Prof. dr. Ing. Pal Nikolli është pedagog, Hartograf dhe njëherësh avokat. I diplomuar “Inxhinier Gjeodet” me rezultate shumë të larta, ka shkruar disa libra në fushën e hartografisë
Pal Mark Nikolli, shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në Kurbnesh (Mirditë), ndërsa shkollën e mesme të përgjithëshme e kreu në Rrëshen (Mirditë). Është diplomuar “Inxhinier Gjeodet” me rezultate shumë të larta në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. I specializuar për Hartografi dhe Sistemet e Informacionit Gjeografik - GIS (Itali – 1994, 1995, 2001, Gjermani – 2001, 2002, etj.), është "Doktor i shkencave" në fushën e hartografisë me mbrojtjen e temës “Studim mbi dinamikën e bregdetit në zonën Seman - Shkumbin” (1994); mban titujt akademik “Profesor i Asociuar” (1999) dhe “Profesor” (2016) dhe titullin “Avokat” (2008).
Prej më shumë se 30 vjet është ligjërues, fillimisht i lëndëve “Hartografi Matematike”, “Përpilimi dhe botimi i hartave” dhe “Hartometri” në degën e gjeodezisë të Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) dhe më pas, i lëndëve "Elemente të hartografisë", "Hartografi tematike", "Interpretimi i fotografive ajrore dhe imazheve satelitore" dhe "Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS)" në degën e gjeografisë të Universitetit të Tiranës (UT) dhe në nivelin “Mastër” në fakultetin e GJM të UPT.
Interesi i tij kërkimor është i orientuar kryesisht në hartografi, GIS/Remote Sensing dhe analizat e dinamikës së bregdetit. Me punimet e tij shkencore prof. dr. Pal Nikolli ka dhënë dhe jep një kontribut të çmuar edhe në drejtim të hartografisë historike të Shqipërisë. Është autor dhe bashkautor i më shumë se 100 artikujve dhe studimeve të publikuar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, i më shumë se 80 referimeve e kumtesave në seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit, 13 teksteve universitare, 3 monografive, disa librave, atlaseve gjeografik, disa projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe rreth 20 artikujve me karakter shkencor në shtypin e përditshëm.
Anëtar i disa organizatave e shoqatave shkencore kombëtare e ndërkombëtare si: "European VLBI Group for Geodesy and Astrometry", "Association for Geospatial Information in South-East Europe", "South-East European Research Association on Geo Sciences - Geo-SEE", etj.
Anëtar i redaksisë së revistës "Gjeomatika" botim i Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë dhe zv/kryeredaktor i revistës "Gjeoinformacionet & Gjeomatika", botim i shoqatës mbarëkombëtare të gjeodetëve e hartografëve shqiptarë, "Karl Gega", etj. Recensues i disa teksteve, monografive dhe artikujve të botuar në revista shkencore ndërkombëtare; anëtar i komitetit ndërkombëtar organizues të disa konferencave ndërkombëtare mbi infrastrukturën e të dhënave hapësinore, etj.
Në mars të vitit 2011, me punimin në bashkëautorësi me Prof. dr. Bashkim Idrizi (Maqedoni), prof.dr. Murat Meha (Kosovë), dhe prof.dr. Ismail Kabashi (Austri) "Data quality of Global Map and some possibilites/limitations for its wide utilization for global issues" ka fituar shpërblimin e punimit më të mirë në nivel botëror nga Federata Ndërkombëtare e Gjeodetëve (FIG), si shpërblim më i lartë që FIG-u ndan për punimet shkencore nga lëmi i gjeodezisë dhe hartografisë.