Natasha Lako mbetet aktive, si një nga zërat e lirë dhe të pavarur, përfaqësuese e shkëndijave të para të feminizmit shqiptar dhe një nga penat më të veçanta të poezisë shqipe
Emri i Natasha Lakos hyri në letërsi, pas botimit të poezive të saj të para në gazetën Drita, në moshën 16 vjeçare, si vajzë ende e panjohur nga qyteti i Korçës. Autore e tetë vëllimeve me poezi, fituese e disa prej çmimeve më të rëndësishme kombëtare të poezisë - si çmimi ‘Migjeni’ për vëllimin poetik Yllësia e Fjalëve në 1987 - Natasha Lako është përfaqësuese e brezit të parë femëror të letërsisë shqipe. Poezitë e saj gjenden të botuara në disa antologji të poezisë botërore dhe janë përkthyer në disa gjuhë. Kreu studimet në degën ‘Gazetari’ pranë Universitetit të Tiranës, duke nisur karrierën profesionale si mësuese letërsie, gazetare, redaktore, skenariste filmi me mbi 15 skenarë, shkrimtare në profesion të lirë, dhe më tej si drejtoreshë e Arkivit të Filmit Shqiptar ku dha një kontribut të paçmueshëm në ngritjen e këtij institucioni. Duke vijuar aktivitetin e saj publik, politik dhe eseistik, vazhdimisht prezente në shtypin e ditës, por edhe atë të specializuar kinematografik dhe kulturor, Natasha Lako mbetet aktive, si një nga zërat e lirë dhe të pavarur, përfaqësuese e shkëndijave të para të feminizmit shqiptar dhe një nga penat më të veçanta të poezisë shqipe. Lindi në Korçë në vitin 1948.