Aleksandër Stipçeviq (1930 – 2015) është historian, akademik kroat (me origjinë shqiptare), i cili konsiderohet si një nga studiuesit më të mirë të çështjes ilire dhe prejardhjes së shqiptarëve
Aleksandër Stipçeviq lindi më 10 tetor 1930 në Arbnesh të Zarës, në Kroaci në vitin 1930. Origjina e largët e familjes së tij vjen nga rrethi i Shkodrës, ku të parët e tij u zhvendosen treqind vjet më parë në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri te Akademia e Shkencave të Kroacisë. Që nga viti 1987 ka qenë profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mbante kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: “Historia e ilirëve”, “Arti i ilirëve”, “Simbolet e kultit te Ilirët”, “Bibliografi për ilirët”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Interpretime albanologjike”, etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohej me rezultatet më të reja të studimeve rreth ilirëve. Aleksandër Shandri Stipçeviq vdiq më 31 gusht 2015.
Një epokë dhe traditë e paraardhësve të drejtpërdrejtë të shqiptarëve që vjen në një këndvështrim origjinal nga historiani kroat Aleksandër Stipçeviq përmes një pune të gjatë kërkimore shkencore dhe me një analizë briliante, duke u kthyer në një libër referues jo vetëm për shkencën shqiptare, por edhe për atë perëndimore