Shkrimtar, anëtar i Akademisë Franceze, nuk rri në një vend. Ai shkruan libra dhe filma, është profesor ekonomie, për shumë vite këshilltar i presidentit të Republikës, shitës librash elektronikë, kopshtar i bahçes së tij me zarzavate, gjyqtar, ambasador, lundrues.
Midis librave të tij të famshëm, mbase më të njohurit, janë ata për fëmijë. DITURIA ka botuar Gramatika është një këngë e bukur (2005) dhe, pas librit që keni në dorë, Princesha Histaminë, do të vijojë edhe me tituj të tjerë. Pse? Sepse është e vështirë t'u kalosh mënjanë, pa u hedhur një sy, librave të Orsenna-së për fëmijë, që dallohen për humorin, aventurat, gëzimin që përcjellin. Fëmijët jo vetëm argëtohen me librat e tij, por edhe mësojnë shumë. I vlerësuar me një sërë çmimesh të rëndësishme letrare, si çmimi Roger-Nimier më 1978 dhe çmimi Goncourt më 1988.
Ka shumë ishuj të çuditshëm në botë: Por ishulli ku i përplasi deti Tomasin dhe Zhanën, vëlla e motër, pasi shpëtuan nga mbytja e anijes, është me të vërtetë një ishull çudirash.
Nga fantazia gjeniale e shkrimtarit Erik Orsenna, vjen një protagoniste e re që shpon si iriq dhe djeg si spec. Njihuni me Histaminën, vogëlushen që ka alergji nga gjithçka!