për fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e vet. Nga to janë xhiruar 43 filma e seriale televizive.
Krijimtaria e saj letrare, veçanërisht me veprat madhore “Pipi Çorapegjata” e “Piciruku dhe Karlsoni - njeriu që banonte mbi çati” trokitën në mënyrë magjike në çdo shtëpi suedeze dhe u bënë të pranishme tek miliona familje anë e kënd botës, duke u bërë kështu vepra e saj një pjesë e rritjes së miliona fëmijëve në gjithë rruzullin tokësor. Lingren është botuar në mbi 100 milion kopje dhe është përkthyer në mbi 80 gjuhë të botës. Ka marrë 45 çmime kombëtare e ndërkombëtare. Por gjëja më e rëndësishme në jetën e shkrimtares-gjyshe, deri sa jetoi, kanë qenë shtatë nipat e nëntë stërnipat, për të cilët dashuria e saj ishte e pakufishme.
Nuk ka libra për këtë autor