Maya Angelou (emri i vërtetë Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 - 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, aktore, regjisorja e parë me ngjyrë në Hollywood, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Si aktiviste, Angelou ka bashkëpunuar me Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X, dy nga udhëheqësit kryesorë në luftën për të drejtat e njeriut dhe sidomos ato të afro-amerikanëve.
Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetëra çmime e mbi 50 diploma Honoris Causa.
Angelou është dalluar dhe si poete që ka thurur himne për bukurinë e grave zezake, forcën e tyre dhe shpirtin e tyre thellësisht njerëzor. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj.
Me botimin e kësaj autobiografie, Angelou shfaqi publikisht një sërë aspektesh tejet personale të jetës së saj. Me kalimin e kohës, ajo u bë zëdhënëse e njerëzve me ngjyrë dhe e grave në ShBA.
Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale.
Në fakt, veprat e Angelou-t duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër.
Botime Pegi ka sjellë në gjuhën shqipe “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” dhe “Mami, unë dhe mami”
Nuk ka libra për këtë autor