Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci (emri i vërtetë është Llazar Sotir Gusho) ka lindur më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. Ai është liriku më i shquar i letrave shqipe. Pas mbarimit të shkollës fillore në Pogradec, i ati i Lasgushit që ishte patriot dhe arsimdashës e dërgoi në moshën 9-vjeçare për të vazhduar studimet në Liceun Rumun të Manastirit (Bitola).


Me fillimin e Luftës së Parë Botërore Liceu u mbyll dhe ai u kthye në 1915 në Pogradec duke e lënë Liceun pambaruar. Familja e dërgoi në Athinë, dhe ai regjistrohet në një Lice francez. Atje sëmuret nga mushkëritë dhe për dy vjet qëndron i shtruar në sanatoriumin "Sotiria". Përsëri nuk e mbaron liceun.


Në vitin 1921 ai shkoi në Bukuresht (Rumani], për të vazhduar studimet e lëna përgjysëm. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte.


Në Rumani, duke dhënë provimet mori bacalaureatën në Silistra. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit (Austri) në Universitetin Karol Francik dhe në 1934 përfundon studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane dhe fiton titullin Doktor-Profesor.


Në dallim nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.


Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.


Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë "Vallja e yjeve", dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë "Ylli i zemrës". Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci nuk e vazhdoi veprimtarinë krijuese. Sepse dëshiroi që ato poezi të cilat i ka shkruar të mbeten pa asnjë ndikim Ai shkroi, veç të tjerash, poemat "Eskursioni teologjik i Sokratit", "Kamadeva", baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si "Eugjen Onjegin" të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.


Lasgush Poradeci lë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, etj. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë. Me 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari që sot ka adhurues të shumtë.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 5 nga 5 libra
Shfaq 1 - 5 nga 5 libra