Robert Elsie

Robert Elsie ka lindur më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë. Ai u nda nga jeta më 2 tetor 2017 pas një aktiviteti të madh studimor për kulturën, traditat dhe historinë shqiptare. Elsie gjithë jetën, formimin, energjitë intelektuale e shpirtërore ia kushtoi botës shqiptare dhe vlerave identifikuesve të saj nëpër shekuj.


Pasi mbaroi studimet universitare për filologji klasike në University of British Columbia, plotësoi formimin e vet me disa specializime të njëpasnjëshme në disa universitete të njohura europiane: fillimisht në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin); në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn).


Në vitin 1978 përfundoi studimet e doktoratës dhe po atë vit vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Kontaktet e para me botën shqiptare ai i realizoi përmes pjesëmarrjes në seminarin e përvitshëm të Prishtinës, i njohur si Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.


Për një kohë të gjatë, prej mbi një dekade, Robert Elsie punoi si funksionar në ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë (2002-2013), duke kryer ndër të tjera edhe detyrën e përkthyesit në Gjykatën Speciale të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.


Veprimtaria kërkimore dhe shkencore e Robert Elsie-së është me karakter të shumanshëm. Ajo përfshin pothuajse të gjitha fushat e albanologjisë: historinë politike dhe atë kulturore; etnografinë, etnologjinë dhe antropologjinë; filologjinë e tekstit, historinë e shkrimeve dhe gjuhësinë; etnokulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar; letërsinë gojore dhe atë të shkruar; besimet, kultin dhe Shkrimet e Shenjta.


Robert Elsie, përgjatë më shumë se tri dekadave, u bë një figurë emblematike e albanologjisë bashkëkohëse të zhvilluar në Europë e në botë. Ndonëse një kërkues i lirë, ai pati një veprimtari shkencore me përmasat e një institucioni.


Robert Elsie ndër të tjera shërbeu edhe si një urë shumë e frytshme dhe e suksesshme për promovimin e dyfishtë e të ndërjelltë të trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar, si përkthyes i letërsisë, eposit heroik legjendar dhe letërsisë shkencore prej gjuhës shqipe në anglisht e gjermanisht nga njëra anë, dhe si përkthyes i veprave e studimeve më të rëndësishme të albanologëve të huaj të shekullit XIX dhe XX nga gjuhët e burimit në shqip e në gjuhën angleze.


Koleksioni i shkrimeve të hershme shqip e në gjuhët e liturgjive kishtare të transliteruara e të tejshkuara prej Robert Elsie-së; koleksionet e udhëpërshkruesve të huaj që botuan libra me përshtypje nga vizitat nëpër Shqipërinë tradicionale; koleksionet e fotografëve dhe të piktorëve; si dhe koleksionet e dorëshkrimeve laike e kishtare, që janë evokuar në veprën e tij, mbeten një pasuri e shkëlqyer për të gjithë ata që merren me albanologji, jashtë dhe brenda vendit. Këto koleksione kanë pasuruar në mënyrë prapavajtëse burimet dhe burimologjinë, bibliotekat dhe burimologjinë e bibliografinë albanologjike.


Disa nga veprat më të rëndësishme të Robert Elsie-së janë:


Dictionary of Albanian Literature (1986), leksikon enciklopedik tematik;


Migjeni, Freie Verse (1987, 1991, 2001), përkthim gjermanisht i veprës së Migjenit;


Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (1988), antologji e lirikës shqiptare nga shekulli XVI deri në kohët e reja;


Anthology of modern Albanian poetry (1993), antologji e letërsisë bashkëkohore shqiptare;


Albanian folktales and legends (1994, 2001), rapsodi dhe legjenda shqiptare;


History of Albanian literature (1995, 1997, 2001), histori e letërsisë shqiptare;


Një fund dhe një fillim (1995), histori e shkurtër e letërsisë shqiptare;


Studies in modern Albanian literature and culture (1996), studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare;


Kosovo. In the heart of the powder keg (1997), publicistikë për zhvillimet e në Kosovë në fundin e shekullit XX;


Evliya Çelebi in Albania and adjacent regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid) (2000), shenjime për kronikanin osman Evlia Çelebiu dhe të dhënat e tij për Shqipërinë dhe vendet e afërme;


A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture (2001), fjalor i mitologjisë, besimeve dhe kulturës popullore shqiptare;


Der Kanun (2001), Kanuni, përkthim;


Handbuch zur albanischen Volkskultur (2002, 2005), udhërrëfyes për kulturën popullore shqiptare;


Gjergj Fishta, The Highland Lute: the Albanian national epic (2003), Luhata e Malcìs, eposi heroik kombëtar shqiptar, përkthim;


Berit Backer, Behind stone walls (2003), Përpara mureve të gurta, studim monografik i antropologes norvegjeze (botim post mortem);


Historical Dictionary of Albania (2004, 2010), fjalor historik për Shqipërinë;


Songs of the Frontier Warriors: këngë kreshnikësh (2004), antologji e eposit heroik legjendar shqiptar, përkthim;


Historical Dictionary of Kosova (2004, 2011), fjalor historik i Kosovës;


Albanian literature: a short history (2005, 2006), histori e shkurtër e letërsisë shqipe;


Writing in Light: Early Photography of Albania and the Southern Balkans / Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani (2007);


Udhëtime nëpër Ballkan: Kujtime nga jeta e Franc Baron Nopcsa (2007);


Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (2008), Eduard Lear nëpër Shqipëri dhe revistat e peizazhit në Ballkan;


Evlija Celebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje (2008);


Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849 (2008);


Albania and Kosova in Colour, 1913 / Shqipëria dhe Kosova në ngjyra, 1913 (2010);


Fjalor historik i Kosovës (2011);


Fjalori historik i Shqipërisë (2011);


Biographical Dictionary of Albanian History (2013), leksikon biografik i historisë së Shqipërisë;


The Cham Albanians of Greece: a Documentary History (2013), një histori e dokumentuar e çamëve shqiptarë në Greqi.


Robert Elsie është anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe mban disa mirënjohje e tituj nderi në Republikën e Shqipërisë (Medalja e Mirënjohjes, 2013) dhe në Kosovë (Medalja e Artë “Lidhja e Prizrenit”). Vepra e tij do të mbetet një portë e rëndësishme ndërkomunikimi midis shkollave dhe qendrave të albanologjisë; midis institucioneve akademike dhe universitare, midis katedrave dhe individëve që kanë zgjedhur t’i kushtohen historisë së gjuhës, kulturës, identitetit, trashëgimisë, besimeve dhe vlerave të tjera shqiptare në rrjedhë të shekujve, në mënyrë të veçantë prej shekujve të humanizmit europian e këndej. Vepra e tij do të jetë mendium i pazëvendësueshëm për to.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 5 nga 5 libra
  • Shikim i shpejtë
    2 000 Lekë Nuk është në stok
    I ri

    Fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë moderne evropiane. Ky koleksion i rëndësishëm dokumentesh - shumë jprej tyre të pabotuara deri më tani - hedh një dritë shumë të nevojshme. Do të jetë me vlerë të madhe jo vetëm për historianët Greqisë dhe Ballkanit, por edhe të kujtdo që dëshiron të kuptojë situatën e sotme të...

    2 000 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    2 500 Lekë Nuk është në stok

    Der Kanun. Das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Leke Kukagjini kodifiziert von Shthjefen Gjecovi

    2 500 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    2 000 Lekë Nuk është në stok
    I ri

    Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më...

    2 000 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    1 600 Lekë Nuk është në stok

    1 600 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
  • Shikim i shpejtë
    4 800 Lekë Nuk është në stok

    4 800 Lekë
    Shto në shportë Më shumë
    Nuk është në stok
Shfaq 1 - 5 nga 5 libra