Katerina Gremo është autore e disa librave të kuzhinës, kryetare e “Federatës Shqiptare të Gastronomisë”, si dhe drejtuese e rubrikës së kuzhinës, pranë Televizionit Publik Shqiptar, rubrikë të cilën e drejton që prej vitit 2008.
Katerina Gremo ka lindur më 8 tetor 1964, në Livadhja të rrethit të Sarandës. Shkollën fillore dhe atë të mesme i ka kryer në Livadhja. Në vitin 1985 përfundoi Shkollën e Ushqimit Social, në Tiranë. Vazhdoi studimet në Athinë, ku mbaroi shkollën dyvjeçare për shef kuzhine “Chef D’Oeuvere”, në maj të vitit 1995.
Zotëron diplomën “Higher Diploma in Food and Beverage Management” (Diploma e lartë e Menaxherit të Ushqimeve dhe Pijeve), titull i cili iu dha nga shkolla greke e Menaxhimit të Hoteleve dhe Ushqimit Social, në vitin 1994.
Ka punuar në kuzhina dhe poste të ndryshme. Në vitin 2004 është aktivizuar si shefe kuzhine në postin e Ushqimeve të Ftohta, gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike të Athinës.
Që prej vitit 2004 e deri në dhjetor 2008, ka punuar si “chef” në Repartin e Ushqimeve dhe Pijeve të Kompanisë “Olympic Catering”, dhe njëkohësisht ka qenë kryeredaktore e revistës “Arti i kuzhinës” (2005-2007). Gjatë gjithë kësaj kohe, znj. Gremo ka ndjekur mjaft seminare, prej të cilëve ka fituar tituj diplomash nga Akademi të ndryshme Kulinarie, si p.sh.: “Le Cordon Bleu”, “Academie d’art culinaire de Paris” etj.
Është, gjithashtu, autore e librave: Lloje të ndryshme bukësh, Receta vere, 100 receta makaronash të shijshme.
Gjithashtu, është anëtare e WACS (World Association of Cooks Society - Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Kuzhinës).
Ka fituar mjaft medalje dhe tituj nderi në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare të shefave të kuzhinës, si anëtare e “Grupit Kombëtar Kulinar Grek”. Në vitin 2007, zuri vendin e parë në Konkursin e 5-të Kombëtar Grek të Shefave të Kuzhinës, duke fituar medaljen e artë.
Bordi drejtues i “Shoqatës Greke të Shefave të Kuzhinës” në vitin 2007 e nderoi atë, duke i dhënë postin prestigjioz “Shefe-anëtare e Grupit Kombëtar Kulinar Grek”, i cili merr pjesë në të gjitha festivalet gastronomike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në të gjitha konkurset gastronomike kudo në botë.
Sot, znj. Katerina Gremo është kryetare e “Federatës Shqiptare të Gastronomisë”, si dhe drejtuese e rubrikës së kuzhinës, pranë Televizionit Publik Shqiptar, rubrikë të cilën e drejton që prej vitit 2008.
Dieta mesdhetare është mënyra e të ushqyerit e popujve të Mesdheut. Ajo bazohet në përgatitjen e gatimeve të shijshme mesdhetare, duke përdorur lëndët e para që prodhohen në këto vende. Emërtimi dietë mesdhetare është bërë sinonim i jetëgjatësisë dhe mbrojtjes së organizmit nga sëmundjet e zemrës, diabetit etj.