Clyde (Klajdi Thaci), autor i romanit SFIDAT E NJË HUMANI, lindi në Tiranë, më 19 gusht 1993. Më 2015 përfundoi studimet e larta në degën Gazetari Social-Kulturore dhe më 2019 studimet master në Drejtim e Menaxhim të Medias, me rezultate të shkëlqyera.
Qysh në moshë të vogël është bërë pjesë e botës së televizionit, fillimisht si pjesëmarrës në emisionet për fëmijë e adoleshentë dhe më pas si profesionist në fushën e gazetarisë, i fokusuar kryesisht te historitë personale, me qëllim motivimin e audiencës.
Në interesat e tij të gjerë përfshihen fusha në dukje të ndryshme nga njëra-tjetra, por që lidhen mes tyre, si: industria e argëtimit, teknologjia, filozofia, ekonomia dhe, më kryesorja, letërsia. Filloi të shkruante që në moshën 12-vjeçare, kryesisht poezi. “Sfidat e një humani” është romani i tij i parë, një vepër ku spikat guximi në të shkruar dhe origjinaliteti.
Në frymën e romaneve të famshme distopike, shumë të pëlqyera sidomos nga të rinjtë, vjen një roman që ka në qendër Truentin me 11 sfidat e tij, nga një vend me emër të trilluar, Trembaldi, "futur në ujë prej grykësisë së më të fortëve dhe djallëzoreve"!