Jean-Louis Lebris de Kerouac (në art Jack Kerouac) u lind më 12 mars 1922 në Lowell, Masaçusets. Ishte fëmija i tretë, pas vëllait të madh dhe motrës, i një familjeje të mesme franko-kanadeze, të dy prindërit, Leo dhe Gabrielë, të emigruar secili më vete nga Kuebeku, Kanada.
Që në moshë fëminore u shfaq tek Kerouaku i ri pasioni për letërsinë, me mbajtje ditarësh në fillim, dhe, siç tregon, me dramën e parë të shkruar në moshën 11 vjeçare.
Në shkollën e mesme, Kerouaku i ri shkëlqeu me talentin e tij në futbollin amerikan, basketboll dhe atletikë, çka i siguroi një bursë studimi në Universitetin Kolumbia, Nju Jork,ku gjithashtu bëhet pjesë e ekipit prestigjoz të futbollit të këtij Universiteti. Pas një viti, dëmtimi në gju bëri që të lërë aktivitetin sportiv, duke i humbur për pasojë edhe të drejtën e bursës, e kështu u detyrua të ndërpresë studimet.
Që në vitet e para të aspiratës së tij si shkrimtar, Xheku iu kushtua gjetjes së një stili personal të shkruari. Ai mendonte se shkrimtari duhet të shkruajë për përvoja dhe realitete që i njeh shumë mirë dhe që përvëlojnë për të dale në dritë. Ishte një lexues i pasionuar dhe lexoi një pafundësi autorësh, të cilët përfshihen me thënie ose situata në mjaft prej veprave të veta.
Gjatë viteve ‘60 Xhek Kerouakutiu desh të luftojë me alkolin, por pa sukses. Kjo solli rrënimin e shpejtë shëndetësor, që çoi në vdekjen e tij të parakohëshme në moshën 47 vjeçare, më 21 Tetor 1969, në St. Petersburg, Florida.
Romani “Në Udhë” (On the Road) u hodh në letër në një shpërthim të vetëm trijavor shtypshkrimi në prill 1951, por vetë shkrimtari mbante shënime të vazhdueshme në copëza letre gjatë të gjithë periudhës së rrugëtimeve të tij nëpër Shtetet e Bashkuara dhe udhëtimin e fundit në Meksikë, të ndërmarra nga 1947 deri më 1950.