Torquato Tasso

Tasso, një nga poetët italianë më të mëdhenj të shekullit XVI, lindi më 11 mars të 1544 në Sorrento dhe vdiq më 25 prill të 1595 në Romë, Itali. Vepra e tij më e njohur është “Jeruzalemi i çliruar”, (1575), një libër ku përshkruhen përballjet midis krishterëve dhe muslimanëve në fund të Kryqëzatës së Parë, gjatë sulmit të Jeruzalemit.

Tasso, një nga poetët italianë më të mëdhenj të shekullit XVI, lindi më 11 mars të 1544 në Sorrento dhe vdiq më 25 prill të 1595 në Romë, Itali.


Vepra e tij më e njohur është “Jeruzalemi i çliruar”, (1575), një libër ku përshkruhen përballjet midis krishterëve dhe muslimanëve në fund të Kryqëzatës së Parë, gjatë sulmit të Jeruzalemit.


Tasso rrjedh nga një familje fisnikësh. Ishte 10 vjeç, kur shkoi në Romë për të takuar të atin, Bernardon, sekretar i princit të Salernos, duke lënë nënën në Napoli. Disa ditë më pas atë e vranë vëllezërit e saj. I detyruar të jetonte me babain, Tasso u bë shok dhe studionte me të birin e Dukës se Pezaros, për të cilin kishte filluar të punonte i ati. Në 1559 shkoi në Venecia e më pas në Padova, ku filloi të studionte filozofi dhe të thellonte njohuritë mbi klasikët e letërsisë.


Në 1560 shkoi në Bologna, ku shkroi “Rinaldo” që u publikua më 1562 dhe pjesën e parë të “Jeruzalemit”, vepër për të cilën u frymëzua nga Badia di Cava, manastiri i Benedettin-eve të Cava de' Tirreni, ku gjendej varri i Urbano II, predikuesi i Kryqëzatës së Parë.


Në vitin 1565, me të përfunduar studimet filloi t’i shërbente kardinalit Luigi d'Este, vëllai i Alfonsit II, duka i Ferraras. Së bashku me punëdhënësin e tij shkon në Francë, por qëndrimi atje nuk ishte shumë i frytshëm në aspektin letrar dhe Tasso vendosi të kthehej në vendlindje.


Pas humbjes së të atit dhe një qëndrimi të përkohshëm në Romë, vendosi të kthehej në Ferrara, në shërbim të Alfonsit II. Pas dy viteve qetësie, poeti filloi të vuante nga depresioni, që u shkaktua nga puna e madhe që ai kryente dhe dyshimet artistike gjatë shkrimit të pjesës së mbetur të “Jeruzalemit”, redaktimin e së cilës ia besoi mikut Scipione Gonzaga, një teolog dhe filozof mjaft i zoti.


I irrituar, gjithnjë i pakënaqur, poeti u largua nga Ferrara për t’u transferuar tek e motra në Sorrento ku qëndroi për disa muaj për t’u nisur me pas në drejtim të Torinos. Në 1578 shkoi në Ferrara. Sapo duka Alfonso e mori vesh ardhjen e tij, urdhëroi që Tasso të mbyllej në spitalin e Sant' Anna ku poeti do të qëndronte deri në 1586. Në 1580 arriti të siguronte një leje për të dalë, por me kusht, mjekët lejuan vizitat e të afërmve, ndërsa vaktet gatuheshin nga kuzhina mbretërore.


Te një njeri si Tasso, aktiviteti poetik zinte një vend shumë të rëndësishëm, deri ditën që mësoi të alternonte shpresën me zhgënjimin, dashurinë me vetminë, vlerat me fatin e keq dhe jetën me vdekjen, të gjitha binome që përfaqësojnë kuptimin dramatik të ekzistencës njerëzore. Rënia politike, ushtarake dhe ekonomike e Italisë bëri që Tasso të transformonte në poezi çdo shenjë mungese besimi në aftësitë e njeriut. Kundërreforma e 1500-ës në Itali, propozonte fenë si justifikim të jetës. Tasso mund të quhet me plot gojën si përfaqësuesi letrar i kësaj kundërreforme, për më tepër pasi ai lindi në një periudhë kur Rilindja italiane ishte duke perënduar.


Në 1585, kunati Vincenzo Gonzaga e mori poetin në Mantova, ku Tasso mundi të shkruajë qetësisht vetëm për disa vite, duke qenë se gjendja e tij mendore vazhdonte të përkeqësohej. Në tetor të 1587 Tasso u nis në drejtim të Modenas ku qëndroi për pak kohë për t’u transferuar sërish në Bolonjë. Në 1588 shkoi në Napoli ku u mirëprit nga monarkët e Monte Oliveto. Ndërsa gjendja shëndetësore përkeqësohej, Tasso gjeti kohë për të shkruar “Pushtimi i Jerusalemit”, vepër që do të publikohej në 1593, duke respektuar çdo dogmë fetare dhe letrare. Ditët e fundit të jetës Torquato i kaloi në Romë, në manastirin e Sant' Onofrio. Ai u nda nga jeta me 25 prill të 1595, pak kohë përpara se Papa t’i dorëzonte kurorën e poetit.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 1 nga 1libër
  • Shikim i shpejtë
    2 000 Lekë Në stok
    I ri

    Jeruzalemi i çliruar, (italisht: La Gerusalemme liberate) është një poemë epike nga poeti italian Torquato Tasso, botuar për herë të parë në vitin 1581, e cila tregon një version të mitizuar, të Kryqëzatës së Parë, në të cilën, kalorësit e krishterë, të udhëhequr nga Godfrey i Bouillon-it, luftojnë myslimanët për të marrë Jeruzalemin.

    2 000 Lekë
    Në stok
Shfaq 1 - 1 nga 1libër