Lindi në Tepelenë në vitin 1957. Studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe. Punoi disa vjet minator dhe mësues në vendlindje. Më pas gazetar në gazetën “Zëri i rinisë” (1985-1988); shef i redaksisë së poezisë, dramës dhe kritikës letrare në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” (1989-1993); bashkëthemelues i gazetës së parë pluraliste “Rilindja Demokratike” (1990-1992); bashkëthemelues i gazetës “Dita Informacion”, 1993; themelues i gazetës “Populli PO” dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica” (1993-1996); Konsull i Përgjithshëm në Janinë (1998-2003); Konsull i Përgjithshëm në Selanik (2003-2006); specialist dhe drejtor i Akademisë Diplomatike dhe Drejtor i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2006-2016). Në vitet ’90-’98 ka qenë anëtar, koordinator dhe nënkryetar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ka botuar librat me poezi:
“Diell mbi kasketë”, 1978;
“Poezi”, 1985 - nderuar me Çmimin e Republikës;
“Mos më pyet ku kam qenë”,1988 - vlerësuar si Libri më i Mirë Poetik për të Rinj;
“Pema e ëndrrës”, 1990, Rilindja, Prishtinë - nderuar me çmimin Libri Poetik më i Mirë i Vitit;
“Të gjallë dhe të vdekur”, 2015 - nderuar me çmimin Poeti i Vitit 2015, Fondacioni Harpa;
“Një ambasador në vetë të parë”, 2016, botim monografik.
Në tetor 2016, për kontributin në fushën e letrave, u nderua me çmimin e artë Aleksandri i Madh në Greqi.
Ka botuar shumë shkrime analitike dhe eseistike.
Poezitë e tij janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës.
Ilirian Zhupa është një befasi poetike, jo në kuptimin e çastit poetik, por në kuptimin e dinamikës dhe të vazhdimësisë së gjithë krijimtarisë së tij poetike.