Sidonie – Gabrielle Colette (1873 – 1954), e njohur me emrin Colette, ishte një shkrimtare e jashtëzakonshme franceze e gjysmës së parë të shekullit XX.
Në moshën 20-vjeçare u martua me shkrimtarin dhe kritikun Henri Gauthier-Villars (Uilli), 15 vjet më i madh se ajo. Ai e njohu me sallonet parisiane dhe jo shumë kohë pas martesës së tyre, zbuloi talentin e saj për të shkruar. E mbyllte në dhomë dhe e nxiste që të shkruante, por veprat i botoi me emrin e tij.
Katër novelat e Claudine-s janë veprat e saj të para, në fakt. Pas ndarjes nga i shoqi, ajo vijoi të shkruante me emrin e saj.
Në romanet e saj, ajo përshkruan dhembjet dhe kënaqësitë e dashurisë, seksualitetin, marrëdhëniet brenda të njëjtit seks, mëmësinë, raportet e vështira nënë-bijë dhe divorcin shumë më herët sesa këto të konsideroheshin argumente të përshtatshme për diskutimin publik. Si gazetare, ajo përcaktoi norma të reja morale, duke folur haptas për orgazmat e shtirura, dhunën në familje dhe prirjet shoqërore. Si një figurë shumë kontroverse, jeta e saj është ekranizuar në filmin me titull “Colette” (2018).
Nyja e dashurisë dhe besnikërisë – ndaj fëmijërisë dhe maces që e shoqëron atë – është shtylla kryesore e kësaj novele: ëndrra për një fëmijëri të përjetshme dhe nostalgji për një dëlirësi që nuk mundet të përshtatet me jetën prej të rrituri. Novela, e botuar për herë të parë më 1933, thuhet se është një lloj dedikimi i Colette-s për macen e saj.