Skënder Rusi është autor i disa vëllimeve me poezi, të vlerësuara me çmime dhe të përfshira në disa antologji kombëtare dhe ndërkombëtare.
Skënder Rusi u lind më 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro. Që prej vitit 1992 vazhdon të jetë drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë. Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat e tij janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A. Z. Çajupi”. Krijime të tija janë përfshirë nëpër antologjitë e disa vende të Europës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj. Prej 12 vjetësh është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë. Prej 7 vjetësh organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë" me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj
Është e imja kjo mbrëmje është vëllimi i nëntëmbëdhjetë i këtij autori, ku e gjithë përvoja e tij në lëmin e poezisë, përsosja e teknika poetike, por edhe kulminacioni në ndjeshmëri dhe në botën shpirtërore zbrasin plot sqimë dhe mjeshtri të rrallë. Skënder Rusi është ndër poetët më të mirë të kohës tonë, pa të cilin nuk mund të rroket përmasa e poezisë...
Përmbledhje me lirikat më të mira të kohëve të fundit të poetit korçar Skënder Rusi: Një nga poetët lirikë më të mirë të brezit të tij