Dhimiter Anagnosti

Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik - VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator (drejtor fotografie). Ai ka realizuar shume filma, ka shkruar skenare dhe romane, dhe drama

Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik - VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator (drejtor fotografie). Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” - sipas tregimit të Hemingëay-t - që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961).


Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar.


Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.


Filmat e tij më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).


Në një ceremoni madhështore në Romë iu akordua çmimi i rëndësishëm “Il Lazio tra Europa e Mediterraneo”, 2006 - për audiovizivin dhe kontributin në zhvillimin e artit në Shqipëri, ku u vlerësuan dhe u nderuan tetë personalitete nga vendet e Mesdheut.


Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.


Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike. Më pas krijoi dhe drejtoi Fondacionin “Fan S. Noli” për kulturën dhe artin.


Në vitin 1995 shkroi dhe vuri në skenë dramën “Nata e trokitjeve në xhama” dhe në vitin 2006 u shfaq filmi i tij më i fundit “Gjoleka, djali i Abazit”.


Ka dhënë vazhdimisht kontributin e tij në përgatitjen profesionale të brezit të ri të kineastëve.


Gjatë viteve të fundit, aktiviteti i tij artistik ka vazhduar me publikimin e veprave të tij letrare. Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).


Botime letrare:


- Përrallë nga e kaluara; Gjoleka, djali i - Abazit - dy skenarë letrarë (2009)


- Nata e trokitjeve në xhama – dramë (2009)


- Koburja nga Europa - roman (2011)

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 1 nga 1libër
Shfaq 1 - 1 nga 1libër