Jukio Mishima (1925 – 1970), një shkrimtar shumë produktiv, nga shumë kritikë konsiderohet të jetë novelisti më i rëndësishëm japonez i shekullit XX. Veprat e Mishimës përfshijnë 40 novela, poezi, ese dhe drama moderne. Ai është nominuar tri herë për çmimin Nobel për letërsi.
Jukio Mishima (1925 – 1970), një shkrimtar shumë produktiv, nga shumë kritikë konsiderohet të jetë novelisti më i rëndësishëm japonez i shekullit XX. Veprat e Mishimës përfshijnë 40 novela, poezi, ese dhe drama moderne. Ai është nominuar tri herë për çmimin Nobel për letërsi.
Në mesin e kryeveprave të tij është pikërisht romani "Kinkakuxhi", i shkruar më 1956, ndërsa tetralogjia "Deti i plleshmërisë" (1965 – 1970) konsiderohet të jetë arritja më e madhe e Mishimës. Si shkrimtar, ai është frymëzuar nga letërsia paramoderne, japoneze dhe botërore.
Jukio Mishima, i cili është lindur me emrin Hiraoka Kimitake, ka qenë i rrëmbyer së tepërmi nga patriotizmi perandorak japonez dhe fryma e samurajëve. Më 1968, ai themeloi shoqatën "Mburoja", një armatë private prej rreth 100 të rinjsh e përkushtuar që të ripërtërijë Bushidon, kodin e nderit të samurajëve.
Më 1970, ai mori kontrollin e shtabit perandorak në Tokio, në përpjekje për të zgjuar kombin dhe për t'ia kthyer atij idealet heroike nacionaliste të paraluftës së Dytë Botërore. Pas dështimit, më 25 nëntor 1970, Mishima bëri vetëvrasje me harakiri, mënyrë tradicionale e samurajëve, me shpatën e tij. Para se të vdiste, ai thirri: "Rroftë Perandori!". Në ditën e vetëvrasjes, Mishima ia dorëzoi botuesit faqet e fundit të veprës "Deti i plleshmërisë", që është një histori e përvojës japoneze të shekullit XX.
"Kinkakuxhi" është bazuar në një ngjarje të vërtetë të vitit 1950 kur Japonia u trondit nga lajmi se një murg i ri budist kishte djegur të famshmin tempull "Tempulli i Artë", në Kioto. Ky tempull, një kryevepër e arkitekturës dhe e aranzhimit lulishtar budist, kishte qenë për më shumë se 500 vjet njëra ndër mrekullitë e botës japoneze