Amik Kasoruho lindi me 20 nentor 1932 ne Tiranë dhe u nda nga jeta me 5 maj 2014. Ai eshte shkrimtar, përkthyes i mirënjohur, romancier dhe publicist.
Ishte vetëm 17 vjeç kur u arrestua nën akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Pasi doli nga burgu jetoi në Kavajë në periudhën 1956-1962. Më tej u dëbua familjarisht në Gosë, ku jetoi për gati 30 vjet, deri në vitin 1990.
Nga 1956 -1960 punoi si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë, më pas si punëtor ndërtimi në Gosë, gjeometër, si teknik ndërtimi në NSHN Durrës. Pas rrëzimit të diktaturës largohet drejt Italisë, ku qëndroi deri në vitin 2009. Në këtë periudhë u mor me publicistikë, përkthime dhe shkrimtari. Vdekja e tij erdhi pas një sëmundje në mushkëri.
Më së shumti krijimtaria e tij u fokusua në fushën e përkthimit dhe të publicistikës. Ka sjellë në shqip mbi 60 vepra të autorëve të huaj dhe ka përkthyer mbi 10 autorë shqiptarë në gjuhë të huaj.
Vepra të tij
• “Një ankth gjysmëshekullor” (1997)
• “Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000)
• “Midis qiellit dhe burgut”
• “Ikje nga trilli i perëndive” (Roman autobiografik)
• “Pa mëri - Publicistika e jetës sime” (2013), (Përfshihen shkrime dhe intervista të autorit, botuar në shtypin shqiptar.
Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj. Një ndër përkthimet e tij të fundit ishte edhe "Revolta e Atlasit" e shkrimtares dhe filozofes së mirënjohur amerikane Ayn Rand.
Kasoruho eshte fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në vitin 2000 ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”. Kasoruho është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”.
"Një ankth gjysëmshekullor", është dëshmia jo e një, por e disa "brezave të humbur" dhe, ç'është më tragjikja, është dëshmia e një kohe fatalisht të humbur për atdheun tonë të martirizuar e të nëpërkëmbur gjatë shekujve.
Jeta e një njeriu, e ndërprerë nga një regjim dhe e rinisur shumë kohë më vonë, pasuria shpirtërore e mohuar, e ndaluar për një “biografi”, por e ringjallur sërish.
Një libër që bie si një gur në pellgun e historiografisë, thyen heshtjen fajtore të së kaluarës dhe të së sotmes, hulumton në natën e diktaturës dhe sinjalizon horizonte të reja kërkimi.