Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas
Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Europian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturor në Shkup.
Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon. Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. “Kim Mehmeti është rrëfimtar i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjesht ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejt thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri tek irrealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori”, është vlerësuar shkrimtari. Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë të tjera.