Skënder Buçpapaj

Është autor i librave poetikë “Zogu i bjeshkës”, “Poezi”, “Frika nga Atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, “Jubileu i shiut të çmendur”, “Imgur” e tjerë.

Poeti Skënder Buçpapaj lindi më 22 maj 1953 në fshatin Tplâ të Tropojës. Arsimin tetëvjeçar e kryeu në fshatin e lindjes, ndësa arsimin e mesëm pedagogjik e kreu me korrespondencë në qytetin Bajram Curri. Studimet e larta për gjuhë e letërsi i filloi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër dhe nga viti i dytë i vazhdoi e i mbaroi më 1978 në Universitetin e Tiranës. Më 1986 i kreu studimet mastër po në Universitetin e Tiranës në fushën e kritikës letrare. Pas studimeve të larta ishte arsimtar në Shëngjergj të Mërturit, Degë, Babinë dhe në gjimnazin e qytetit Bajram Curri, ku ishte edhe metodist në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit. Më 1986 ishte redaktor në gazetën ‘Drita’, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Artistëve të Shqipërisë, ku mbuloi kryesisht sektorin e kritikës. Për një kohë të shkurtër, paralelisht, drejtoi gazetën e përjavshme “Kosova”.


Skënder Buçpapaj më 1990 pati rol aktiv në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai dha ndihmesë të veçantë në themelimin dhe konsolidimin e shtypit pluralist shqiptar. Në fillim të vitit 1991 ka qenë inciator dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Pavarur të Gazetarëve të Shqipërisë, më vonë Lidhja e Gazetarëve, i zgjedhur dy herë në kryesinë e kësaj organizate.


Në dhjetor të vitit 1991, Skënder Buçpapaj u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar; ndërsa më 1992 është Drejtor i Përgjithshëm i RTSH, detyrë që e kreu deri në gusht të vitit 1995. Prej atëherë kaloi në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme e pastaj në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ku mbuloi sektorë të ndryshëm dhe ka qenë edhe i ngarkuar me punë (chargé d’affaires) pranë kësaj ambasade.


Nga viti 1998 filloi në gazetën e përditshme “Bota sot”, kryeredaktor i së cilës ishte për dhjetë vjet rresht. Në atë kohë, kjo gazetë, me redaksinë qëndrore në Zyrih të Zvicrës dhe me redaksi të tjera në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Frankfurt e Nju Jork arriti në 200 mijë kopje, tirazh i paparë ndonjëherë në gazetarinë shqiptare.


Nga viti 1991 Skënder Buçpapaj është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Prej vitit 2000 është po ashtu anëtar i Shoqatës së Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, i Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës e tjerë.


Aktualisht me bashkëshorten e tij, poeten dhe gazetaren Elida Buçpapaj, është botues i portalit Voice Of Albanians (Zëri i Shqiptarëve) ëëë.voal.ch.


Krijimtarinë e filloi që në shkollën tetëvjeçare, kur botoi edhe krjimet e para në shtypin për fëmijë. Nga vitet 1970 në pothuajse të gjitha të përditshmet dhe periodikët shqiptarë në Shqipëri dhe jashtë vendit botoi poezi, përkthime nga poezia botërore prej italishtes, anglishtes dhe gjermanishtes, shënime për librat, kritika, studime monografike etj. Nga viti 1976 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka lëvruar pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare si dhe ka realizuar shumë dokumentarë televizivë. Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në poezi, kritikë, publicistikë, studime dhe skenarë dokumentarësh. Është përfshirë në antologji të ndryshme të poezisë shqipe. Ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe historiografisë letare në Shqipëri dhe jashtë vendit që me ciklin e parë poetik të botuar në revistën “Nëntori” në janar të vitit 1973.


Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 4 nga 4 libra
Shfaq 1 - 4 nga 4 libra